Politikë

ZHVILLIMET- Shkarkimi i Veliajt, Rama dy mbledhje të njëpasnjëshme në kryeministri

Pasditen e djeshme, Këshilli Bashkiak i Tiranës propozoi shkarkimin e Veliajt, pasi ai ka munguar për më shumë se 3 muaj në detyrë

E.K
ZHVILLIMET- Shkarkimi i Veliajt, Rama dy mbledhje të
edi rama dhe erion veliaj, foto arkiv

TIRANË- Një ditë pas propozimit të Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt nga drejtimi i Tiranës, kryeministri Edi Rama ka nisur lëvizjet, duke thirrur disa takime në kryeministri. Fillimisht ai ka mbledhur këtë mesditë nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, ndërsa pasdite do të jetë radha e deputetëve dhe një pjese të kabinetit qeveritar. 

Të pranishëm në mbledhjen e pasdites së sotme pritet të jenë deputetët e qarkut të Tiranës, dhe një pjesë e ministrave, ku sipas burimeve do të konfirmohet mbështetja për Ogerta Manastirliun në zgjedhjet e pjesshme lokale që pritet të mbahen në Tiranë.

Mbledhja do të zhvillohet në orën 18:00, ndërsa deri tani kryeministria nuk është shprehur ende për shkarkimin e Veliajt, pas propozimit të bërë nga këshilli bashkiak. Ishte vetë Rama, ai që njoftoi shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, rreth 10 ditë më parë, ku tha se kryeqyteti ka nevojë që të ketë një kryetar të zgjedhur me kohë të plotë.

Sa i takon prefektit të Tiranës, ai ka dhënë dakordësinë e tij për shkarkimin e Veliajt, dhe vendimi i Këshillit Bashkiak është përcjellë drejt kryeministrisë. 

Deri tani, Erion Veliaj ka zgjedhur që të mos bëjë asnjë reagim mbi vendimmarrjen e Këshillit Bashkiakë, të cilit pak ditë më parë i kërkoi mundësinë që të dëgjohej, përpara se të ngrinin kartonët për shkarkimin. Megjithatë avokatët e tij mbrojtës kanë paralajmëruar se do të ndjekin çdo rrugë ligjore, kundër shkarkimit të Veliajt nga posti.

Vendimi i shkarkimit, i cili do t'i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, pritet të kundërshtohet nga Erion Veliaj. Ky i fundit ka të drejtë të ankimojë vendimin e marrë në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve. Kushtetuesja më pas është organi që jep verdiktin.

Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti. Kryebashkiaku së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI 

Poll

MOS HUMB