LIVE UPDATES

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm familjarët, Rama: I vjen plasja që nuk e ndjek dot funeralin e tij

➤ Janë mbajtur këtë të mërkurë homazhet në nderim të Ismail Kadaresë, në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ndërsa arkëmorti i shkrimtarit u prit fillimisht nga familjarët e tij. ➤Me përfundimin e ceremonisë shtetërore, trupi i pajetë i shkrimtarit do të përcillet për në varrezat e Tufinës, me praninë vetëm të familjarëve. ➤ Kjo ka qenë kërkesa e bashkëshortes së tij Helena Kadare, e cila u bë publike nga kryeministri Edi Rama. ➤Ky i fundit ishte i vetmi person që mbajti fjalim në homazhet për Kadarenë, ndërsa shpjegoi dhe arsyet se pse trupi i Kadaresë do të përcillet për në varrezat e Tufinës dhe jo në vendet të tjera, që janë propozuar ditët e fundit. ➤Dita e sotme është ditë zie kombëtare në Shqipëri dhe në Kosovë. ➤Në homazhet për Kadarenë ishin të pranishëm dhe krerët më të lartë të shtetit në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani, si dhe kryeministri Albin Kurti. ➤Kadare u nda nga jeta në datën 1 Korrik, në moshën 88-vjeçare.

17 artikuj për këtë temë.
11 MUAJ ME PARE

Sali Berisha 'gjen rrugën' për të 'shkuar' tek homazhet në nder të Ismail Kadaresë

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Luçiano Boçi

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk ishte i pranishëm fizikisht këtë të mërkurë në homazhet shtetërore në nder të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, por me sa duket ka gjetur një mënyrë për të shprehur ngushëllimet e tij. Kështu, nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi në emër të Berishës, shkroi në librin e kujtimeve mesazhin e liderit demokrat.

“Në emër të Kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha shprehim pikëllimin e madh për humbjen e gjeniut, figurës së ndritur, i cili me veprën e tij tejshkoi kohën, theu normat dhe tabutë ideologjike të socrealizmit dhe i dha letërsisë shqiptare dhe shpirtit shqiptar përmasë botërore! I paharruar do të mbetet Kadare dhe vepra e tij do ndikojë në shekuj shpirtin dhe krenarinë tonë”, shkruante Boçi/ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Sot u përcoll në banesën e fundit, Elona Agolli: Lamtumirë xhaxhi Ismail!

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli

TIRANË- Vajza e shkrimtarit Dritëro Agolli, Elona ka bërë një postim për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare. Në rrjetet e saj sociale, Elona ka ndarë një foto të Kadaresë dhe të të atit të saj në rini, fotografi që e ka shoqëruar me një histori personale. Ndër rreshta, Agolli kujton ndarjen nga jeta të të atit, duke i dhënë edhe lamtumirën e fundit shkrimtarit Kadare, të cilit i referohet "xhaxhi Ismail".

"Ndoshta do të kishin dashur të prisnin ndryshe të fundmen ditë…njëlloj ashtu siç i madhi Niko Kazanxaqis admironte vdekjen në këmbë, të njëjtë me ushtarët e Pompeut. Apo si ai që përfshihej nga llava e vdiste në këmbë si statujë. Edhe atë ditë që babi nuk më lëshonte duart nga flokët duke i tërhequr si litarë, atë ditë në spitalin me muret gri dhe frymën e kobshme të vdekjes, ai këtë gjë donte të më thonte. Jam e bindur që edhe ai, miku i hershëm dhe i gjithjetshëm i babait tim, ashtu do ta dëshironte. E sido që të jetë, Ismail Kadare që sot do të prehet në banesën e fundme, me kurmin në tokë, por shpirtin afër qiellit, ashtu siç përherë të mëdhenjtë shkrimtarë e kanë, në jetën tokësore por edhe në atë në amshim, brez pas brezi e shekull pas shekulli, do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët, më i ndriçuar ndër të ndriçuarit. Lamtumirë i adhuruari shkrimtar! Lamtumirë, për mua, xhaxhi Ismail!,"-shkruan ajo në postimin e saj. 

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm

Ismail Kadare, shkrimtari i mirënjohur është ndarë nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Ai konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ku shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij është shtrirë edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime./ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Gjirokastra homazhe për Kadarenë! Shtëpia ku lindi mbushet me vizitorë! Golemi: Do i bëjmë një monument

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Pamje nga homazhet në Gjirokastër

TIRANË- Homazhet në nderim të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, nuk u zhvilluan vetëm në Tiranë, por dhe në Gjirokastër ku qindra qytetarë kanë vizituar shtëpinë e Kadaresë dhe kanë lënë mesazhin e tyre në librin e ngushëllimeve. Shtëpinë e Kadaresë në Gjirokastër nuk e vizituan vetëm bashkëqytetarët e tij, por dhe turistë të shumtë, të cilët kanë dëgjuar për veprat e Kadarase, por dhe i kanë lexuar ato.

Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha se do të diskutohet vendosja e një monumenti në nderim të shkrimtarit gjirokastrit.

“Ne gjirokastritët përkulemi me mirënjohje para birit të këtij qyteti që ofroi kaq shumë. Iku Ismaili por ngeli Kadareja, në rrugët në sokakët, në shtëpinë muze. Kadare do ngelet, do ngelet vepra e tij, do ngelet ajo që ka shkruar për Gjirokastrën tonë. Unë besoj se do marr miratimin shumë shpejt të këshillit bashkiak, mbase për të sjellë një monument që duhet të zerë vend në Gjirokastër”, thotë kryetari i Bashkisë./ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Çfarë shkroi Albin Kurti në librin e kujtimeve për shkrimtarin e ndjerë Kadare: Lum ne që e patëm

 
Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Albin Kurti

TIRANË-Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka marrë pjesë në ceremoninë e homazheve në nder të shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadare. Në librin e kujtimeve, Kurti shkroi se pikëllimi për humbjen e Kadaresë është shumë i thellë, pasi admirimi ishte i lartë.

“Pikëllimi është i thellë sepse admirimi është i lartë. Historia (me gjithë mitet), politika (me gjithë intrigat), gjuha (me gjithë bukurinë) me romanet dhe poezitë e Ismail Kadaresë u bënë dije dhe vetëdije për popullin tonë. Lum ne që e patëm, kaq shumë. Vepra e tij do të rrojë gjatë, jo vetëm për ne”,  shkroi Kurti.

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
SHKRIMI I ALBIN KURTIT

Ismail Kadare, shkrimtari i mirënjohur është ndarë nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Ai konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ku shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij është shtrirë edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime./ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Rama shmang Kurtin në homazhet për Kadarenë

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Albin Kurti dhe Edi Rama

TIRANË-Sot i është dhënë lamtumira e fundit shkrimtarit më të madh shqiptar Ismail Kadare. Por si duket as vdekja e të madhit Kadare nuk i ka shkrirë akujt mes kryeministrave Rama dhe Kurti, aq sa t’I japin dorën njëri-tjetrit.

Kryeministri i Kosovës bashkë me kryekuvendarin Glauk Konjufca dhe presidentin Vjosa Osmani dhe shumë deputetë të Kosovës ishin ndër të parët që erdhë në sallën TKOB për homazhe. Rama erdhi më vonë, bashkë me gruan. Në dalje ata ishin njëri pas tjetrit dhe ndërsa arkëmorti me trupin e Kadare po shkonte në drejtim të varrezave, Rama u takua me Konjufcën dhe Osmanin, por jo me Kurtin, që dukej i ngrysur gjithë kohën. Siç duket dhe në foton e mëposhtme Rama dhe Kurti nuk janë takuar, aq sa mbanin distancë nga njëri-tjetri.

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
ALBIN KURTI DHE EDI RAMA

Ismail Kadare, shkrimtari i mirënjohur është ndarë nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Ai konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ku shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij është shtrirë edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime./ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Fjalimet e dy vajzave të Ismail Kadaresë pranë varrit të tij

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Besiana Kadare

TIRANË- Besiana dhe Gresa Kadare i ka dhënë këtë të mërkurë lamtumirën babait të tyre, shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Në fjalën e tyre, mbajtur në varrezat e Tufinës, para miqve dhe familjarëve të afërt, Besiana Kadare u shpreh se një nga mënyrat më të mira për t’i bërë homazh është që të lexojmë të gjithë përsëri veprat e tij. Ndërkohë, Gresa kujtoi kohët e kaluara krah të atit dhe bisedat e vyera me të.

Besiana Kadare: Të dashur miq faleminderit që keni ardhur sot. Jemi të gjithë shumë të prekur nga gjithë kjo dashuri, mesazhet e ngushëllimit, shumë ceremoni prekëse. Nuk do bëj ndonjë fjalim, e përfytyroj që thoshte një nga frazat e tij të preferuara ‘do na lësh rehat tani, nuk dua’. E përfytyroj është ngjitur, është si në një vorbull drite, e përfytyroj që është ngjitur si hyj në panteonin e gjenive të botës dhe na shikon. Një nga mënyrat për t’i bërë homazh është të lexojmë të gjithë përsëri veprat e tij. Faleminderit që keni ardhur sot.

Gresa Kadare: Të dashur miq faleminderit për prezencën tuaj. Desha të them diçka të vogël. Ismaili ka qenë gjithnjë një baba ndryshe nga të gjithë etërit e shokëve e shoqeve të mia. Ishte krejt i veçantë si në gjithë gjërat e tjera dhe i bindej vetëm ligjeve të letërsisë. Kurrë nuk më ka mërzitur për neglizhencat e mia për punët e shtëpisë, e plotë e plotë të tjera, por nuk m’a kursente sarkazmat për autorët që unë lexoja. Nga ana tjetër entuziazmohej sa i gjeja ndonjë rrjesht përshembull nga përkthimi i Nolit, i Don Kishotit, që ishte i goditur. Këtë filozofi dora dorës ndoshta e kam adoptuar dhe vetë që nga fëmijëria./ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Mes lotësh, mbesa dhe nipi përcjellin Kadarenë për në banesën e fundit

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Pamjet kur makina me trupin e pajetë të Kadaresë kalon në rrugët e Tiranës, për të mbërritur në varrezat e Tufinës

TIRANË- Nipi dhe mbesa i ka dhënë këtë të mërkurë lamtumirën gjyshit të tyre, shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Shkrimtari do të prehet në varrezat e Tufinës, ndërsa ceremonia ishte private, ku të pranishëm ishin vetëm miq dhe familjarë të afërt të Kadaresë.

Në përcjelljen për në banesën e fundit, mbesa e shkrimtarit të madh u përlot teksa tha:

‘’Lamtumirë baba, ashtu si të kam quajtur gjithmonë’’!

Nipi i Ismail Kadaresë recitoi poezi gjyshit të tij në gjuhën frënge.

"Lamtumirë baba"/ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Me duartrokitje dhe karafila të bardhë, përfundon ceremonia shtetërore për Ismail Kadarenë

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm

TIRANË- Me duartrokitje dhe karafila të bardhë mbi arkëmort të hedhura nga të pranishmit, është përcjellë për në banesën e fundit kolosi i letërsisë shqipe, Ismail Kadare.

Pas homazheve të mbajtura në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku morën pjesë familjarë, miq, dashamirës e figura të larta shtetërore të vendit, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të botës së artit e letërsisë, Kadare është përcjellë nga kortezhi për në varrezat e Tufinës.

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëmLamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëmLamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëmLamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm

Ishte kërkesa e bashkëshortes së tij, Helenës, për t’u varrosur vetëm në prani të familjarëve, duke mbyllur kështu homazhet në momentin e nisjes së kortezhit./ZËRI 

11 MUAJ ME PARE

Dëshira e fundit! Kadare do përcillet në banesën e fundit VETËM nga familjarët

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Edi Rama

TIRANË- Ismail Kadare do të përcillet për në banesën e fundit vetëm nga familjarët e tij. Kjo ishte kërkesa e vetme e të vesë së shkrimtarit, Helena Kadare. "Amanetin" e fundit të shkrimtarit e bëri me dije kryeministri Edi Rama në fjalimin që mbajti në fund të ceremonisë së homazheve për gjeniun e letrave shqipe. Kështu në Tufinë, do të shkojnë vetëm familjarët dhe miqtë e ngushtë të Kadaresë, për të respektuar dëshirën e tij të fundit. 

"Sa për sot, është kërkesë legjitime e hijes së tij të pandashme që vendosja e trupit të tij në Tufinë, të bëhet vetëm me praninë e familjarëve. Nuk ka dyshim që do të ishte edhe vullneti i Ismailit nëse do të ishte këtu. Ndaj në emër të saj iu kërkon të gjithëve respektimin e këtij vendimi. Duke ndalur këtu fjalën time, e cila do të duhet të mbyllet në fakt bashkë me tranzicionin e qëndrimit të fundit në banesën e tij të fundit, ku normalisht do të kryhet edhe në praninë e miqëve të tij nga Franca pjesa përmbyllëse e ceremonisë shtetërore. E kam të nevojshme që ta falenderoj publikisht Ismailit që ma ka bërë mua dhe dashnorëve të paepur të gjuhës shqipe. Ai e di, e dinte! Ia kam thënë më shumë sesa njëherë, por edhe unë sot e di që po të kishte mundësi të merrte pjesë, t'i dëgjonte këto rreshta,"-tha Rama ndër të tjera në fjalën e tij./ZËRI

11 MUAJ ME PARE

“Helena donte që të flisja veç unë”, Rama: Kadare do të argëtohej me propozimet për vendin e tij të varrimit

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalimin e vetëm në homazhet në nderim të kolosit të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare. Rama tha se që në momentin e parë që është njoftuar vdekja e Kadaresë, në inboxin e tij kanë mbërritur mesazhe të pafundme me propozime, për vendin se ku do të prehej shkrimtari i madh shqiptar.

Pasi ka bërë homazhet në nder të Kadaresë, Rama ka thënë se skena në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit e Ansamblit Popullor me hijen e Nënë Terezës ka qenë një rastësi. Rama tha se Kadare nuk i kishte qejf tubimet, fjalimet, dhe se do argëtohej shumë me propozimet për ta varrosur te Dëshmorët e Kombit, pranë vëllezërve Frashëri apo dhe te varrezat e dëshmorëve në Kosovë.

“Nënë Tereza po montohej për një shfaqje sot në darkë. Lereni aty u thashë nuk ka më mirë. Askujt nuk i shkonte mendja çka rastësoi këtu enkas për Ismailin dhe më mirë sesa nën hijen e saj, shqiptares që i takon botës, ceremonia e përcjelljes së shqiptarit që i takon botës. Ismaili symbyllur do ndihej i marrë në mbrojtje nga ata që se donin dhe nga ata jo pak që e donin

Në inboxin e mesazheve më vinin propozime të pakërkuara për vendin ku do të varrosej Ismail Kadare, nga parku i liqenit deri te varrezat e dëshmorëve në Kosovë. E di si ai arkëmort, që do të argëtohej shumë me këto propozime, dhe do i vinte plasja që nuk merrte dot pjesë në funeralin e vetë. Helena më çoi fjalë që donte vetëm fjalimin tim, nga dikush që nuk flet thjesht se ia do detyra, por edhe dikush që me Ismailin e lidhte kënaqësia e bisedave jo të shpeshta. Sa e mora vesh që vdiq mendova pashmangshmërinë për organizimin e funeralit. Më është bërë si pullë poste pamja e tij e sëkëlldisur në ceremoninë e dekorimit nga vetë presidenti i Francës. U ndjeva personazh i kurthit të fundit të Kadaresë.

Një vorbull e llahtarshme në një pallat të atyre ëndrrave. Bashkë me fytyrën e skëllëdisur më vjen ndër mend një varg: Do bëj një shenjë dhe do iki! Kurrë ky vend nuk do reshtë së përsëritur gjithçka Ismail Kadare dha për të. Ismail Kadare e meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tija, jo bashkë me dëshmorët. Ai nuk ishte dëshmorë, por nuk kishte asnjë dëshirë që të ishte dëshmor. Jo bashkë me vëllezërit Frashëri. Nuk na e kishte Ismaili borxh që t'i mohojmë vetminë e tij,”- u shpreh mes të tjerave Rama.

Fjalimi i plotë i kryeministrit Edi Rama

Këtë hije të Nënë Terezës mbi trupin e Ismailit nuk e solli kush e përgatiti këtë ceremoni shtetërore. Ishte këtu. Kishte ardhur më parë. Njoftimi që salla ishte e zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty, më erdhi bashkë me foton e kësaj skene, e cila po montohej për një shfaqje sonte në darkë. Lëreni aty u thashë, nuk ka më mirë. Askujt nuk do t’i shkonte mendja çka rastësia e solli këtu, enkas për Ismailin dhe më mirë se sa nën hijen e saj, shqiptares që i takon botës, assesi tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes nga jeta të shqiptarit që i takon botës. Dhe duke e pasë njohur, e dita në çast që nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili symbyllur do të ndjehej i marrë nën mbrojtje nga të tërë ata shumë që s’e donin, po edhe nga ata jo pak që e donin po s’do t’i donte assesi rrotull, përgjatë kalimit të tij nga kjo botë në tjetrën. Ndërkohë, qyshse lajmi i vdekjes së Ismail Kadaresë mori dhenë, në kutinë e mesazheve të shpeshta të ditëve të mia të zakonshme, më vinin hera-herës opinione të ngutura nga një ankth i çuditshëm për vendvarrimin e tij.

I lexoja dhe më kujtohej Ismaili.

Përpiqesha të merrja me mend se si do t’i merrte ai, ato propozime të pakërkuara për ta varrosur tek Vëllezërit Frashëri, tek parku përballë Rognerit, tek fusha e gjelbërt mbrapa Kryeministrisë, tek Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Nacional – Çlirimtare, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve në Kosovë.

Nuk e di dot çfarë do të thoshte.

Po e di njësoj si ai arkmort ku është shtrirë trupi i tij, se po t’ia kisha treguar dot vigjiljen time të këtij ceremoniali dje në darkë, atje në Durrës tek shtëpia buzë detit, ku u mbyll për të ndjekur perëndimin e diellit të vet si një spektator i zbritur nga jeta e gjatë në zenith, do të argëtohej shumë - e siç thoshte Gabriel Garcia Markezi, do t’i vinte plasja që nuk do të merrte dot pjesë në funeralin e vet. Kur edhe Helena më çoi fjalë se donte veç fjalën time në këtë funeral, duke i qëndruar besnike si në të gjitha herët Isit të saj, i cili kishte një alergji të rëndë nga tubimet, nderimet, e sidomos fjalimet, zgjodhi besoj të keqen më të vogël. Një fjalim të pashmangshëm të rastit, po të paktën nga dikush që nuk flet thjesht se ia kërkon detyra, por edhe si dikush me të cilin Ismailin e lidhte kënaqësia e bisedave jo të shpeshta.

Kështu ky nder kaq i posaçëm, përveçse një barrë e rëndë përgjegjësie, mu pranë arkmortit të njeriut që e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, ndërsa letërsinë shqipe në panteonin e mbarë botës së letrave, m’u bë edhe një siklet i ububushëm, po aq i rrallë sa dalja në një provim përpara fytyrës tallëse të Ismailit me tubimet, nderimet dhe fjalimet. Në fakt, sa e mora vesh që vdiq dhe mendova pashmangshmërinë e përgatitjes së ceremonialit, bashkë me pamundësinë për ta shmangur unë vetë përfshirjen në tubim, nderim e fjalim, m’u bë si pullë poste që s´më ndahet nga sytë pamja e tij e sekëlldisur gjatë ceremonisë së gradimit me shkallën më të lartë të Urdhërit të Legjionit të Nderit, nga vetë Presidenti i Francës, në Pallatin e Brigadave. E qyshse filluan të merrnin jetë, komisioni i posaçëm shtetëror i ceremonialit funebër dhe paralelisht përplasjet e opinioneve në skenë e në prapaskenë për të dhe vendvarrimin e tij, u ndjeva personazh i kurthit të fundit letrar të Ismail Kadaresë, një vorbull e hatashme ëndrrash në zhgjëndërr, me mua vetë si nëpunësin e pallatit të zhgjëndërrt të atyre ëndrrave. Kërkohej një varr. Kush mundej thoshte të vetën, si në një garë të vetëshpallur ethesh letrare, ku ai apo ajo që do të gjente vendin ideal për gropën e trupit pajetë të autorit të “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” dhe “Komisionit të Festës”, do të siguronte edhe vendin më pranë tij në botën tjetër.

Bashkë me fytyrën e sekëlldisur në sy të Ismailit, më rri në vesh vargu i tij paralajmërues për vdekjen, “Do bëj një shenjë dhe do ik”, e më ngjan se e gjitha kjo novelë e pashkruar në kërkimin e vendvarrimit, ku nuk ka sesi mungon edhe sivëllau i tij i madh Naimi, të cilit ia ndërruan varrin plot pesë herë, e në këto orë të ethshme mes realitetit, historisë dhe letërsisë, donin t’ia ndanin më dysh për t’i futur pranë Ismailin, si dikur ata të dalët nga burgu që i futën në shtëpitë e të vdekurve për së gjalli të regjimit të vjetër, po as mund të mungojnë në këtë novelë edhe plot të tjerë të varrosur, zhvarrosur e rivarrosur në këtë vend.

“Kështu është kur nuk e kemi si tërë bota një panteon për kokat e vdekura të kombit”, thanë disa. Ndonjë tjetër bëri thirrje për “mauzoleum”, duke na siguruar të tërëve se ndryshe nga mauzoleumi i atij gjirokastritit tjetër, që përfundoi në një gërmadhë të përmjerrë nga urrejtja e dikur adhuruesve të tij, ky i dikur djaloshit të “Kronikës në gur”, do t’i rezistonte të tëra kohërave si një tempull budist, ku nga brezat e nënshtruar në adhurim për autorin e “Breznisë së Hankonatëve”, mijëra Ismailë të vegjël do të ngriheshin nga humbja e madhe e vetëm njërit që patëm hëpërhë në 500 e kusur vite.

Ndërsa unë, pjesë e pavullnetshme e këtij zgjatimi grotesk në jetën reale të botës kadarejane, në rolin e nëpunësit të autorizuar nga qeveria për mbarëvajtjen e organizimit të funeralit, mendova që po të bënim një kullë mbrapa Skënderbeut, me shumë apartamente për të tërë të vdekurit me emër të madh apo të zmadhuar të këtij vendi, do ta mbyllnim mbase përgjithnjë problemin historik të gjetjes së vendvarrimit të duhur në kësi rastesh. Mirëpo pastaj u ndala i tmerruar sepse jo vetëm pash mundësinë reale të prurjes së papërballueshme të lumit të kërkesave për apartament nga aq shumë “ndere kombi” të bëra në këto vite për një mori të vdekurish, po edhe më shumë akoma nga ideja e krijimit të një radhe të gjatë të gjallësh, të cilët sipas çdo gjase mund të paraqisnin bashkë me CV-në përkatëse, kërkesën për të vdekur që të siguronin një apartament në atë kullë.

I dashur Ismail,

nuk ta tregoj dot sa do të doja të ta tregoja ç’më panë sytë e ç’më tha mendja duke u marrë me funeralin tënd, por së paku më duhet të të falenderoj që me këtë novelë të pashkruar, e cila është padiskutim ajo shenja që shkruajte se do të bëje para se të ikje, më dhe edhe përgjigjen që s’ta mora dot në gjallë, kur thoshe nuk shkruaj më dhe nëse të pyesja po pse jo, ma ktheje, “i kam thënë të tëra”. Nuk bindesha dot, e më dukej mëkat që pena e tij ishte shtrirë e pajetë diku në shtëpinë buzë detit. Por sot jam plotësisht i bindur se Ismail Kadareja i tha vërtetë të tëra ç’kishte për të thënë dhe s’kam asnjë dyshim që ky vend nuk do ta zhgënjejë kurrë në atë bindjen kokëfortë të tij, sepse kurrë ky vend nuk do të rreshtë së përsërituri me vete, mbase në mënyra të reja, por pa thënë asgjë të re, gjithçka Ismail Kadareja tha për të e për kë në të jetoi apo do të jetojë. Prandaj edhe ndër të tërët them unë, jo më në rolin e pakërkuar të personazhit të novelës së sapo jetuar, po thjesht në funksionin e zëdhënësit këtu edhe të qeverisë shqiptare e jo thjesht të dikujt që mendon kështu, Ismail Kadareja e meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tija.

Jo bashkë me dëshmorët, sepse ai as ishte dëshmor dhe as nuk kishte gjëkundi, në asnjë qelizë të tijën dëshirën apo gatishmërinë për të rënë dëshmor. Jo bashkë me vëllezërit Frashëri, të cilët ishin ndër fare të paktët që ai i donte dhe respektonte sinqerisht, sepse as nuk ia kanë borxh t’i bëjnë vend në varret e tyre, e as nuk na e kishte Ismaili borxh që t’ia ndalojmë vetminë e tij aq shumë të dashur, vetëm e vetëm sepse nuk na ndalon dot, duke na parë me atë shpotinë e vet për të na thënë atë “jonukduan” e tij proverbiale. Jo tek parku përballë Rognerit dhe as tek fusha e gjelbërt mbrapa Kryeministrisë, sepse jo vetëm që një vend i qytetëruar nuk i mban bashkë, në të njëjtat mjedise të hapura urbane, të gjallët me të vdekurit, pa i ndarë së paku me mure të larta apo distanca të mjaftueshme për të mos parë përditë njëri-tjetrin, po edhe sepse kur mendon, që Ismaili i ikte sa mundte vendeve ku qarkullonin e mblidheshin njerëz, kjo do të ishte si t’i imponohej përjetësisht bashkë me vdekjen edhe një dënim fatal i barabartë me jetën në ferr. Ismail Kadareja jetoi si dëshmitar i një fjale për të cilën mori të tëra lëvdatat e nderimet e mundshme të botës dhe të tërë smirën dhe sharjet e mundshme të vendit që e lindi. Nuk e mori çmimin Nobel, po mbeti në arkivat e proçes-verbaleve të Komitetit të Nobelit, i vetmi kandidat për të cilin ka një dosje letrash anonime nga bashkatdhetarët e tij. Ai erdhi, shkroi dhe iku!

Ne i kemi vetëm një detyrim. T’ia respektojmë ikjen, duke i dhënë në kohën dhe vendin e duhur një banesë të fundit, ku të mos ndjehet i kërcënuar as nga dashuria e pakërkuar, që e kishte tmerr, as nga fqinjësia asnjëherë e dëshiruar, që e kishte lemeri dhe as jo e jo nga tubimet, nderimet e fjalimet sidomos, që i kishte llahtari. Sa për sot, është kërkesë legjitime e hijes së tij të pandashme, Helenës, që vendosja e përkohshme e trupit të tij në Tufinë të bëhet vetëm me praninë e familjarëve. S’ka asnjë dyshim se ky do të ishte edhe vullneti i Ismailit nëse do të pyetej, prandaj në emër të saj, u kërkoj të gjithëve respektimin e këtij vullneti dhe mbylljen e homazheve në çastin e nisjes së korteut të vogël familjar nga sheshi këtu, për në varrezat e qytetit. Duke e ndalur këtu fjalën time, e cila do të duhet të mbyllet në fakt bashkë me tranzicionin e qëndrimit të trupit të shkrimtarit tonë kombëtar në banesën e tij të fundit, ku do të kryhet edhe në praninë e miqve të tij nga Franca e gjetkë, pjesa përmbyllëse e ceremonisë shtetërore të nderimit të Ismail Kadaresë, e kam të nevojshme ta falenderoj edhe publikisht Ismailin për një dhuratë shumë speciale, të cilën ai ma ka bërë mua dhe të gjithë brezave të dashnorëve të paepur të gjuhës shqipe, me përkthimin magjepsës të Resë në Pantallona të Vladimir Majakovskit.

Ai e di, e dinte, ia kam thënë më shumë se sa njëherë, po edhe unë sot e di, që do t’i vinte shumë mirë nëse po të kishte mundësi të merrte pjesë këtu me sy e veshë në funeralin e tij, t’i dëgjonte këta rreshta: "Mendimin tuaj, që ëndërron në trurin e butë, si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral, do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës; gjersa të ngopem, idhnak e brutal."

U prehsh në paqe Ismail, i the të gjitha!Faleminderit!/ZËRI 

11 MUAJ ME PARE

“Makinat nuk hapnin rrugën, shoferi i ambulancës shante gjatë gjithë kohës”, botuesi tregon momentet e fundit të Kadaresë

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Bujar hudhri ne homazhet e kadarese

TIRANË- Mes personave të pranishëm në Teatrin e Operas dhe Baletit ku po mbahen homazhet në nderim të Ismail Kadaresë, ka qënë dhe botuesi Bujar Hudhri. Ai është një prej personave më të afërt me shkrimtarin dhe familjen e tij, ndërsa ka zbuluar dhe momentet kur Kadare është transportuar pothuajse i pajetë në QSUT.

“Kur shkova në banesë e gjetëm të ngrirë, më pas e transportuam me një ambulancë, që mua mu duk se nuk kishte mjetet e nevojshme. Gjatë gjithë kohës, edhe pse ishin ndezur sirenat, makinat nuk e hapnin rrugën. Shoferi shante gjatë gjithë kohës, për shkak të trafikut”, u shpreh Hudhri.

I pyetur nëse gjeniu i letrave ka lënë një dorëshkrim pas, Hudhri u shpreh se nisur nga bisedat që ka pasur me të, mund të ketë lënë diçka. E drejta e botimit do t’i kalojë bashkëshortes së shkrimtarit, Helena Kadaresë dhe dy vajzave.

Bujar Hudhri: Nga vetë natyra e Kadaresë, ai nuk tregonte se çfarë ishte duke shkruar. Kur e kishte nisur dhe do të bashkëpunonte me botuesin, ti kuptoje që një vepër e re ka nisur, por derisa s’ta ka sjellë, ai nuk ta tregonte se thoshte “jam supersticioz”, nuk e tregonte. Mund të ketë, ndoshta gjenia e tij nuk mund të rrinte pa krijuar dhe shpeshherë e kam pyetur në ditë të ndryshme, në momente të ndryshme, i qetë, i paqetë, duke pirë kafe, duke ecur se vërtet, a i ishte duke shkruar, “po”, thoshte, “duke shkruar”, pastaj të nesërmen e përgënjeshtronte por ajo që unë mendoj se ai ka lënë ishte diçka që e ka nisur te kafe “Rostand”, një libër, është një kapitull që quhet “Mozaikale”. Aty janë ca tekste si bizhu, si xhevahire, të shkurtra, të kondensuara, brilante dhe ndoshta bëhet sepse mosha e tij,  talenti i tij i madh bënë që të japë të tilla mrekullira por edhe zgjatin shumë se duan fuqi fizike. Jam i sigurt që këto ka lënë se shpesh thoshte “po, një ngjarje te ‘Juvenilja’, një takim, një fytyrë gruaje”, diçka e tillë, shpresojmë.

Do i shohim të botuara?

Bujar Hudhri: Tani nga nesër e tutje zonja Kadare me dy bijat kanë të drejtën. /ZËRI 

11 MUAJ ME PARE

VD- Begaj-Rama kryejnë homazhe së bashku për Kadarenë, takimi i përzemërt me Osmanin, Kurti me qeverinë e tij

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Edi dhe Linda Rama, Bajram dhe Armanda Begaj

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, bashkëshortja e tij Linda, presidenti Bajram Begaj dhe zonja e parë Armanda, kanë mbërritur në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, për të kryer homazhe në nderim të Ismail Kadaresë.

Atyre iu është bashkuar dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ndërsa më herët dy delegacione nga Kosova, përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurti, kryen homazhe pranë arkëmortit të Kadaresë.


Homazhet pritet të zgjasin deri në orën 12 e 30, dhe më pas trupi i Kadaresë do të dërgohet drejt banesës së fundit në varrezat e Tufinës. Albin Kurti ka mbërritur në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, për të kryer homazhe në nderim të shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare. Kurti shihet i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar të Kosovës dhe nga disa deputetë. Para tij ka kryer homazhe edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. 

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

/ZËRI 

11 MUAJ ME PARE

‘Shkrimtarët e rinj e imitonin’, Fatos Kongoli homazhe për Ismail Kadarenë: Ishte i çliruar, takoheshim shpesh

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Fatos Kongoli

TIRANË- Miq, të afërm, familjarë, njerëz të artit, kulturës dhe politikës, qytetarë të shumtë, kanë kryer sot homazhe në nderim të Ismail Kadaresë. Fatos Kongoli e ka cilësuar një shkrimtar të përmasave botërore Kadarenë, ndërsa vlerësoi kontributin e tij në letërsinë shqipe dhe e cilësoi atë një shkollë letrare që do të frymëzojë brezat e rinj.

“Një shkrimtar i madh i përmasave botërore. Si autor e kam adhuruar gjithmonë. Është një shkollë e fenomen letrar. Ka shumë shkrimtarë të rinj që e imitonin. Vitet e fundit u miqësuam shumë me njëri-tjetrin. Takoheshim shpesh. Muhabetet tona ishin nga më të bukurat. Ismaili ishte i çliruar nga gjithçka dhe flisnim në mënyrën më të lirshme”. 

Ndërsa për poeten Rita Petro, sot është një ditë e trishtë, por shkrimtari do të vijojë të qëndrojë tek ne, tha ajo.

“Ditë e trishtë. Sot po përcjellim njeriun Kadare, shkrimtari do të vijojë të jetë tek ne, se nuk ka shqiptar që të mos ketë një libër të Kadaresë në shtëpi. Ai solli shpresën tek ne dhe shkroi për të dy epokat. Unë e kam takuar që studente vazhdimisht dhe bisedat me të kanë qenë gjithmonë një vlerë dhe bisedat tona fokusoheshin te gjuha shqipe”.

Të shumtë janë personalitetet që kanë kryer homazhe në nder të shkrimtarit Ismail Kadare. Nga Kosova e Maqedonia e Veriut.

Ndërkohë në homazhe u panë edhe dy ish-presidentët, Alfred Moisiu e Rexhep Meidani, të cilët nderuan Kadarenë./ZËRI 

11 MUAJ ME PARE

‘Të lexojnë qoftë edhe një poezi të tij’, Basha dhe Meta pjesë e homazheve për Kadarenë

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Ilir Meta dhe Lulzim Basha

TIRANË- Teksa janë duke u mbajtur homazhe në nderim të shkrimtarit Ismail Kadare, qindra qytetarë, por edhe personazhe të njohur të artit, kulturës dhe politikës, kanë kryer nderime për kolosin e letërsisë shqiptare. Ndër politikanët e parë që kanë kryer homazhe për Kadarenë janë ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha si dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta.

Në një fjalë të shkurtër për mediat, Basha vlerësoi figurën dhe krijimtarinë e Kadaresë, ndërsa një mesazh kishte edhe për të rinjtë të cilëve u thotë se duhet t’i lexojnë veprat e kolosit të letërsisë shqipe.

"Kadare është ngjitur në Panteonin e përjetësisë si njeriu që në kohën më të vështirë për kombin shqiptar i kujtoi bashkëkombësve dhe gjithë botës se ne jemi një ndër kombet e identitetit europian dhe i formimit të identitetit europian. Kjo në një kohë që u bë çdo përpjekje për të shkatërruar lidhjet shqiptarëve me habitatin e tyre që është Europa. Kisha një mesazh për të rinjtë, që të përpiqen të lexojnë qoftë edhe një poezi, apo roman të Ismail Kadaresë se do ti shndërrojë dhe do ti ndryshojë, të kuptojë vlerën e tyre si shqiptarë, qoftë edhe si individ", tha Basha.

Meta u shpreh se Kadare me krijimtarinë e tij e ngriti Shqipërinë në majat e letërsisë botërore.

“Për t’i dhënë lamtumirën gjeniut të kombit që me penën e tij e ngriti Shqipërinë dhe shqiptarët në majat e letërsisë botërore atëherë kur Shqipëria ishte më e izoluar se kurrë. Me sakrificë i parapriu një epoke të re. I përjetshëm kujtimi i shkrimtarit tonë të madh dhe të papërsëritshëm”, tha Meta./ZËRI 

11 MUAJ ME PARE

Me lot në sy, Helena Kadare dhe vajzat e shkrimtarit në homazhet për gjeniun e letrave

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Helena Kadare dhe vajzat

TIRANË- Do të përcillet sot për në banesën e fundit kolosi i letërsisë Ismail Kadare, i cili mbylli sytë të hënën në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pafund letrare me veprat e tij.

Homazhet po kryhen në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, aty ku shkrimtarit të njohur po i jepet lamtumira e fundit.

Në fotot e siguruara nga LSA, shihet edhe bashkëshortja e tij, Helena Kadare dhe vajzat e saj, veshur në të zeza e me lot në sy.

Pjesë e homazheve janë politikanë, shkrimtarë dhe përfaqësues diplomatikë në Shqipëri.

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëmLamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëmLamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm

Bashkëshortja Helena dhe bijat e shkrimtarit të ndjerë po presin ngushëllimet e një kortezhi të vazhdueshëm personalitetesh shtetërore por edhe qytetarësh të thjeshtë.

Protokolli ka menduar edhe të vendosë simbolet e Nënë Terezës vë vendin e homazheve.

Ceremonia e nderimeve për kolosin Kadare është organizuar me protokoll shtetëror nën kujdesin e Kryeministrisë. Homazhet nisën në ora 09:00 dhe do të vazhdojnë deri në 12:30 për të vazhduar me nisjen drejt varrezave të Tufinës. Ashtu si dje, edhe dita e sotme është ditë zie kombëtare. Gjithashtu ditë zie kombëtare ka shpallur edhe Kosova.

/ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Nisin homazhet në nderim të Kadaresë, Helena shoqërohet nga Veliaj dhe dy vajzat

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Helena Kadare dhe Erion Veliaj

TIRANË- Kanë nisur homazhet në nderim të shkrimtarit Ismail Kadare, në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Bashkëshortja e tij Helena Kadare ka mbërritur në ambienet e TKOB, e shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, dhe nga dy vajzat e saj.

Ceremonia e nderimeve për shkrimtarin e madh organizohet me protokoll shtetëror nën kujdesin e Kryeministrisë.

Nga ora 09:00-12:30 do të mbahen homazhet dhe më pas kortezhi do të niset drejt varrezave të Tufinës.

Ismail Kadare u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 1 Korrik 2024 pas një arresti kardiak.

Këshilli i Ministrave e shpalli ditë zie kombëtare 2 dhe 3 Korrikun. Në nder të Kadaresë edhe Kosova mban zi pasi dita e sotme është shpallur zi shtetërore.

11 MUAJ ME PARE

Shqipëria i jep sot lamtumirën e fundit Ismail Kadaresë, homazhet në Teatrin e Operas dhe Baletit

Lamtumirë Ismail Kadare! Në varrim të pranishëm vetëm
Homazhet per ismail kadarene

TIRANË- Shqipëria do ti japë sot lamtumirën e fundit shkrimtarit Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë mëngjesin e të hënës në urgjencën e qendrës spiralore “Nënë Tereza”. Data 3 Korrik është ditë zie në Shqipëri dhe në Kosovë, ndërsa pjesë e homazheve pëe Kadarenë, të cilat do të mbahen në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit do të jenë krerët më të lartë të shtetit shqiptar por edhe të Kosovës. Homazhet në nderim të Kadaresë do të mbahen nga ora 9:00 deri ne orën 11:00, ndërsa më pas shkrimtari do të përcillet për në banesën e fundit, në varrezat e Tufinës. Edhe pse ka pasur pretendime të ndryshme lidhur me vendin e varrimit të Kadaresë, shkrimtari do të dërgohet në varrezat publike të Tufinës.

Ceremonia shtetërore për nderimet dhe përcjelljen e fundit të personalitetit të shquar të letrave shqipe, Ismail Kadare:

09:00 – Homazhet publike në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit
Popullor

11:30 – Ceremonia shtetërore e Lamtumirës

12:30 – Nisja e kortezhit në drejtim të varrezave të Tufinës

13.00- çdo veprimtari do të ndërpritet dhe do të mbahet një minutë heshtje në nder të kolosit të letrave shqipe.

Këshilli i Ministrave miratoi dy ditë zie në nder të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili mbylli sytë përgjithmonë sot në moshën 88-vjeçare. Edhe ditën e sotme flamujt në institucionet shtetërore dhe publike janë ulur në gjysmështizë.

Kolosi i letrave në gjuhën shqipe, Ismail Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Ai lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë./ZËRI 

Poll

MOS HUMB