TIRANË- Ka nisur me debate seanca e sotme parlamentare, ku deputetët e opozitës kërkuan një reagim të fortë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, si dhe dorëheqjen e ministrit të drejtësisë Besfort Lamallari, dhe asaj të brendshme Albana Koçiu.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, kërkoi reagimin e shtetit pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit teksa po jepte një vendim, ndërsa tha se minuta e heshtjes e mbajtur në Kuvend ishte një hipokrizi.
“As në Ekuador nuk ka ndodhur që të vritet gjykatësi në sallën e gjyqit. As mafia italiane nuk e ka bërë një gjë të tillë. Kjo gjë ka ndodhur në vendin tonë. Kjo vrasje hoqi edhe një herë iluzionin se në këtë vend ka shtet. Nëse nuk reflektojmë, ky vend do të shkojë në humnerë”, shtoi Topalli.
Gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri të hënën, më 6 tetor, teksa po jepte një vendim për çështje pronësie. Autori Elvis Shkambi u arrestua nga policia. Një javë më pas, në sallën e gjyqit, Shkambi i kërkoi falje publike familjes së gjykatësit dhe tha se e kreu vrasjen për shkak të dështimit të institucioneve për të dhënë drejtësi për çështjen e tij.