Politikë

Nesër vuloset shkarkimi! 'Dua të dëgjohem, se vendosni ju'- Veliaj 'hidh e prit' me Këshilin Bashkiak: Na shkruaj!

Kryebashkiaku ka kërkuar që para se të merret vendimi për shkarkimin e tij, të dëgjohet në mbledhje, por ende nuk dihet nëse do të lejohet.

F.I
Nesër vuloset shkarkimi! 'Dua të dëgjohem, se vendosni
Erion Veliaj

TIRANË-Nesër vuloset shkarkimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj! Në takimin e radhës anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak pritet të bëjnë kërkesën për shkarkimin e Veliajt me arsyetimin se ka munguar për më shumë se 3 muaj në krye të detyrës, duke ju referuar pikës c, neni 62 të ligjit “për vetëqeverisjen vendore”. Por në prag të mbledhjes nuk kanë munguar replikat mes Erion Veliaj dhe Këshilit Bashkiak.

Kryebashkiaku ka kërkuar që para se të merret vendimi për shkarkimin e tij, të dëgjohet në mbledhje, por ende nuk dihet nëse do të lejohet. Që Veliaj të marrë pjesë, më parë duhet një autorizim nga Prokuroria e Posaçme SPAK. Kreu i Bashkisë në kërkesën drejtuar Këshillit Bashkiak, sqaron se mungesa për mbi 6 muaj nuk është pasojë e vullnetit të tij, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale, për të cilën shprehet se do ta kundërshtojë në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. 

Teksa ende nuk ka një vendim nga SPAK nëse do të lejohet prania e Veliajt në mbledhje, Këshilli Bashkiak i është përgjigjur kërkesës së Veliajt, ku thuhet se në rast të pamundësisë për të qenë prezent fizikisht, qëndrimet e tij mund ti dorëzojë me shkrim.

“I nderuar Kryetar, Në vijim të kërkesës suaj për t’u njohur, dëgjuar, mbrojtur dhe për të dhënë sqarime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ju informojmë se mbledhja do të zhvillohet ditën e martë, më datë 23.09.2025, ora 16:00. Në rast se nuk do të jeni i pranishëm fizikisht në mbledhje, ju lutemi që observacionet tuaja t’i dorëzoni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije gjatë mbledhjes”, thuhet në shkresën e firmosur nga sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Behar Zeneli.

Por sërish ka patur një replikë nga qelia, ku Veliaj i përgjigjet Zenelit, se ende s’është njoftuar zyrtarisht mbi rendin e mbledhjes së nesërme, duke theksuar se Sekretari i Këshillit nuk mund të vendosë se si ai do ta bëjë komunikimin në mbledhje. Kryebashkiaku kërkon të votohet për praninë ose jo të tij në Këshill.

"Në datën 22 shtator 2025, Sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës ka bërë publik një njoftim (nuk ka një njoftim zyrtarë) mbi thirrjen e një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak, të planifikuar për datën 23 shtator, ora 16:00. Ky njoftim nuk përmban asnjë vendimmarrje të vetë Këshillit Bashkiak lidhur me garantimin e të drejtës kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë për t’u dëgjuar, mbrojtur dhe shprehur qëndrimin e tij, siç parashikohet në çdo proces serioz e të drejtë që mund të çojë në një vendim për ndërprerje mandati kushtetues. Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë tagër ligjor për të marrë vendime në emër të Këshillit, dhe aq më pak për të interpretuar mënyrën se si Kryetari i Bashkisë duhet të ushtrojë të drejtën e tij për mbrojtje. Funksioni i Sekretarit është thjesht administrativ, jo politik dhe jo vendimmarrës.

Edhe një ditë para mbledhjes:

• Kryetari i Bashkisë nuk është informuar zyrtarisht për qëllimin e mbledhjes;

• Nuk është dërguar rendi i ditës;

• Nuk janë bërë të ditura shkaqet apo materialet mbi të cilat pretendohet shkarkimi;

• Nuk është garantuar e drejta për t’u dëgjuar e mbrojtur.

Kujtojmë se Kryetari i Bashkisë ndodhet në kushtet e paraburgimit, përmes një mase sigurimi joproporcionale, gjë që kufizon ndjeshëm aftësinë e tij për të qenë prezent me vullneti apo për të ndjekur në mënyrë efektive një proces që mund të prekë statusin e tij si i zgjedhur me votë nga qytetarët e Tiranës. Kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj, mbetet në pritje të një vendimmarrjeje të qartë dhe të dokumentuar nga Këshilli Bashkiak, që garanton në mënyrë të plotë të drejtën e tij për të ushtruar mbrojtjen dhe për të qenë i dëgjuar, siç i takon çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, aq më tepër një të zgjedhuri në mënyrë demokratike."

Si do të bëhet shkarkimi i Veliajt?

Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Pika e fundit pritet që të jetë ajo që do të përdoret nga Këshilli Bashkiak për shkarkimin e Veliajt, që sërish do të duhet të çohet në kryeministri. Rama më pas duhet t’i propozojë presidentit mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ky proces mund të zgjasë deri në 45 ditë.

Sa i përket vendimmarrjes për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut, do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej. Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin. Nëse Këshilli e Shkarkon dhe kryeministri Rama e firmos, ai ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Sipas ligjit, në rast se Veliaj e kundërshton Ramën pranë kësaj gjykate, procesi duhet të pezullohet dhe zgjedhjet për zëvendësimin e tij, të mos zhvillohen.

Kujtojmë se në Asamblenë e PS-së, rreth një javë më parë, kryeministri Rama kërkoi nga Këshilli Bashkiak nisjen e procedurës për largimin e Veliajt, duke bërë të ditur se Ogerta Manastirliu do të jetë kandidatja e socialistëve në zgjedhjet e parakohshme për bashkinë e metropolit shqiptar.

Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti. Kryebashkiaku së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll

MOS HUMB