Politikë

A qëndrojnë investitorët strategjikë pas operacionit në Theth? Rama: Në Shqipëri nuk ka asnjë oligark

Pas zërave për ndërtime luksoze pas aksionit të IKMT-së, Kryeministri i quan “teori për të ardhur keq” akuzat për resorte dhe interes strategjik në Theth.

f.g
A qëndrojnë investitorët strategjikë pas operacionit në
Edi Rama

TIRANË- Në një takim të zhvilluar me deputetë dhe zyrtarë lokalë të PS në Tiranë, Kryeministri Edi Rama është ndalur sërish tek operacioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në Parkun Kombëtar të Thethit, ku janë prishur dhjetëra objekte të ndërtuara pa leje.

Duke iu përgjigjur zërave nga opozita, Rama tha se nuk ekziston asnjë plan për të lejuar ndërtimin e resorteve në këtë zonë apo përfshirjen e investitorëve strategjikë pas përfundimit të aksionit.

“Në Shqipëri nuk ka asnjë oligark. Aty nuk bëhet fjalë që do lejohen ndërtime dhe resorte. Është jashtë çdo lloj opsioni,” deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se spekulimet e bëra lidhur me këtë operacion janë “për të ardhur keq” dhe nuk kanë lidhje me realitetin në terren.

“Thethi dhe banorët e tij nuk janë shfaqur nëpër ekrane. Ata janë një grup njerëzish që nuk kanë lidhje me këtë histori,” vijoi ai, duke nënkuptuar se ndërtuesit pa leje janë individë të jashtëm dhe jo banorë tradicionalë të zonës.

Rama njoftoi gjithashtu se qeveria ka përgatitur një program të posaçëm për mbështetjen e banorëve në zonat e thella malore, të quajtur “Pakoja e Maleve”, që parashikon lehtësira për ata që posedojnë prona dhe kërkojnë t’i zhvillojnë në përputhje me ligjin.

“Ne do t’i mbështesim ata që kanë prona nëpër male, me kusht që t’i drejtohen institucioneve,” u shpreh Kryeministri./ZËRI

Poll

MOS HUMB