TIRANË- Kryeministri Edi Rama e ka nisur me protestën e mbështetësve të Erion Veliaj para SPAK fjalën e tij në Sheshin “Skënderbej”. Në nisje të takimit me punonjësit e Bashkisë së Tiranës, Rama tha se protesta ishte një gabim, edhe pse i pafajshëm, por theksoi se nuk duhet të ndodhë më. Por shtoi se edhe ai, ndjehej njëjtë si ata për arrestimin e kryebashkiakut Veliaj.
Rama: Të dashur punonjës të Bashkisë së Tiranës, e kërkova këtë mbledhje me të gjithë ju sepse gjatë këtyre ditëve kam parë mes jush por edhe mes shumë të tjerësh njerëz të prekur dhe të lënduar. Disa nga ju shkuan edhe tek Gjykata Speciale për të protestuar, nuk dua t'i gjykoj keq. Përkundrazi e mirëkuptoj emocionin e tyre, por ishte një gabim që sado i pafajshëm nuk duhet të përsëritet më. As nga ju, as nga askush që punon për shtetin shqiptar. Unë nuk mendoj ndryshe sa i takon ndërprerjes pa gjyq të kontratës me qytetarët e kryeqytetit, i cili mbahet sonte në burg, me statusin e të dyshuarit, por ende jo me atë të pandehurit, e lë më atë të fajtorit.