
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka lajmëruar sot një konferencë me gazetarët. Edhe kjo, si të gjitha të tjerat pararendëse do të mbahet teksa Berisha ndodhet në "arrest shtëpie". Sot, në orën 13.00, Berisha pritet që të bëjë një analizë të protestës së djeshme të opozitës. E po ashtu, të zbulojë se cilat janë hapat e radhës së opozitës, nëse do të vazhdojnë protestat, apo do të zgjedhin forma të tjera të asaj që e cilësojnë si "mosbindje civile".
NJOFTIM PËR SHTYP
Në ora 13:00, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvillon konferencë shtypi me gazetarët salla “Pjetër Arbnori”,selia PD. Link për media do të dërgohet pak para fillimit të konferencës.
ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE
Dje, opozita protestoi për më pak se 4 orë në rrugët e Tiranës. Nga molotovët e hedhur nga protestuesit u dogj Kryeministria, selia e Partisë Socialiste, Ministria e Brendshme dhe Bashkia e Tiranës. Pas protestës së opozitës në Tiranë, ku u hodhën flakadanë e bomba molotov, janë proceduar penalisht, sekretar i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kreu i Grupit, Gazment Bardhi dhe sekretari organizativ, Ervin Minarolli. Zyrtarët e PD-së u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”./ZËRI