
TIRANË-Pas shqyrtimit KPA ka vendosur largimin nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. Trupa gjykuese pranoi ankimin e Komsionerit Publik duke thënë se Alfred Balla ishte subjekt rivlerësimi, por hoqi dorë nga detyra me vullnet të lirë, duke mos iu nënshtruar kështu procesit të vettingut.
"Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si I tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivklerësimit për Alfred Ballën. Subjekti I vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror I cdo niveli, anëtar I KLP-së apo KLGj-së, inspector i lartë i drejtësisë apo prokuror I përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare", thuhet në njoftim.
Kreu i KLP, Alfred Balla ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale, pasi KPA e përjashtoi për 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Sipas tij ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje.
REAGIMI:
Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua. Ky vendim më la shije jo të mirë edhe pse nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat. Për sqarim, ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje. Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GjEDNj. Më keq me vjen për avokaten time, që kishte bindjen se çështja ishte e fituar, nisur nga gjithë praktika e vetë KPA-së…

Balla ndodhet aktualisht përballë Kolegjit për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017 dhe sipas legjislacionit duhej t'i nënshtrohej procesit të Vettingut. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar. Komisionerja Valbona Sanxhaktari paraqiti mendim paralel. Ajo vlerësoi të rëndësishëm statusin ligjor në të cilin është gjendur subjekti në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për vetingun e magjistratëve, si dhe vullneti apo qëndrimi i Ballës në raport me ecurinë e procesit të rivlerësimit. Sipas saj, Balla ose duhej t'i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar, ose duhej t'i nënshtrohej dispozitave të nenit “G” të aneksit të kushtetutës që përcaktojnë ndërperjen e vetingut me sanksionim 15-vjeçar.
Komisioneri Ballhysa iu drejtua Kolegjit me ankim, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK dhe vendosjen e sanksionit 15-vjeçar për kreun e KLP. Gjatë seancës së të hënës, Ballhysa u qëndroi të gjitha shkaqeve dhe argumenteve të parashtruara në ankim, duke çmuar se vendimi i Komisionit nuk është i drejtë dhe i bazuar në situatën faktike të dokumentuar nga aktet në fashikull.
Ai vërejti se Balla ka ushtruar funksionin e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë nga prilli 2014 deri në shtator të 2017-ës, duke u klasifikuar si subjekt rivlerësimi ex officio. Po ashtu, Ballhysa shtoi se kreu i KLP kishte plotësuar dhe dorëzuar deklaratën e pasurisë, atë në funksion të figurës, si dhe tre akte ligjore pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për kontrollin e profesionalizmit. Duke iu referuar jurisprudencës së Kolegjit, Ballhysa vlerëson se, jo domosdoshmërisht subjektet e rivlerësimit, në momentin kur fillonte procedura e vetingut duhet të mbanin të njëjtën detyrë funksionale për të cilën Kushtetuta dhe ligji i cilësonte si subjekte të tilla.
Por, Komisioneri publik e kundërshtoi shkallën e parë të vetting-ut me kërkesën se vetting-u duhet të shprehet me një vendim të qartë. Sakaq, Balla drejton KLP një post që e mban si përfaqësues i shoqërisë civile dhe së bashku me dy anëtarë të tjerë Tartar Bazaj dhe Nurihan Seiti e kanë përfunduar mandatin dhe duhet të ishin zëvendësuar. E njëjta situatë është edhe në KLGJ, për Naureda Llagami, Fatmira Luli dhe Alban Toro, të cilët duhet të ishin zëvendësuar prej katër muajsh.