TIRANË- Deputeti demokrat, Edmond Spaho ka reaguar ndaj deklaratës së Ilir Alimehmetit, i cili në një intervistë të undit u shpreh pro riformatimit të Partisë Demokratike. Përmes një postimi në rrjete sociale, Spaho, shprehet se PD ka nevojë thjesht të organizohet, pasi sipas tij, prej 10 vitesh i mungon ky proces.
Spaho thekson se Partia Demokratike ka nevojë për garë të ndershme brenda saj, ndërsa është kundër hapjes së partisë për figurat e reja, duke nënvizuar se ky është një refren që përsëritet çdo katër vjet kur humbin zgjedhjet.
Më tej, Spaho akuzon strukturat drejtuese organizative në PD teksa bën një krahasim me vitin '92 ku kryetarët e degës ishin me shkollë të lartë, ndërsa sot ata nuk kanë as arsimin 8-vjeçar. Spaho shton gjithashtu se nuk mund të ketë organizim në parti ndërsa në krye vendoset ‘mjeshtri i ç’organizimit’.
Reagimi i plotë i Spahos:
I dashur Ilir!
Nuk e kuptoj këtë termin riformatim. Çfarë do të thotë? Duket si tjetërsim, apo modernizim përtej asaj që mund të bëjmë.
Njerëzve të thjeshtë u krijohet përshtypja sikur kush e di se çfarë do të ndodhë. Do shpikim rrotën.
Sipas meje, PD ka nevojë thjesht të organizohet, sepse prej rreth 10 vitesh vetëm është ç’organizuar.
Sot në degë nuk kemi struktura, nuk kemi drejtues dhe kemi pak anëtarë. Ngopemi me lugë bosh.
Është për të ardhur keq, por nëse në vitin 1992 çdo kryetar seksioni ishte me shkollë të lartë, sot një pjesë nuk i kemi as me arsim 8-vjeçar. Me këta përpiqemi t’i bindim qytetarët se jemi alternativë dhe duhet të na votojnë ne.
Gjithçka në degë është vullnetare dhe pa financim, sikurse nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e kësaj partie, madje as në vitet më të vështira të saj.
Nuk mund të ketë organizim kur në krye të punëve vendos mjeshtrin e ç’organizimit. Ky quhet ç’organizim i organizuar.
Së dyti, nuk kuptoj këtë hapjen. PD ka që nga viti 1997 që është shqyer duke u hapur. Kaq shumë jemi hapur prej vitesh sa na dhembin këmbët. PD nuk ka nevojë as për hapje e as për mbyllje, refren të cilin e dëgjojmë çdo katër vjet kur humbim zgjedhjet.
Ilir, PD ka nevojë vetëm për një gjë: për garë të ndershme zgjedhore brenda saj, të pa manipuluar dhe të pa paracaktuar.
Kur të arrihet kjo, njerëzit do të afrohen në PD dhe ajo do të bëhet e aftë të konkurrojë PS-në dhe të fitojë ndaj Edi Ramës.
Në një intervistë të fundit, Alimehmeti shpjegon se përtej betejës për të treguar të vërtetën për farsën zgjedhore të 11 majit, PD ka dy sfida, e para beteja në parlament dhe e dyta beteja për të bërë PD parti fituese. Sipas tij për ta bërë parti fituese duhet së pari PD të hapet e të riorganizohet.
Ndërkohë edhe më herët kur Alimehmeti është pyetur nëse do të përfshihej në një garë të mundshme për kryetarin e Partisë Demokratike, ai nuk e mohoi këtë. Mjeku i njohur mbeti jashtë Parlamentit të ardhshëm, pasi nga lista e hapur PD siguroi vetëm 1 mandat në Tiranë, duke i kaluar Jorida Tabakut me 20 565 vota./ZËRI