
TIRANË- Protesta e opozitës mbajtur njëkohësisht me Samitin e Komunitetit Politik Evropian, nuk ka kaluar pa incidente, por këtë herë deputetët e PD janë përplasur me gazetarët.
Konkretisht deputeti Flamur Noka dhe disa mbështetës pranë tij, janë kapur me gazetarin e TopChannel, duke i kërkuar të largohet, ku ofendimet ndaj tij nuk kanë munguar. Gazetari Bekim Bici, teksa po raportonte mes protestuesve, ai është shtyrë dhe i kanë vendosur pankartat para fytyrës duke ia vështirësuar punën.
Po ashtu edhe deputeti Edi Paloka dhe mbështetësit e tij kanë fyer gazetaren e Euronews, Sara Demushi. Paloka nuk e ka lejuar të raportojë, duke i kërkuar të ikë dhe të mos transmetojë.
Paloka: Ke yllin e Edi Ramës.
Gazetarja: Jo nuk është ylli i Edi Ramës, është badge....
Edhe Klevis Balliu ka akuzuar gazetarët që po mbulojnë protestën e Partisë Demokratike se “kanë prekur protestuesit”, gjatë tubimit te bulevardi “Zogu I”. Me tone të larta, Balliu është përfshirë në një debat me një prej gazetareve si dhe me disa kameramanë që ndodheshin aty pranë./ZËRI