TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në homazhet në nderim të gjyqtarit të vrarë të Apelit, Astrit Kalaja. Rama u bë pjesë e homazheve së bashku me ministrin e drejtësisë Besfort Lamallari, ndërsa nuk pranoi të bënte asnjë koment për mediat, që ishin të pranishme në hyrje të Pallatit të Kongreseve.
Homazhet në nderim të gjyqtarit Kalaja, kanë nisur paraditen e sotme në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ndërsa të pranishëm kanë qenë krerët më të lartë të shtetit, dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.
Gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit ditën e hënë, pasi po jepte një vendim për një çështje pronësie. Për ngjarjen u arrestua Elvis Shkambi, 30 vjeç, i cili ishte pjesë në proces. Ai gjithashtu plagosi Rakip dhe Elvis Kurtajn, palë kundërshtare në proces.
Policia arrestoi edhe xhaxhain e Elvisit, Gjon Shkambin, i cili ishte i pranishëm në sallë kur ndodhi vrasja. Gjithashtu u arrestua edhe roja i sigurisë në Gjykatën e Apelit, Banush Koxhaj, i cili akuzohet se ka lejuar Shkambin të futet në gjykatë me armë, pa i kryer kontrollet e duhura./ZËRI