TIRANË- Kreu i Kuvendit Niko Peleshi e ka nisur seancën e sotme, me një kërkim ndjese, për përmendjen e Enver Hoxhës në listën e personaliteteve që kanë lindur në muajin Tetor. Në nisje të seancës plenare, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi kërkoi ndjesë për debatin e shkaktuar lidhur me nderimin e ish-diktatorit, Enver Hoxha.
Peleshi tha se teksti është nxjerrë pa interpretim nga fjalori enciklopedik i shkencave të Shqipërisë.
Ai theksoi se mënyra e prezantimit të këtij materiali ka krijuar perceptimin e gabuar dhe ka nxitur shqetësim, teksa nënvizoi se periudha e komunizmit nuk duhet të kujtohet në mënyrë të kujdesshme.
Peleshi: Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dua të shpreh keqardhjen edhe ndjesën për keqkuptimin dhe perceptimin e krijuar pavarësisht qëllimit të thjeshtë të këtij materiali, pa pasur parasysh të mbrojë apo të vlerësojë ndonjë figurë të veçantë, aq më tepër për Enver Hoxhën i cili është përmendur vetëm për shkak të vitit të lindjes.Teksti është nxjerrë pa interpretim nga fjalori enciklopedik i shkencave të Shqipërisë, por me sa rezultoi nga shërbimet përkatëse nuk është mbajtur siç duhet teksti. Mënyra e prezantimi të këtij materiali ka krijuar perceptimin e gabuar dhe ka nxitur shqetësim. Ajo periudhë nuk duhet kujtuar në mënyrë të kujdesshme.
Për kreun e PD-së Sali Berisha, ndjesa e kërkuar nga Peleshi ishte hipokrite dhe jo e ndjerë.
Berisha: Por ti e hape parlamentin me një apologji hipokrite. Enver Hoxhën e fute ti me urdhër të Edi Ramës në axhendë. Kryexhelatin e shqiptarëve, Hitlerin e shqiptaërve e futët ju. Nuk është gabim, nuk është aberracion i librarisë.
Ka një ligj ky parlament të vitit 1992, që ndalon dhe dënon propagandën komuniste për Enver Hoxhën. Ka rezolutë parlamenti. Nuk është punë biblioteke kjo. Rezolutat e parlamentit janë të detyruara.
Imagjinoni ju se çfarë do ndodhte po të futej Hitleri në Bundestag. Ju do thoni nuk ishte Enver Hoxha në përmasat e Hitlerit. Unë u them ju këtu se në prill të vitit 1991, samiti i EDU e ka vlerësuar në deklaratën e tij Enver Hoxhën si Hitleri i pasluftës. Ka disa anologjira, infanticidi mes të tjerash./ZËRI