
TIRANË- Kuvendi mbajti një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të profesorit Sami Repishti, akt ky i propozuar nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha. Profesor Sami Repishti lindi në Shkodër në vitin 1925 dhe ndërroi jetë në moshën 99-vjeccare, të mërkurën më 27 nëntor 2024. Repishti, për 14 muaj iu nënshtrua torturave nga Sigurimi i Shtetit.
"Këto ditë është ndarë nga jeta një kolos i mendimit intelektual shqiptar, një avokat i pamposhtur i çështjes kombëtare, një luftëtar i paepur kundër diktaturës komuniste, një martir i gjallë që përjetoi në vitet e para të diktaturës barbaritë dhe torturat më çnjerëzore, profesor Sami Repishti. Profesor Sami Repishti ishte ndër më të shquarit shqiptarë në diasporën dhe emigracionin tonë. Fjala dhe penda e tij nuk rreshti kurrë së mbrojturi çështjen kombëtare dhe interesin kombëtar. Ai, një antikomunist i vendosur, i dëshmoi me shkrimet e tij mbarë botës, fytyrën e vërtetë të regjimit të Hitlerit shqiptar të pasluftës, Enver Hoxhës. Por, dha një kontribut dhe fjala e tij u dëgjua në të gjitha instancat e shtetit amerikan për të drejtat e shqiptarëve të pushtuar në Kosovë. Për të gjitha këto, unë ftoj parlamentin ta nderojmë këtë burrë të shquar të kombit shqiptar me një minutë heshtje", tha Berisha. /ZËRI