TIRANË- Ka nisur me debate dhe një minutë heshtje seanca e sotme parlamentare, ku deputetët e opozitës kërkuan llogari për mungesën e masave të sigurisë në gjykata. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, kërkoi dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu, që ditën e vrasjes së gjyqtarit tha se policia nuk ka përgjegjësi për sigurinë në gjykata.
Në përgjigje të kërkesës së Gazment Bardhit për dorëheqjen e ministres së Brendshme, foli, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari i cili deklaroi se është e rëndë të bësh politikë mbi vrasjet. Lamallari akuzoi opozitën për përdorim të gjuhës së urrejtjes ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Ju duhet t’ju vijë turp,” tha ai.
“Të bësh politikë me vrasjen dhe me një rast tragjik, të bësh retorikë politike mbi një ngjarje të tillë, është e rëndë. Ende nuk janë bërë të shtatë [ditët e zisë]. Keni përgjegjësi për gjithë gjuhën denigruese që keni përdorur — nga daljet në ballkon, nga sharjet dhe telendisjet ndaj SPAK dhe ‘SKRAP’, çdo të hënë, nga ‘Altin Dumanit’ te ‘Altin Troplini’. Këto janë akuzat dhe gjuha e urrejtjes që keni nxitur ndaj gjyqësorit. Keni ndërsyer militantët. Mos bëj zhurmë — unë flas këtu si përfaqësues i institucioneve të drejtësisë. Nuk keni lënë prokuror pa sulmuar, keni anatemuar partnerët strategjikë, ambasadorin e SHBA-së, të BE-së, vetëm sepse mbështesin reformën në drejtësi. Dhe sot keni gojë të flisni? Çfarë është kjo? S’keni turp! Prandaj ju kanë lënë shqiptarët aty ku ju kanë lënë,” tha Lamallari.
Bardhi iu përgjigj ashpër Lamallarit, duke e quajtur atë “i pafytyrë”.
Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se Rregullorja e Kuvendit nuk parashikon mundësinë për të kërkuar dorëheqjen e një ministri ndërsa kërkoi largimin nga seanca të gazment Bardhit me arsyen se ka fyer Ministrin e Drejtësisë Lamallari.