LIVE UPDATES

'Gërdeci', Shkëlzen Berisha s'paraqitet në GJKKO. Bumçi pranon takimet: Fax-i është fals!

➤ Për herë të parë, sot Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, ishte thirrur për të dëshmuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dosjen "Gërdeci". ➤ Por nuk ka marrë pjesë pasi nuk i është gjetur banesa për të dorëzuar letrën! Në sallë ka qenë vetëm ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi. ➤ Bumçi ishte kërkuar nga SPAK për të dëshmuar lidhur me një fax, i cili mbante përsipër mbishkrimin "për Shkëlzenin". ➤ Në sallë, Bumçi tha se e ka takuar 2 herë Shkëlzen Berishën në zyrë, por theksoi se nuk kanë qenë takime për punë. Ish-ministri tha: 2 muaj para se të ndodhte ngjarja e kam takuar Shkëlzenin, por për arsye elektorale. Dy herë e kam takuar në zyrë por jo për çështjen e demontimit të armëve, por për çështje politike. Faksi i gjetur te zyra ime është i falsifikuar, e kam bërë kallëzim këtë. ➤ Jashtë seancës, për mediat foli Fatmir Mediu. ➤ Mediu tha se ka vënë në dispozicion të hetimeve edhe një dokument të policisë ushtarake, ku thuhet se përpara se të bëhej demontimi kishte filluar puna për prishjen e objektit në mënyrë të kundraligjshme. ➤ Përveç Shkëlzen Berishës, sot ishin planifikuar që të dëshmonin edhe: Plarent Ruka, Sokrat Papadhima, Liza Maksuti, Alma Zili e Anjola Agolli. Kjo e fundit është ish-sekretarja e ministrit të Drejtësisë, e cila para prokurorëve ka pranuar se për çështjen Gërdeci janë nisur fakse nga Ministria e Drejtësisë për Ministrinë e Mbrojtjes nga zyra e Drejtorisë së Kodifikimit. ➤ Megjithatë në listë ende nuk është përfshirë emri i Viktor Gumit, asokohe Drejtor i Kodifikimit, i cili dyshohet se është personi që shkroi "Për Shkëlzenin" në fax-in që Bumçi pretendon se është i falsifikuar.

6 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

'Për Shkëlzenin’/ Ish-sekretarja e Bumçit në GJKKO: Kur është dërguar, unë s’kam qenë në punë

'Gërdeci', Shkëlzen Berisha s'paraqitet në GJKKO.
Aldo Bumçi

TIRANË- Alma Zili, ish-sekretarja e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi ka dëshmuar sot në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dosjen Gërdeci. Para trupës gjykuese, Alma Zili ka deklaruar se nuk ka qenë në punë kur është dërguar faksi me mbishkrimin ‘Për Shkëlzenin’. Ndërsa eprori i saj, Aldo Bumçi shtoi se në kohën kur pretendohet se është nxjerrë faksi, sekretarja e tij ka qenë me leje lindjeje.

"Ministria kishte një aparat faksi, i cili përdorej për të përcjellë fakse, në rast se kishte. Nuk kujtoj të jetë shënuar emri i Shkëlzenit në bllokun e shënimeve, ku mbanim shënim orare të takimeve të ndryshme. Kur është dërguar faksi nga Ministria e Drejtësisë drejt Ministrisë së Mbrojtjes, unë nuk kam qenë fizikisht në punë. Dokumentin për faksin e kam parë përmes mediave. Ne thjesht na kërkohej të nisnim një faks drejt një institucioni të caktuar. Asnjëherë nuk më është kërkuar të komunikoj me Fatmir Mediun,"- ka dëshmuar ajo në GJKKO./ZËRI

1 VITE ME PARE

"Gërdeci"/ Mungoi sot në GJKKO, Shkëlzen Berisha: S'më ka ardhur ftesa! SPAK-ut i kam dhënë edhe numrin e telefonit

'Gërdeci', Shkëlzen Berisha s'paraqitet në GJKKO.
Shkëlzen Berisha

TIRANË- Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha ka reaguar për mungesën e tij në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Me anë të një reagimi në rrjetet e tij sociale, Shkëlzen Berisha tha se gjatë marrjes së tij në pyetje nga Prokuroria e Posaçme kishte lënë të gjitha të dhënat e tij të sakta. Madje edhe numrin e tij të telefonit. 

"Ne lidhje me disa raportime mediatike per “mos paraqitjen” time si deshmitar ne gjykate, me duhet te sqaroj se ne asnje adrese timen fizike apo elektronike nuk ka mberritur asnje ftese per t’u paraqitur per te deshmuar! Pretendimet e SPAK, qe jane qartaz ne funksion te qellimeve politike e mediatike te Edi Rames, bien poshte, si nga njoftimet e meparshme qe jane ekzekutuar me sukses, ashtu dhe nga fakti qe personalisht ne deshmine e dhene para SPAK kam depozituar adresen e SAKTE si dhe nr e telefonit! Mbetem i hapur per t’u paraqitur konform ligjit me te marre ftesen!,"-shkruan Berisha. 

Në seancën e sotme, i biri i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha ishte në cilësinë e dëshmitarit. Sipas SPAK, Shkëlzen Berisha ka ndryshuar adresë dhe nuk i ka shkuar fletëthirrja. Ndaj pritet në seancën e radhës, që është vendosur më 27 Dhjetor në orën 09:00./ZËRI

1 VITE ME PARE

Shkëlzen Berishës nuk i gjendet adresa, nuk paraqitet në GJKKO

'Gërdeci', Shkëlzen Berisha s'paraqitet në GJKKO.
Shkelzen Berisha

TIRANË- Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, nuk është paraqitur në seancën e sotme që u mbajt në GJKKO, për çështjen Gërdeci. Kjo për shkak se Shëlzen Berisha nuk është njoftuar për seancën e ditës së sotme, pasi sipas prokurorit në dëshminë e parë ai ka dhënë një tjetër adresë banese, ndërsa tashmë ka ndryshuar vendndodhje.

Ndërkohë do të dërgohet kërkesa në adresën e banesës, për tu marrë në pyetje në seancën e radhës.

Seanca u shty për datën 27 dhjetor, në orën 09.00. Ndërkohë që sot dha dëshminë e tij ish-ministri o drejtësisë Aldo Bumçi, i cili nuk pranoi që të kishte informuar Shkëlzen Berishën për fabrikën e demontimit të armëve.

Thirrja e Shkëlzen Berishës në të njëjtën seancë me Aldo Bumçin, lidhet me faksin që ky i fundit i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes së kohës Fatmir Mediu me shënimin “për Shkëlzen Berishën”, në pjesën e sipërme të dokumentit në krahun e majtë.

Përveç këtij dokumenti, djali i ish-kryeministrit pritet të pyetet edhe për takime me ministrat e kohës në qeverinë Berisha dhe një telefonatë me Fatmir Mediun menjëherë pas shpërthimit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona e mbi 300 mbetën të plagosur.

Më 26 janar 2023, Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi, janë pyetur edhe gjatë hetimeve paraprake nga prokuroria, ndërsa në gjykatë ata mbyllin listën e parë prej 52 dëshmitarësh.

Në procesin për Gërdecin, pritet të pyeten më pas pjesa e dytë e listës, ku përfshihen ish-zyrtarë dhe ushtarakë të pandehur më parë për çështjen, përfshirë edhe ish-shefin e Shtabit Luan Hoxha, i cili ndodhet jashtë Shqipërisë që prej vitit 2012.

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

‘Për Shkëlzenin’, Bumçi para GJKKO: Me djalin e Berishës kam pasur takime vetëm në fushata

'Gërdeci', Shkëlzen Berisha s'paraqitet në GJKKO.
Aldo Bumci

TIRANË- Ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, ka qenë i pranishëm në seancën e mbajtur sot në GJKKO, për çështjen e Gërdecit. Në të njëjtën ditë do të duhej të paraqitej në Gjykatë edhe Shkëlzen Berisha, i cili nuk është paraqitur në seancë, me pretendimin se nuk ishte njoftuar në adresën e dhënë.

Buçmi shpjegoi të gjithë procedurën se si kanë vepruar ministritë për formatimin e bazës ligjore për demontimin e armëve dhe vendosjen e Gërdecit si bazë.

Bumçi dha shpjegime edhe për një shkresë nga Ministria e Drejtësisë dhe të Mbrojtjes, me anë të faksit, duke mohuar që të kishte sigluar një shkresë të tillë për Shkëlzen Berishën.

Ai tha se kishte bërë një kallëzim pas shpërthimit në Gërdec, duke pretenduar se ishte e falsifikuar. Vetë Bumçi nuk ka qenë në gjendje që të verifikonte nëse prokuroria ka provuar falsifikimin e shkresës.

Bumçi pranoi se e ka njohur djalin e ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha por se nuk ka pasur kontakte miqësore dhe se e ka takuar për fushata elektorale. Ai pranoi se e ka takuar në fund të vitit 2007, ku e ka pritur dy herë në zyrë Shkëlzen Berisha për arsye elektorale dhe se mohoi të kishte diskutuar për çështjen e armëve.

Në seancën e sotme ka dëshmuar edhe ish-sekretarja e Bumçit e cila ka deklaruar se në atë kohë kur është dërguar faksi ka qenë me leje lindje.

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

"Gërdeci"/ Mediu në SPAK: Të dalë e vërteta, nuk kam bërë shkelje

'Gërdeci', Shkëlzen Berisha s'paraqitet në GJKKO.
Fatmir Mediu

TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ishte i pranishëm sot në seancën e radhës për çështjen "Gërdeci". Teksa ka dalë nga ambjentet e SPAK, Mediu ka deklaruar se do të jetë i pranishëm në çdo seancë gjyqësore, edhe në gjyqin e radhës kur do të jetë dhe Shkëlzen Berisha.

Ndër të tjera ish-ministri tha se ka respektuar gjithmonë detyrën dhe se nuk ka bërë asnjë shkelje. Ai tha se në maj kishte raportuar ndërhyrje të paligjshme nga kompania, për ndërtim pa leje, gjë që sipas tij e kishte raportuar te Policia Ushtarake.

Mediu: Dua të dalë e vërteta për procesin. U provua se Mediu ka vepruar në respekt të ligjit, për detyrimet e BE dhe të plotësimit të akteve ligjore. Ka pasur marrëdhënie korrekte me strukturat civile dhe ato ushtarake. Nuk ka pasur asnjë reklamim te ministri i Mbrojtjes. I vura dhe sot një dokument të policisë ushtarake, që kishte nisur kompania të niste shembjen e paligjshme të godinës. Do të paraqitem në çdo seancë. Skam kam bërë as më shumë dhe as më pak se detyrën time! Dua të sqaroj një herë e përgjithmonë se për transportin, e thotë rregullorja. Në ministrinë e Mbrojtjes transporti është bërë nga Forcat e armatosura të armatimeve. Do të jem në çdo seancë që trajtohet çështja e Gërdecit. Në muajin maj më është raportuar për ndërtim të paligjshëm në Gërdec. Po flas qartë, kompania kishte bërë shkelje. Ky vjen si shqetësim i Policisë Ushtarake, dhe nuk e vendos unë gishtin e akuzës. Nuk ka një akt që të kem neglizhuar. Sa i përket Bumçit ai ka kërkuar ekspertizën dhe raportimin me këtë çështje. Të lëmë njëherë e përgjithmonë të gjithë abuzimet. Zoti Bumçi ishte më i qartë se kushdo tjetër. E ka thënë Bumçi. Unë dua që të dalë e vërteta e këtij procesi. 

Avokati i ish-ministrit Fatmir Mediu, Ardian Visha ka deklaruar para gazetarëve mbi zhvillimin e procesit gjyqësor gjatë ditës së sotme, në lidhje me Gërdecin.

Gjatë fjalës së tij ai ka treguar se sipas tij, ata që janë pyetur kanë dëshmuar disa gjëra që kanë rendësi të veçantë. Avokati Visha ka theksuar se kanë kërkuar korrigjimin të pyetjeve ndaj shtetasit amerikan Patrik Henri, “pasi një pyetje përmbante një të pavërtetë dhe humbiste për objektivitetin”.

“Në thelb ata që janë pyetur kanë dëshmuar disa gjëra që kanë rendësi të veçantë. Ka momente të rëndësishme të pyetur n lidhje me ushtarakët e lartë, në lidhje me raportet civile dhe ushtarake kur Mediu ka qenë ministër.

Sikurse në seancat e fundit po dëshmohet disiplina e plotë e urdhrave që ka firmosur ministri. Për sa i përket pyetjeve të nisura në Amerikë në drejtim të zotit Patrik Henrit, ne kishim vërejtje vetëm për një pyetje dhe kërkuam korrigjimin pasi përmbante një të pavërtetë dhe humbiste për ne objektivitetin”, u shpreh Visha gjatë fjalës së tij.

Në seancën e sotme për herë të parë është pyetur në GJKKO për Gërdecin, ish-ministri i drejtësisë Aldo Bumçi. Seanca e radhës për Gërdecin do të mbahet në datë 27 dhjetor në orën 09:00.

1 VITE ME PARE

‘Gërdeci’/ Mediu në SPAK, Shkëlzen Berisha dëshmon për herë të parë

'Gërdeci', Shkëlzen Berisha s'paraqitet në GJKKO.
Fatmir Mediu

TIRANË- Mbahet sot seanca e radhës në GJKKO për Gërdecin. Në seancë është paraqitur ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Ndërkohë për herë të parë, sot Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha do të dëshmojë në GJKKO për procesin e masakrës së Gërdecit. Bashkë me Shkëlzen Berishën do të merret në pyetje edhe ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi

Shkëlzen Berisha është pjesë e listës me 71 emra për tu marrë në pyetje nga GJKKO. SPAK ka marrë në shqyrtim një shkesë që mbante emrin e Shkëlzen Berishës dhe u gjet asokohe pikërisht në zyrat e ministrisë së drejtësisë që drejtohej nga Bumçi, por sipas djalit të ish-kryeministrit bëhet fjalë për një dokument të falsifikuar.

Dëshmia e tyre lidhet pikërisht me këtë dokumet, që Bumçi i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes së kohës Fatmir Mediu me shënimin “për Shkëlzen Berishën”, në pjesën e sipërme të dokumentit në krahun e majtë.

Përveç këtij dokumenti, djali i ish-kryeministrit pritet të pyetet edhe për takime me ministrat e kohës në qeverinë Berisha dhe një telefonatë me Fatmir Mediun menjëherë pas shpërthimit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona e mbi 300 mbetën të plagosur./ZËRI

Poll

MOS HUMB