LIVE UPDATES

Mbledhja e grupit të PS-së/ Porositë dhe paralajmërimet e Ramës: Integrimi në BE, reformë kushtetuese dhe Kuvend me 100 deputetë...

➤Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh sot në Pallatin e Brigadave në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar. ➤Në mbledhjen maratonë që zgjati rreth 8 orë, ishte i pranishëm kryeministri dhe njëherësh lideri i PS-së, Edi Rama. ➤Në fjalimin e drekës, Rama u fokusua te sigurie ushqimore, si një nga pikat më kritike për integrimin në BE. ➤Ndërsa në fjalimin e darkës, kreu i qeverisë kërkoi ngritjen e një grupi nismëtar për ndryshime kushtetuese, duke paralajmëruar uljen e numrit të deputetëve në Kuvend. ➤Në fjalën e tij përmbyllëse, kryeministri Rama u ndal edhe te Televizioni Publik Shqiptar duke e quajtur një dështim, teksa deklaroi se nuk do të ketë asnjë fond për të.

4 artikuj për këtë temë.
4 MUAJ ME PARE

"RTSH dështim, të mbyllet...s'meritojnë asnjë lekë", Asociacioni i Gazetarëve i përgjigjet Ramës: Masa ekstreme, e papranueshme që...

Mbledhja e grupit të PS-së/ Porositë dhe paralajmërimet e
Edi Rama-rtsh

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka shfaqur kritika ndaj menaxhimit të Radio Televizionit Shqiptar, teksa u shpreh se u shpreh se reforma e RTSH ka dështuar. Në fjalën e tij përmbyllëse gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, Rama u shpreh se aktualisht Shqipëria nuk ka një TV publik funksional, teksa shtoi se RTSH duhet të shqyrtojë opsione si privatizimi apo partneriteti dhe deri te mbyllja përfundimtare.

Kreu i qeverisë paralajmëroi se qeveria nuk do t’i japë asnjë fond shtesë deri sa televizioni publik të meritojë taksat e qytetarëve: "S’kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, deri kur t’i meritojë".

 

“Kam tentuar të krijojmë kushtet që RTSH të reformohet dhe kemi dështuar me suksesin më të plotë. Se di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i RTSH është dështim i suksesshëm, nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje, ne s’kemi televizion publik sot në Shqipëri, kemi një kanal atje, por hera e fundit kur e kam, parë është në vitin 1990 pata përmbysjes së protestave. Që atëherë televizion publik s’kam parë, kam vajtur i ftuar po as veten skam parë dhe janë të vetmet intervista pas të cilave nuk marr asnjë mesazh, se kam shkuar në një përshpirtje atje që duhet përshpirtje publike, më kanë parë i kam parë ata në sallë dhe jashtë studios s’më ka parë njeri. Drejtuesit e RTSH, të gjithë e dinë, nga unë nuk kanë marrë kurrë asnjë mesazh, se unë nuk e shoh dhe kur ndonjëri nga ju më thoni shiko çfarë bën RTSH. Të gjithë drejtorët i kam takuar pasi janë zgjedhur. U kam thënë mbylleni, nxirrni në ekran, televizioni publik i kërkon ndjesë popullit, të gjitha familjeve, në republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, i kërkon ndjesë dhe për të gjithë ata që nuk jetojnë më dhe që kanë qenë të detyruar siç jeni edhe ju të marrin shërbimin më mizerabël publik në glob, ju premtojmë se do reflektojmë dhe do rikthehemi në ekran kur të jemi gati dhe të bëjmë reformë. Si ka mundësi që televizionet e tjera me më pak buxhet shumë më tepër sukses, sepse buxhetin e tyre nuk e kanë të garantuar. Duan të drejtën për të transmetuar ndeshjet e kombëtares, por leket nuk i paguajnë sepse ne jemi publik, doni lekët tona, shkoni tek qeveria. S’kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, deri kur t’i meritojë. Çdo opsion duhet të jetë në tryezë edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përvec kësaj që është. Unë nuk marr pjesë në këtë, siç nuk marr pjesë në asnjë lloj tentative për të rregulluar median, e vëra këtë aventurë thjesht për pak gjëra dhe u mbeti Shqipërisë atje ajo paragrafi, drafti i ligjit për median. Sot BE diskuton shumë më tepër se aq, por nuk merrem, as me mediat online, as tv publik, ju që vuani shpifjet e tyre merruni”, tha Rama.

Ndërkohë, menjëherë pas deklaratës së kryeministrit që e cilësoi tekvizion publik një 'dështim', ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë. Përmes një reagimi publik, Asociacioni i Gazetarëve shpreh shqetësimin e thellë, teksa thekson se kjo retorikë “stigmatizon median publike” dhe “cenon parimet e lirinë e medias.” Sa i përket seklaratës se nuk do të ketë asnjë fond shtesë për RTSH, AGSH shprehet se refuzimi i financimit publik si mjet presioni politik përbën një rrezik serioz për pavarësinë e medias publike.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësim të thellë lidhur me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama mbi Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), të bëra më 16 janar, ku televizioni publik u cilësua si “dështim” dhe u hodhën në tavolinë opsione ekstreme si mbyllja, privatizimi apo partneriteti.

AGSH vlerëson se retorika politike që stigmatizon median publike dhe sugjeron zgjidhje drastike, pa një analizë të thelluar dhe pa garanci për pavarësinë editoriale, cenon parimet themelore të shërbimit publik mediatik dhe standardet evropiane për lirinë e medias. Televizioni publik nuk është thjesht një ndërmarrje financiare, por një institucion i interesit publik që duhet të garantojë informim të paanshëm, kulturë, edukim dhe akses të barabartë për qytetarët.

Është e papranueshme që përgjegjësia për dështimet strukturore të RTSH-së t’i faturohet vetëm institucionit, duke anashkaluar faktin se për vite me radhë ndërhyrjet politike, emërimet e kontestuara, mungesa e transparencës dhe paqëndrueshmëria financiare edhe përmes abuzimit të të emëruarve politikë kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e tij.

Refuzimi i financimit publik si mjet presioni politik përbën një rrezik serioz për pavarësinë e medias publike. AGSH thekson se çdo reformë e RTSH-së duhet të ndërtohet mbi dialog të gjerë me gazetarët, shoqërinë civile dhe ekspertët e medias, duke respektuar praktikat më të mira evropiane dhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare. Opsionet si mbyllja apo privatizimi i një transmetuesi publik janë masa ekstreme që do të dëmtonin rëndë pluralizmin mediatik dhe të drejtën e publikut për informim.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë për vite me radhë ka bërë thirrje për reforma të thella në RTSH, që lidhen kryesisht me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues e më pas me Drejtorin e Përgjithshëm, si dhe një reformë e brendshme strukturore”, thuhet nëdeklaratë./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

"Ndryshime kushtetuese brenda këtij mandati", Rama propozon zvogëlimin e Kuvendit, jo me 140 deputetë, por me 100

Mbledhja e grupit të PS-së/ Porositë dhe paralajmërimet e
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deklaroi se brenda këtij mandati mazhoranca synon që të miratojë një reformë të re kushtetuese. Rama propozoi krijimin e një grupi nismëtar për ndryshime kushtetuese, duke theksuar se Kuvendi Shqiptar mund të reduktohet në numër. Sipas Ramës, propozohet që të ulet numri i deputetëve nga 140 në 100.

“Duhet të vazhdoj duke thënë se duhet të mendohet edhe ngritja e një grupi nismëtar për ndryshimet kushtetuese. Kemi shtruar nevojën që Kuvendi i Shqipërisë të zvogëlohet në numër, kemi kuvend me 140 vetë, fare mirë mund të kemi kuvend me 100 vetë. Ka dhe aspekte të thera që duhen zgjedhur nga njerëzit që dinë se çfarë shohin, lexojnë, thonë, kur vjen fjala te kushtetuta e Shqipërisë duhet ngritur një grup që pastaj të hapë një proces, është shumë më tepër se një reformë zgjedhore, kërkon shumë më tepër hapësirë angazhim, burime. Ambicia do jetë duhet të jetë që në fund të mandatit të kalojmë edhe një reformë kushtetuese”, tha Rama.

/ZËRI

4 MUAJ ME PARE

Integrimi në BE, Rama tregon skenarin më pesimist: Çdo ushqim që do të konsumohet do të vijë nga importi

Mbledhja e grupit të PS-së/ Porositë dhe paralajmërimet e
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët mes grupit parlamentar të PS dhe qeverisë. Rama tha se në dy vitet e ardhshme, Shqipëria duhet të ecë me një hap të shpejtë, në përfundimin e procesit të negociatave për anëtarësimin në BE, ndërsa tha se siguria ushqimore mbetet një prej pikave më kritike. Rama tha se Shqipëria do të kalojë në një fazë të ndërmjetme 5-vjeçare në aspektin e sigurisë ushqimore, që nënkupton që përgjatë kësaj periudhe një pjesë e prodhimit vendas mund të mbetet stok, për shkak se nuk plotëson kriteret.

“Një mbledhje e grupit parlamentar, së bashku me qeverinë, për të çelur sesionin e ri parlamentare, duke u përpjekur së bashku që të bëjmë një përmbledhje të punës dhe të sfidave që grupi i ri ka pasur, dhe për të vendosur disa piketa të përbashkëta, në kushtet që puna kemi përpara këtë vit është e një natyre të veçantë, për shkak të domosdoshmërisë që në një hark të shkurtër prej 2 vitesh, Shqipëria të përmbyllë të gjitha kushtet për çeljen e negociatave.

Kam përshtypjen që akoma sot, edhe brenda nesh, brenda grupit parlamentare, e lëre pastaj në opinionin publik, nuk ka një kuptim të qartë, se çfarë do të thotë përmbushja e kushteve për të dalë me sukses nga procesi i negociatave. Është një treg prej 450 mln njerëzish, ku Shqipëria e intregruar do të jetë një pikë uji në oqean. Sfida për institucionet do të jetë e shumëfishtë, ne në momentin që flasim përmes skuadrës së negociatave, jemi duke diskutuar për periudhat e ndërmjetme pas anëtarësimit, që të përmbushim kriteret e të qenit bashkë, në familjen europiane.

Është pjesë e mekanizmit të anëtarësimit, e kanë bërë dhe vende para nesh, fjala vjen Kroacia ka marrë 10 vite fazë të ndërmjetme, për përmbushjen e kritereve në aspektin mjedisor. Beteja kryesore do të jetë ajo e prodhimit bujqësor, në kushtet e sotme ne jemi të paintegrueshëm, jemi larg kritereve ushqimore të BE.

Po përpiqemi që të fitojmë një fazë 5 vjetore të ndërmjetme pas anëtarësimir në BE. Kjo do të thotë që në momentin e anëtarësimit, dhe në momentin kur përfundon faza e ndërmjetme, asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri, nuk mund të shiten jashtë Shqipërisë, çfarë do të thotë kjo? Që një pjesë e ushqimeve nuk mund të shiten dhe në Shqipëri, dhe po shkoj dhe në ekstrem, që gjithçka që do të hahet të jetë e importit”, tha Rama./ZËRI 

4 MUAJ ME PARE

Rama mbledh deputetët në “Pallatin e Brigadave”, takimi me dyer të mbyllura, axhenda e plotë

Mbledhja e grupit të PS-së/ Porositë dhe paralajmërimet e
Edi rama

TIRANË- Ka nisur në Pallatin e Brigadave mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, e para për këtë vit të ri. Të pranishëm në mbledhjen që pritet të zgjasë 5 orë në Pallatin e Brigadave, do të jenë deputetët socialistë, por edhe ministrat, ndërsa vetë Rama do të jetë ai që do të hapë dhe mbyllë takimin, duke iu adresuar me porosi të gjithë të pranishmëve. Fjala e Ramës ishte parashikuar që të mbahej në praninë e mediave, por mëngjesin e sotëm, kreu i qeverisë duket se ka ndërruar mendje, dhe takimi po zhvillohet me dyer të mbyllura. Më herët socialistët kanë bërë publike dhe axhendën që do të këtë mbledhje e sotme, ndërsa gjatë ditës së nesërme, kreu i qeverisë do të ketë një takim me kryetarët e Bashkive në zonën e Golemit.

Axhenda e mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS:

10:00 – Hapja e mbledhjes

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH, Edi Rama

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH, Taulant Balla

Raporti i veprimtarisë së komisioneve parlamentare

(Çdo raport – 10 minuta; diskutime deri në 2 minuta për çdo folës)

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat – Milva Ekonomi

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike – Ulsi Manja

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes – Bledar Çuçi

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural – Blendi Klosi

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm – Anila Denaj

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet – Evis Kushi

Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale – Eduard Shalsi

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik – Iris Luarasi

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën – Erion Malaj

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme – Igli Hasani

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale – Fatmir Xhafaj

Komisioni Posaçëm për Realizimin e Reformës Zgjedhore – Damian Gjiknuri

Komisioni Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale – Arbjan Mazniku

Gjithashtu, do të prezantohet raporti i Sekretarit të Grupit Parlamentar mbi pjesëmarrjen e deputetëve në seancat plenare, komisionet parlamentare dhe mbledhjet e grupit.

13:30 – Konkluzione

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH, Taulant Balla

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH, Edi Rama

15:00 – Mbyllja e mbledhjes

Kjo mbledhje konsiderohet një moment kyç për rreshtimin e prioriteteve politike dhe legjislative të Partisë Socialiste, përpara nisjes së punimeve parlamentare për vitin 2026./ZËRI 

Poll

MOS HUMB