TIRANË-Pas prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli dhe gjyqtarit, Hazbi Balliu, një tjetër figurë e institucioneve të drejtësisë është kritikuar nga kryeministri Edi Rama. Kësaj radhe reagimi është për gjyqtarin Klarent Demiri, të cilin kryeministri e akuzon se ka penguar ekzekutimin e vendimit për çlirimin e një hapësirë publike të zaptuar nga një lokal në kryeqytet, të cilin e ka ndarë edhe me foto.
Rama shprehet se vendimi i Demirit ka rënë ndesh me interesin publik dhe zbatimin e programit të qeverisë për Shqipërinë 2030 në BE. Kreu i qeverisë ka paralajmëruar se edhe për rastin e këtij gjyqtari do tu drejtohet organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit.
Edi Rama: Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”? Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE
Një gjë është pak po e sigurtë: Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut. Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokurore Gjelin dhe për gjykatës Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre.
Por ky nuk është rasti i parë që Rama kritikon dhe përplaset me institucionet e larta, për prokurorë e gjyqtarë gjatë aksionit të ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike.
Rasti i gjyqtarit Hazbi Balliu
Kryeministri Edi Rama denoncoi rastin e një pallati pa leje në mes të Tiranës, i konfiskuar nga shteti dhe vendosur në përdorim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, por që sipas vendimit të gjyqtarit Balliu, konsiderohet si pronë e ligjshme e ndërtuesve. Balliu e kishte kaluar në favor të një ndërtuesi të paligjshëm. Në lidhje me rastin vetë gjyqtari Hazbi Balliu tha se ndryshe nga sa pretendonte kryeministri, vendimi i tij nuk hiqte konfiskimin mbi godinën, por pezullonte tjetërsimin e saj.
Rasti i prokurores Elsa Gjeli
shte vetë kryeministri Edi Rama, ai që denoncoi një vendim të prokurores për një ndërtim në Theth. Rasti në fjalë lidhet me vendosjen e bujtinave "Eagle Hill" pa leje në zonën e mbrojtur të fashtit turistik. Bujtinat zotërohej nga Prekë Kodra, një personazh i dyshuar për një sërë veprash penale; i shpallur aktualisht në kërkim nga SPAK. Rama tha se rasti, nuk është ndjekur penalisht nga prokuroria e Shkodrës. Kjo e fundit sqaroi se nuk mund të niste ndjekjen penale për këtë rast, pasi strukturat e vendosura ishin të lëvizshme e si të tilla nuk ka parashikime ligjore për ndjekje penale.
Vetë prokurorja Elsa Gjeli u shpreh se nga deklaratat që ka bërë kryeministri i është cënuar dinjiteti dhe pavarësia profesionale. Gjeli kërkoi që KLP të analizojë sjelljen e kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve. Ajo u shpreh e gatshme të hetohet para të gjithë organeve të drejtësisë.




