Olsian Çela kundër Kodit të ri Penal: Po mirë mo, si paskemi jetuar në paligjshmëri, ku do ikim?
TIRANË-Kryeprokurori Olsian Çela kritikoi ashpër Kodin e ri Penal në Komisionin e Ligjeve. Çela theksuar se teknika e përdorur për hartimin e Kodit nuk është në lartësinë e duhur. Sipas tij drafti nuk ka një analizë dhe nuk paraqet asnjë reflektim të nevojave të shoqërisë.
Olsian Çela: Për Kodin Penal unë kam mbajtur një qëndrim që është parimor. Nuk dua të hyj në detaje, por si jurist, praktikues i ligjit dhe pozicionit pastaj, më takon të përfshihem. Nëse doni të pyesni prokurorë, gjykatës, se cilat janë problemet me kodin që kemi. Kjo është pikënisja. Ende unë sot nuk kam një informacion analitik mbi problemet që ka ky Kod, që ka zgjetur zbatim prej 1995-ës dhe aplikohet pa probleme serioze nga gjykatat dhe prokuroritë. Në mungesë të një analize, unë shoh problem me konceptimin e një procesi të tillë. Kjo mënyrë, kjo pikënisje përcakton edhe metodologjinë që do ngrihet puna. Nëse do dijmë sot problemet që ka Kodi, cila është strategjia, cilat janë problemet që kemi raportuar mbi Kod, deri në vitin 2024 s’kemi raportuar asnjëherë për probleme serioze. Ndryshimet u janë përshtatur nevojave. Cila është filozofia, ku do ikim? Cilat janë objektivat, vetëm përafrimi me direktivat e integrimit?! Ka një vizion?! Çfarë do bëhet me dhunën në familje, politikat për drogën, do jetë kod më represiv apo më pak represiv? Nëse më thoni mua, ky Kod do jetë vizioni që unë kam për botën. Këtu nis problemi! Jemi njohur me një draft në vitin 2023 dhe na është kërkuar të çojmë një përfaqësues për të diskutuar. Nuk shoh aty një reflektim të nevojave të shoqërisë. Draft me 900 e ca nene…Po mirë mo, ne paskemi jetuar në paligjshmëri të madhe, ku shumë veprime të padënuara, do i dënojmë tani e tutje?! Teknika e dispozitave nuk është në lartësinë e duhur.
Ligjet e reja në Kodin Penal do të diskutohen në 25 tryeza. Kodi Penal aktual është miratuar në vitin 1995 dhe që prej asaj periudhe ka pësuar 32 ndërhyrje, nga të cilat 23 ndërhyrje legjislative dhe 9 ndërhyrje me vendime të Gjykatës Kushtetuese. Drafti i ri pritet të kalojë për miratim në Kuvend në sesionin e ri parlamentar që nis në shtator./ZËRI
"S'kuptojnë vendin e tyre', Çela kritika prokurorëve tek "Ligjet": Ankohen nëpër ambasada për vendimet e Apelit!
TIRANË-Kryeprokurori Olsian Çela, gjatë raportimit tek Komisioni i Ligjeve, ka shprehur kritikave ndaj prokurorëve të Shkallës së Parë, ku deklaroi se ankohen në ambasada për veprimet e Apelit. Në fjalën e tij Olsian Çela ngriti shqetësimin sidomos për prokurorët e rinj, të cilët sipas tij nuk kuptojnë vendin dhe pozicionin e tyre. Ai ka theksuar edhe rolin e Gjykatës së Lartë, që sipas tij, i hedh benzinë zjarrit.
"Kemi raste ku prokurorët e shkallës së parë ankohen për vendime të Apelit, kemi arritur në një ditë ku prokurorët vendosin në diskutim atë që vendon Apeli. Bëjnë letër, i drejtohen institucioneve e ambasadave ku ngrenë çështje që kanë të bëjnë me ligjshmërinë e gjykatave te apelit. Është e papranueshme e pa konceptueshme. Kjo ndodh sepse është ngritur një sistem ku prokurorët, sidomos ata të rinj, nuk kuptojnë vendin dhe pozicionin e prokurorit. Për t’i hedhur benzinë zjarrit kemi praktikën gjyqësore vendimi i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë thotë që prokurori i shkallës së parë mund të ushtrojë rekurs në GJL, në një kohë kur prokurori i Apelit ka hequr dorë nga Apeli. Ju më thoni sa çështje keni përfaqësuar në GJL, janë 38 çështje,"-u shpreh Çela.
Çela në Komision: Tirana numrin më të lartë të krimeve, rritje e të dënuarve për korrupsion
TIRANË-Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka raportuar në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë vjetore të vitit 2024. Prokurori ka deklaruar se në kuadër të raportit, numri më i lartë i krimeve kundër jetës të kryera me dashje është në Tiranë, regjistruar përkatësisht rreth 30 % e totalit, ndjekur më pas nga Korça, ndërsa numri më i ulët është në Dibër.
Në fjalën e tij, Çela ka treguar se bilancet e procedimeve dhe arrestimeve lidhur me veprat penale të korrupsionit apo pastrimit të produkteve penale janë në nivele të larta.
Olsian Çela: Sa i përket arsyeve të rritjes së numrit të procedimeve, është e vështirë të përcaktohet nëse kjo ka ardhur nga një tendencë e rritjes së fenomeneve të dhunës në përgjithësi, apo nga një rritje e ndërgjegjësimit të viktimave si dhe e besimit të tyre tek sistemi i drejtësisë për të denoncuar rastet. 3.6 Një tendencë shqetësuese rritjeje është konstatuar tek krimet me dashje kundër jetës. Koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë për këto grupvepra në vitin 2024 është 14,7, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 10,5. Numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për krime kundër jetës të kryera me dashje është në Tiranë, regjistruar përkatësisht rreth 30 % e totalit, Korçë 12 %, Durrës 10 %, Fier dhe Lezhë 8 %, Elbasan 6%, Vlorë 5%, ndërsa vërehet se numri më i ulët i procedimeve të regjistruara është në Dibër, me rreth 1 %. Ka një rritje të ndjeshme të vrasjeve me dashje. Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Krime kundër jetës të kryera me dashje” për vitin 2024 është 12,46 %, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 4,83 %. Në vitin 2024 janë regjistruar 44 procedime për këtë vepër, që përbëjnë një rritje prej 3,14 herë krahasuar me 14 procedime të regjistruara në vitin 2023. Tendencë të fortë rritje ka pasur edhe vepra penale e “vrasjes me paramendim”, pasi janë regjistruar 31 procedime penale që krahasuar me 15 procedime të regjistruara në vitin 2023, që përbën një rritje prej 2 herë. Referuar të dhënave statistikore të vitit 2024, për grupveprat penale të korrupsionit dhe ato që lidhen me detyrën në kompetencë të juridiksionit të përgjithshëm, janë regjistruar 569 procedime me 160 të pandehur dhe 157 procedime me 234 të pandehur janë dërguar për gjykim. Gjithashtu vihet re një rritje prej 4,84% të të pandehurve të dënuar për 2024, krahasuar me vitin 2023.
A je produkt i Sorosit? Lamallari përplaset me deputeten e PD-së: Isha student ekselent, por familja nuk kishte mundësi…
TIRANË- Gjatë raportimit të ministrit të Drejtësisë në Komisionin e Ligjeve, deputetët u përfshinë në debat kur Elda Hoti e PD-së pyeti ministrin nëse ishte produkt i fondacionit Soros.
Besfort Lamallari, në përballjen e parë me deputetët në Kuvend, tha se ai vetë nuk kishte marrë fonde nga ekselenca, megjithëse kishte qenë student ekselent dhe mënyra e vetme për të ndjekur studimet ka qenë përmes fondeve të partnerëve.
Ministri vijoi më tej duke thënë se nuk ishte në Kuvend për ti bërë biografinë askujt.
Debati:
Hoti: Është publikuar se fondacioni Soros ka marrë 9 milionë USD për reformën në Shqipëri. A keni punuar me fondacionin Soros dhe a konsideroni veten produkt të tij?
Manja: Kjo është pyetje për interpelancë në seancë plenare, megjithatë deputetët mund të shfrytëzojnë ccdo lloj mediumi për t’i bërë këto pyetje. Është në diskrecionin tuaj në lidhje me përgjigjet.
Lamallari: Jam shumë krenar për përvojën profesionale që më ka shoqërur deri tani. Jam bashkëautor i studimit të parë për krimin e organizuar në vend dhe janë momente të tilla që mundësojnë avancimin në karrierë për të kontribuar falë edhe mbështetjes së këtyre organizmave ndërkombëtare të cilët kanë dhënë mbështetje. Kur shteti shqiptar shpërndante bursat e ekselencës te fëmijët e politikanëve, kemi raste konkrete edhe në këtë sallë, dhe ata që mundoheshin shumë por vinin nga familje normale shqiptare, nuk kishin mundësi, sado që ishin ekselentë, e vetmja mundësi ishte përmes fondeve dhe granteve të partnerëve të tjerë. Kjo ideja e bërjes së biografisë sikur tjetri do kompleksohet, kjo nuk ndodh me mua. Unë nuk ia bëj askujt biografinë familjare.
Hoti: Nuk mund ta vazhdosh fjalën pa fund. Unë pyeta a ke studiuar, nuk të bëra biografinë familjare.
Lamallari: Është e njohur publikisht se kush ka studiuar me fondet e ekselencës në atë kohë në Britaninë e Bashkuar dhe nuk kam qenë unë.
Ndryshime dhe në Kodin Civil/ Lamllari: Paraburgimi padrejtësi, burgu të shihet si mjeti i fundit
TIRANË-Ministri i Drejtësisë Besfort Lamllari ka raportuar në Komisionin e Ligjeve lidhur me Kodin e ri Penal, por edhe me shqetësimet për mënyrën se si përdoret paraburgimi në Shqipëri. Sipas tij Kodi i ri Penal do të marrë edhe ‘ok’ nga Brukseli, por priten edhe ndryshime në Kodin Civil.
"Lidhur me Kodin Civil, do të vijojmë edhe një rishikim të Kodit Civil për të adresuar problematikat, por është ende herët të flasim me këtë proces. Edhe Kodi Civil dhe i Procedurës Civile do jenë pjesë e rishqyrtimit, për ti përfaruar me direktivat e BE. Një nga padrejtësitë më të mëdha është që të shpenzosh kohë në paraburgim më shumë se koha që gjykata vendos në vendim përfundimtar. Kjo duhet adresuar. Kjo ka të bëjë edhe me mënyrën si janë shkruar dispozitat, por edhe me zbatimin e tyre në praktikë. Burgu duhet të shihet si mjeti i fundit, kur plotësohen edhe kushtet e rrezikshmërisë. Kjo kërkon ndërgjegjësim të gjithë aktorëve përkatës, prokurorive dhe gjykatave, këtu vjen në ndihmë edhe roli i partnerëve,"-u shpreh Lamllari.
Lamallari raporton në Komisionin e Ligjeve: Në 2024 u rritën me 60% hetimet proaktive
TIRANË- Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve, për punën e institucioneve të drejtësisë, në vitin që lamë pas. Lamallari tha se përgjatë vitit 2024, Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të hetimeve në 5 vitet e fundit proactive dhe të sekuestrimeve pasurore.
“Hetimet proaktive janë shtuar me 12.3%. Janë sekuestruar 65.5 mln euro pasuri, rritje domethënëse me gati 60% të krahasuar me vetëm një vit më parë. Janë çuar për gjykim 569 cështje korrupsioni dhe shpërdorimi detyre, me 234 të pandehur.
1500 profesionistë të trajnuar, SPAK ka regjistruar 65 hetime të nisura kryesisht dhe 163 procedime me përgjime”, deklaroi ai.
Ndërkohë Lamallari tha se ende ka shumë ngarkesë në punën e prokurorive, për shkak të vendeve vakante në organin e akuzës.
“Mbingarkesa e lartë e prokurorëve, kemi 35% të organikës me vende vakante. Shohim një përdorim të kufizuar të teknologjive në hetime. Nevoja për unifikim të procedurave të brendshme dhe dokumenteve standarde të punës.”
Lamallari tha se Ministria e Drejtësisë do të fokusohet në pesë shtylla kryesore në vijim, për një drejtësi më transparente, efikase dhe njerëzore:
–Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut në qendër të procesit penal, ku përfshihen prezumimi i pafajësisë apo shmangia e ndalimeve arbitrare, respektimi i të drejtës për mbrojtje. Proporcionalitet dhe transparencë në çdo hetim
–Forcimi i luftës kundër kriminalitetit me krijimin e njësive të specializuara sidomos kundër korrupsionit. Në fookus mbrojtja e grave dhe fëmijëve.
–Integriteti dhe transparencë në veprimtarinë e Prokurorisë
–Rritja e efiçencës dhe kapaciteteve institucionale
–Përdorimi i metodave bashkohore, me Inteligjencë Artificiale, mjetet digjitale në hetime.
'Krimi 2024'/ SPAK dhe Prokuroria raportojnë sot para dy Komisioneve Parlamentare
TIRANË-Drejtuesit e SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme do të raportojnë sot para mbledhjes së përbashkët të dy Komisioneve, atë të Nismave për Qytetarët dhe Mbikëqyrjen Institucionale dhe të Ligjeve. Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela do të prezantojë raportin mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024. Më pas, do të raportojë kreu i SPAK, Altin Dumani mbi veprimtarinë e institucionit që drejton përgjatë vitit 2024.
Mbledhja do të fillojë më 10:00, ku i pranishëm do të jetë edhe ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari. Edhe Lamllari do të paraqesë raportin vjetor të këtij institucioni mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin e kaluar./ZËRI