
BRUKSEL- Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka pranuar kërkesën e Fredi Belerit për të shqyrtuar parregullsitë gjatë arrestimit dhe paraburgimit të tij. Lajmin e ka bërë me dije media greke, "Kathimerini".
"GJEDNJ-ja cakton datën 26 qershor si datën përfundimtare që eurodeputeti i NeoDemokracia, Fredi Beleri dhe qeveria shqiptare të arrijnë një zgjidhje jashtëgjyqësore. Nëse nuk arrihet, të dyja palët do të ftohen të paraqesin argumentet e tyre para gjykatës."
Në fazën e vendimit paraprak të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përqindja dërrmuese e kërkesave të ngjashme refuzohet.
Pas vendimit, Beleri tha: Vendimi paraprak i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është shfajësimi im i parë. Shfajësim, më në fund, për ata që vazhdojnë të luftojnë për shtetin e së drejtës dhe institucionet në anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Falenderoj avokatin tim, profesor z. Nikos Alivizato, i cili me ekipin e tij trajtoi rastin tim.
Fredi Beleri u dënua me 2 vite burgim për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet e 14 Majit 2023 në Himarë, teksa sipas dy shkallëve të GJKKO u provua se pagoi 400 euro për 8 vota.
Ai u arrestua më 12 maj 2023, por edhe pse nga qelia, arriti të fitojë zgjedhjet e 14 Majit. Por nuk u betua si kryebashkiak i Himarës pasi KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e tij. Edhe pse kurrë nuk u lejua të betohej si kryebashkiak, Atij iu dha leje nga drejtoria e Burgjeve që të bënte betimin si eurodeputet në Parlamentin Europian, si përfaqësues i Greqisë. Pas daljes nga burgu, Beleri e paralajmëroi se çështja e tij do të përfundonte në Gjykatën Evropiane e të Drejtave të Njeriut. /ZËRI