Politikë

"Po cënoni pavarësinë e gjyqtarëve"! Rama “flakë për flakë” me KLGJ: Mos gjykoni si e bëj un punën, shqetësohuni për drejtësinë

Konkretisht kritikat e kreut të qeverisë ndaj disa gjyqtarëve kanë nxitur një përplasje publike mes vetë Ramës dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.

F.I
"Po cënoni pavarësinë e gjyqtarëve"! Rama
Edi Rama

TIRANË-Aksioni për lirimin e hapësirave publike është kthyer në një 'mollë' sherri mes kryeministrit Edi Rama dhe institucioneve të drejtësisë. Konkretisht kritikat e kreut të qeverisë ndaj disa gjyqtarëve kanë nxitur një përplasje publike mes vetë Ramës dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. KLGJ i quajti ato ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit kritikat e Ramës dhe cënim të punës dhe figurës së gjyqtarëve, ndërsa Rama në kundërpërgjigje deklaroi se shqetësim duhet të jetë cilësia e drejtësisë dhe të garantohet që vendimet nuk kalojnë pa u analizuar. 

Por çfarë ka ndodhur- replikat në distancë

Rama ka ngritur akuza kundrejt, prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, gjyqtarit Hazbi Balliu, gjyqatrit Klarent Demiri dhe një ditë më parë shënjestroi edhe gjyqtarin, Ligoraq Toshi. Kryesisht kreu i qeverisë i ka akuzuar ata se nuk kanë lejuar prishjen e ndërtesave pa leje, apo favorizim ndaj tyre. Pas këtyre deklaratave të një pas njëshme një reagim publik erdhi sot nga Këshillit i Lartë Gjyqësor. 

KLGJ thotë se deklarata të tilla cënojnë figurën e gjyqtarëve dhe minojnë pavarësinë e gjyqësorit, ndërsa apelon që për çdo pretendim në lidhje me vendimet gjyqësore, të bëhet ankim në një gjykatë më të lartë. KLGJ nënvizon se gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit dhe ushtrimi i funksioneve të tyre duhet të mbetet i pavarur, i lirë nga çdo ndikim i jashtëm, duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. 

Deklarata e Këshillit të Lartë Gjyqësor:

Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke marrë shkas nga deklaratat e fundit të subjekteve publike apo private, rithekson edhe njëherë se deklarata të tilla cënojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit. Për rrjedhojë, ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi, duke ju nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Në një shtet të së drejtës, ndarja dhe balancimi i pushteteve përbën parim themelor dhe gjyqtari ushtron funksionet në mënyrë të pavarur, duke vlerësuar faktet dhe interpretuar ligjin, i lirë nga çdo ndikim i jashtëm.

Këshilli ju bën thirrje gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës. E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse.

KLGJ në përputhje me kompetencat kushtetuese, shpreh mbështetjen e plotë ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe përpjekjeve të tyre të përditshme në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve dhe në shërbim të interesit publik. Po ashtu i inkurajon ata të ushtrojnë funksionin e tyre, në mënyrë të përgjegjshme dhe të pavarur nga çdo ndikim i jashtëm.

Në një shtet të së drejtës – i cili sot është më pranë se kurrë aspiratës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian – vetëm përmes një sistemi gjyqësor të pavarur mund të sigurohet barazia para ligjit dhe një drejtësi efektive, e cila meriton besimin e publikut.

Nuk vonoi shumë dhe Edi Rama iu kundërpërgjigj duke thënë se roli i KLGJ është të jetë garant për një drejtësi në favor të qytetarëve. Kreu i qeverisë kritikoi edhe qëndrimin e KLGJ duke theksuar se 'për të kundërshtuar vendimet e gjykatave, duhet të ndiqen rrugët ligjore”.

Reagimi i Edi Ramës:

Lexova reagimin e KLGJ, organi më i lartë i vetëqeverisjes së gjyqësorit, lidhur me çka unë kam ndarë me publikun për disa vendime skandalozisht brutale në mbrojtje të zaptuesve të hapësirës publike dhe në dëm të rendit ligjor, interesit publik si edhe komuniteteve të cënuara drejtëpërdrejt nga këto vendime. KLGJ i ka rënë shumë gjatë, duke harruar se roli i saj themelor është të shqetësohet për cilësinë e drejtësisë, si edhe të garantojë publikun se vendimet që merren nga gjykatësit në dëm të tij, nuk kalojnë pa u analizuar dhe gjykatësit nuk janë maliqër që bëjnë ç’të duan me ligjin në emër të pavarësisë.

KLGJ ka harruar gjithashtu se si instanca më e lartë e vetëqeverisjes së gjyqësorit, ka jo vetëm të drejtën po edhe detyrën të marrë seriozisht shqetësimet e palëve të cënuara nga vendime qorre të gjykatësve, të cilat në këtë rast janë të ububushme për nga mungesa e ndjeshmërisë ndaj interesit publik. KLGJ ka harruar edhe të tjera gjëra më shumë rëndësi, por të paktën ka thënë një të vërtetë që më gjen shumë dakord, duke nënvizuar se “çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse”, gjë për të cilën e kam informuar në çdonjërin nga rastet publikun, se do të bëjmë duke iu drejtuar pikërisht KLGJ dhe ILD si “institucionet përkatëse”.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama, akuzoi gjyqtarin Ligoraq Toshi se nuk ka lejuar prishjen e një ndërtese pa leje me kupolë xhami, që ka bllokuar hapësirën mes dy pallateve në Tiranë. Rama deklaroi se ai i bashkohet emrave të tjerë që ka kritikuar më herët Elsa Gjelit, Hazbi Balliut dhe Klarent Demiri, të cilët ministria e Drejtësisë do t’i përcjellë në organet e kontrollit dhe të vetëqeverisjes së gjyqësorit.

Rasti i Klarent Demirit

Kreu i qeverisë kritikoi gjyqtarin Klarent Demiri se ka penguar ekzekutimin e vendimit për çlirimin e një hapësirë publike të zaptuar nga një lokal në kryeqytet, të cilin e ka ndarë edhe me foto. Rama shprehet se vendimi i Demirit ka rënë ndesh me interesin publik dhe zbatimin e programit të qeverisë për Shqipërinë 2030 në BE. Kreu i qeverisë ka paralajmëruar se edhe për rastin e këtij gjyqtari do tu drejtohet organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit.

Rasti i gjyqtarit Hazbi Balliu

Kryeministri Edi Rama denoncoi rastin e një pallati pa leje në mes të Tiranës, i konfiskuar nga shteti dhe vendosur në përdorim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, por që sipas vendimit të gjyqtarit Balliu, konsiderohet si pronë e ligjshme e ndërtuesve. Balliu e kishte kaluar në favor të një ndërtuesi të paligjshëm. Në lidhje me rastin vetë gjyqtari Hazbi Balliu tha se ndryshe nga sa pretendonte kryeministri, vendimi i tij nuk hiqte konfiskimin mbi godinën, por pezullonte tjetërsimin e saj.

Rasti i prokurores Elsa Gjeli

Ishte vetë kryeministri Edi Rama, ai që denoncoi një vendim të prokurores për një ndërtim në Theth. Rasti në fjalë lidhet me vendosjen e bujtinave "Eagle Hill" pa leje në zonën e mbrojtur të fashtit turistik. Bujtinat zotërohej nga Prekë Kodra, një personazh i dyshuar për një sërë veprash penale; i shpallur aktualisht në kërkim nga SPAK. Rama tha se rasti, nuk është ndjekur penalisht nga prokuroria e Shkodrës. Kjo e fundit sqaroi se nuk mund të niste ndjekjen penale për këtë rast, pasi strukturat e vendosura ishin të lëvizshme e si të tilla nuk ka parashikime ligjore për ndjekje penale.

Vetë prokurorja Elsa Gjeli u shpreh se nga deklaratat që ka bërë kryeministri i është cënuar dinjiteti dhe pavarësia profesionale. Gjeli kërkoi që KLP të analizojë sjelljen e kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve. Ajo u shpreh e gatshme të hetohet para të gjithë organeve të drejtësisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB