Politikë

Berisha "i vetëm" për ditëlindje, del në konferencë: Kam kapur "majën". Nëse do kthehesha në kohë do ndryshoja këto gjëra

Duke qenë se është lënë në masën e sigurisë "arrest shtëpie" dhe nuk mund të presë vizita për festën e ditëlindjes, Berisha ka dalë në një konferencë për mediat. Edhe njëherë, konferencën e hapi duke përmendur se është më i motivuar se kurrë. 

k.m.
Berisha "i vetëm" për ditëlindje, del në
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha feston sot ditëlindjen e tij të 80-të. Ditën e nisi me një urim për veten e tij. Në faqen e tij zyrtare në Facebook, uroi veten duke shkruar se sot edhe pse 80 vjeç, është më i motivuar se kurrë. Po ashtu, shtoi se ditëlindja e gjen në "majën më të bukur të jetës" dhe në kulmin e mirënjohjes. 

"Kjo është maja më e bukur e jetës sepse shënon për mua kulmin e mirënjohjes më të pakufishme ndaj Zotit të Gjithëfuqishëm, familjes, miqve, bashkëpunëtorëve, mbështetësve të mi të cilët kanë qenë për mua, frymëzimi i pashtershëm dhe energjia, forca jetësore e këtij udhëtimi që nis sot udhën drejt majës tjetër edhe më të bukur, drejt Everestit të Fitores!,"-shkruan Berisha ndër të tjera.

Duke qenë se është lënë në masën e sigurisë "arrest shtëpie" dhe nuk mund të presë vizita për festën e ditëlindjes, Berisha ka dalë në një konferencë për mediat. Edhe njëherë, konferencën e hapi duke përmendur se është më i motivuar se kurrë. 

"Udhëtimi në 8 dekada dhe ngjitja në majën më të bukur të jetës sime, ngjall më shumë se çdo gjë tjetër mirënjohjen e pakufishme ndaj qindra mijëra, por edhe miliona shqiptarëve, që gjatë gjithë këtyre viteve, me mbështetjen e tyre, kanë qenë frymëzim i pashtershëm për mua. Vitet natyrshëm kanë peshën e tyre, por asgjë nuk i bën ato më të parëndësishme, më të lehta se sa motivimi i njeriut, frymëzimi i tij. Në këtë kuadër, unë dua t’u siguroj se mbështetja juaj ka qenë frymëzimi më i madh për mua. Nuk kisha ëndërruar ndonjëherë se kjo majë do të ishte aq e bukur për Sali Berishën, pavarësisht nga vështirësitë, ndërlikimet, por ne bëmë një betejë atëherë kur nuk e prisnin,"-tha Berisha ndër të tjera. 

Më pas, priti pyetje nga komentuesit e tij lidhur me aksionin e nisur nga opozita, por edhe premtimet që bën kryedemokrati duke parashtruar nismat e demokratëve nëse do të marrin pushtetin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Më gjatë u ndal tek pensionet, ku premtoi dyfishimin e tyre.  

"E kam theksuar dhe theksoj, akti i parë do jetë vendosja e minimumit jetik, i përllogaritur nga Avokati i Popullit, prej 200 eurosh. Do të jetë vendosja e rrogës minimale 500 euro. Do të jetë asnjë pension ndën minimumin jetik dhe dyfishim i pensioneve të tjera. Do të jetë synimi që të dalim përsëri në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet. Do të jetë heqja e menjëhershme e TVSH-së për të gjitha ushqimet. Nuk ka gjë më të dhimbshme kur kujton se një pensionist me 100-130 euro, u drejtohet dyqaneve dhe blen ushqime me çmime më të shtrenjta se italianët, gjermanët, francezët. Pra, kjo do marrë fund. Unë do isha i gatshëm të ndërprisja çdo punë publike dhe të ktheja paratë te qytetarët, por nuk ka nevojë në mënyrë absolute, ka nevojë të mos vidhet, të mos vidhet, të mos vidhet. Gërshërët e ligjit do presin duart e hajdutëve, cilido që të guxojë të prekë paratë publike,"-shtoi Berisha.

I pyetur se nëse fituesi i zgjedhjeve në Amerikë, do të ndikojë tek ato që do të zhvillohen pas pak muajsh në Shqipëri, Berisha u shpreh se preferonte që të mos komentonte.

"Lidhur me zgjedhjet në SHBA, PD nuk ndërhyn në zgjedhje, por anëtarët dhe mbështetësit e saj kudo që janë, e dinë se PD është e afiluar në bashkimin ndërkombëtar demokrat me Partinë Republikane, e cila faktikisht e kryeson këtë union. Ndaj dhe ata e kanë të qartë që mund të votojnë për kë të duan, por nëse kanë për bazë partinë, votojnë për Partinë Republikane, kandidatët e saj. Unë kam besim, pavarësisht se kush do jetë pas zgjedhjeve në Shtëpinë e Bardhë, nuk besoj kurrë se do të pranojë të trashëgojë akte të mafies shqiptaro-amerikane, të cilat janë në çdo aspekt të turpshme,"-shtoi kryedemokrati.

Por në 80 vite jetë, ka edhe pengje. Kështu që edhe Berisha i ka zbuluar gjërat që i kanë mbetur "peng" gjatë karrierës së tij politike. 

Nëse do të kishit mundësi që të ktheheshit në kohë cilat do ishin 3 gjërat që do ndryshonit?

"Ligji 7501 nuk do të ishte ky qëështë. Piramidat nuk do të ndodhnin kurrë. Nëse do kthehesha në kohë...nëse do të kthehesha në kohë...se më pyet me 3 por mund të jenë 30. Shumë gjëra ka por këto të dyja mund të jenë më kryesore që i kam...peng!,"-e mbylli fjalën e tij Berisha./ZËRI

Poll

MOS HUMB