TIRANË- Përçarja vijon të theksohet brenda opozitës! Melisa Doda e PDIU doli si deputete e pavarur, duke mos u përfshirë në asnjë grup parlamentar të opozitës. Nën siglën e PD-së, Mesila Doda garoi në listën e mbyllur të Tiranës, duke fituar automatikisht vendin si deputete, pasi Hysen Kadiu më i votuari nga primaret la garë në mes.
Pas vendimit të Dodës për të mos qenë pjesë e grupit parlamentar të PD-së, një reagim ka ardhur edhe nga, kandidati që doli i pari në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës me 913 vota, por që u la jashtë listës së mbyllur nga kryedemokrati Sali Berisha.
Sipas tij, ky veprim nuk është i papritur, pasi Doda ka bërë të njëjtin akt edhe në parlamentin e shkuar, duke votuar sipas interesit të saj dhe të qeverisë, por jo në krah të demokratëve. Kadiu arsyeton se problemi nuk është Doda apo Shpëtim Idrizi, i cili po ashtu u vendos në listë të mbyllur nga Berisha por besimi i pamerituar dhe pozicionimi i tyre në lista të sigurta. Kryetar i degës së PD në Kavajë, thotë se duke e vendosur Melisa Dodën në listën e sigurt, nga ana tjetër privuan demokratët të cilët e meritonin për të përfaqësuar të vërtetën në Parlament.
"PD ka sot një deputet më pak nga ata që u zgjodhën më 11 maj. Mesila Doda ka vendosur të vetëshpallet deputete e pavarur edhe pse ishte në listën e sigurt të PD. Nuk ka asnjë surprizë nga ky veprim. Ajo dhe Shpëtim Idrizi kanë bërë të njëjtin akt edhe në parlamentin e shkuar. Kanë votuar sipas interesit të tyre dhe të qeverisë dhe asnjëherë nuk janë rreshtuar në front me demokratët. Ndoshta po t’u jepet mundësia do e bëjnë të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e ardhshme. Sepse problemi nuk është Mesila, Shpëtimi apo modeli i tyre në politikë. Problemi qëndron tek besimi i pamerituar, tek vlerësimi dhe pozicionimi i tyre në lista të sigurta, duke privuar nga kjo e drejtë ata demokratë që e meritojnë dhe kanë luftuar për të përfaqësuar të vërtetën dhe jo hilet në parlament." - shkruan Kadiu.
Melisa Doda u deklarua e pavarur në Kuvend, duke mos qenë pjesë e asnjë grupi parlamentar të opozitës. Doda deklaron se do të vazhdojë të mbajë kauzat e opozitës, megjithatë ajo shprehet kundër ndarjes në 3 grupe parlamentare. Sipas saj, nuk ka një grup të përbashkët opozitar siç ishte në zgjedhje, ndërsa thekson se nuk është konsultuar për konfigurimet e grupeve që janë krijuar./ZËRI
