Politikë

“Përfshirja e Kurum u tentua të mbyllej”, Klodiana Lala: Prokuroria e Durrësit po heton për 2 vepra penale

Sipas gazetares, organi i akuzës po heton rastin për dy vepra penale.

k.m.
“Përfshirja e Kurum u tentua të mbyllej”, Klodiana Lala:
Klodiana Lala

TIRANË- Shqipëria ka për detyrim që të marrë mbetjet toksike që po kthehen mbrapsht nga Tajlanda, gjithmonë nëse provohet se ato kanë dalë nga KURUM në Elbasan. Gazetarja Klodiana Lala u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” se përfshirja e kompanisë “Kurum” në trafikun e mbetjeve të rrezikshme u tentua të mbyllej, por ishte ndërhyrja e OLAF, Zyra Evropiane kundër Mashtrimit, ajo që e ndaloi. Ndërkohë, paralelisht, hetimet i ka nisur edhe Prokuroria e Durrësit. Sipas gazetares, organi i akuzës po heton rastin për dy vepra penale.

“Ka dy vepra penale. Një për “shpërdorim detyre” për zyrtarët hallkat institucionale për kompaninë “Kurum” dhe “Sokolaj” sepse historia nuk përfundon kur licensohet, por si asgjësohen edhe mbetjet e rrezikshme. Më pas është vepra për “kontrabandën e lëndëve të rrezikshme” për kompanitë. Këtu kemi një problematikë tjetër. Prokuroria duhet kë kërkojë informacion nga Tajlanda se ku do të shkonte kjo ngarkesë, a kishte kompania aftësi për t’i asgjësuar. Duhet bërë hetimi i kompanisë kroate që bëri analizat. Prokuroria shqiptare ka marrë mostrat pranë kompanisë “Kurum” dhe “Sokolaj” dhe i kanë dërguar pranë laboratorëve të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore nëse janë këto mbetje apo të tjera dhe kjo është e paqartë. Kur konteinerët të mbërrijnë në Shqipëri do të bëjnë analizat nëse janë këto, apo janë të tjera lëndë.

Duke qenë OLAF në lojë, prokurorët shqiptarë janë të rezervuar. OLAF është zyra evropiane kundër mashtrimit. Nuk do të deklarohej se ishte Kurumi në lojë, po të mos ishte OLAF-i. Kjo çështje nis në Kurum dhe përfundon në Tajlandë. Është kompania që ka bërë asgjësimin, pastaj transportin. MAERSK tha se nuk do të kishte bërë transportin nëse do ta dinte se ishin mbetje të rrezikshme dhe për këtë arsye po i kthej,”-tha në fjalën e saj, Lala.

Udhëtimi i kontejnerëve të dyshuar ka vënë alarmin në shumë vende që kur u ngarkuan në portin shqiptar të Durrësit në korrik. Tajlanda refuzoi të pranonte dërgesën pasi u njoftua për përmbajtjen e saj të rrezikshme nga grupet mjedisore. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.

Autoritetet tajlandeze dhe rrjeti i Bazelit kanë konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria nuk ka autorizuar zyrtarisht eksport mbetjesh. Ndërkohë çështja është në hetim nga Prokuroria e Durrësit, që po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga "Kurum-i" për t'i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët./ZËRI

Poll

MOS HUMB