Politikë

‘U njohëm cik si shumë’, Rama për arrestimin e Veliajt: Prokurori mund edhe të çmendet

Rama ka theksuar pas reagimit të KLGJ dhe KLP, se nuk po ushtron presion e as trysni ndaj prokurorëve e gjykatësve të posaçëm pas arrestimit të Erion Veliajt.

F.I
‘U njohëm cik si shumë’, Rama për arrestimin e
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama duke komentuar arrestimin e Erion Veliajt, tha se prokurori mund të çmendet, por është gjykatësi që e ndalon. Rama ka theksuar pas reagimit të KLGJ dhe KLP, se nuk po ushtron presion e as trysni ndaj prokurorëve e gjykatësve të posaçëm pas arrestimit të Erion Veliajt. Ai theksoi se është udhëheqës i forcës që i ka dhënë jetë SPAK, duke shtuar se është kërkesë më legjitime për standardet demokratike, jo për të ushtruar presion ndaj prokurorëve dhe gjykatësit.

Edi Rama: Qëndrimi ynë nuk ndryshon kam qenë shumë i qartë, në gjithë atë dosje nuk ka një paragraph të vetëm se nuk e kam lexuar dosjen, por kam kërkuar “më jepni një paragraf nëse ka ku ka një provë që është brenda një dosje që tregon se kryetari ka përfituar në mënyrë të paligjshme çfarë do qoftë”. Pyetja është “A ju duket normale që kjo një deputet apo ish deputet, por një kryetar bashkia të merret nga zyra dhe të dërgohet në burg sado që prokuroria ka dyshime? Normale ju duket” Si mund të quhet sulm ndaj SPAK dhe trysni ndaj Gjykatës kur ngre një problem kaq parimor që ka të bënë me kërkesën më legjitime në botë për një Kryeministër dhe për më tepër mua si udhëheqës i forcës që i ka dhënë jetë SPAK, përballë të gjitha armiqësive të mundshme, duke vënë aty në tavolinë ekzistencën e asaj qeverie, duke thënë ose votoni reformën sose rrëzoni qeverinë se nuk më intereson qeveria, e të mos bëjë unë një kërkesë të tillë për standardet demokratike, kërkesë më legjitime për standardet demokratike, jo për të ushtruar presion ndaj prokurorëve dhe gjykatësit. Kur thonë tironist “u njohëm i çik si shumë” për çfarë janë të zgjedhurit nga populli për të drejtuar vendin apo qytetin “mish për top janë këta” Për një pushtet që ndihet aq i plotfuqishëm sa të ndërprerë kontratën e një kryetari bashkie pa siguruar akoma të gjitha provat për ta bërë këtë me gjyq. Kush e mban përgjegjësinë? Sepse kryetari i Bashkisë nuk është i pandehur, është thjesht një person i dyshuar, kush do ti bëjë punët e bashkisë, apo gjykatësi. Prokurori mund edhe të çmendet, por peshën e mban gjykata.

Komentet e kreut të qeverisë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës kanë sjellë edhe reagimin e KLGJ-së, të cilët kërkuan që të mos bëheshin deklarata të tilla nga ‘njerëz të veshur me pushtet’ apo dhe media. Duke kujtuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, KLGJ kujtoi se rruga e vetme për të ndjekur ankesat është në shkallët e gjyqësorit.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. GJKKO vendosi ta lejë në burg kryebashkiakun e Tiranës pas një seance maratonë prej rreth 7 orësh një ditë më parë. Masa ndryshoi vetëm për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa e cila nga arrest shtëpie u la në detyrim paraqitje dy herë në muaj, si dhe i është marrë pasaporta. Pas kësaj faze, Veliaj pritet të bëjë ankimimin e vendimit dhe kërkojë ndryshimin e masës së arrestit. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI

Poll

MOS HUMB