Bojkotuan mbledhjen e shkarkimit, nga Gaz Paja tek Merkoçi, kush i doli në krah Veliajt
TIRANË-Këshilli Bashkiak i Tiranës, vendosi sot shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës. Shakarkimi i tij u miratua me bashkimin e votave të opozitës e mazhorancës, por kishte edhe nga ata që e kundërshtuan vendimin duke i dalë në krah Veliajt.
Aktori dhe këshilltari i Partisë Socialiste, Gaz Paja dhe anëtarja Joleza Koka nuk ishin farë të pranishëm në mbledhje duke bojkotuar kështu votimin. Nga ana tjetër edhe këshilltari i PS, Aldo Merkoçi, deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak se me propozimin për shkarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Këshilli Bashkiak ka tjetërsuar votën e qytetarëve.
Ai nënvizoi se sot këshilltarët po bëjnë një zgjedhje të detyruar, në shkelje të parimeve të vet drejtësisë, në shkelje të drejtave të një individi te zgjedhur me votë të lirë, në shkelje të parimeve të autonomisë vendore. Gjatë procesit të votimit Merkoçi u largua nga salla./ZËRI
PS-PD bashkojnë votat- Erion Veliaj shkarkohet si kryebashkiak
TIRANË-Këshilltarët socialistë dhe demokratë bashkuan votat për ta shkarkuar kryebashkiakun Erion Veliaj nga detyra, i cili qëndron në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 kur dhe u arrestua me vendim të GJKKO pas kërkesës së SPAK. Vendimi i dërgohet Prefektit të qarkut, dhe Prefekti ja dërgon propozimin për shkarkimin e Veliajt Qeverisë. Vendimin përfundimtar do ta marrë Këshilli i Ministrave.
Nuk votuan pro shkarkimit të kryebashkiakut, kush janë të 'besuarit' e Veliajt
TIRANË-Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku u miratua me 50 vota pro shkarkimi i Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut të kryeqytetit kishte edhe mungesa. Tre anëtarë të Partisë Socialiste mungonin dhe nuk morrën pjesë në votim.
Në mbledhje nuk ishin të pranishëm Gaz Paja, Aldo Merkoci, Joleza Koka. Ndërsa këshilltari i opozitës Fabian Topollaj, votoi kundër vendimit. Në sallë nuk është e pranishme as kryetarja në detyrë, Anuela Ristani, e cila sipas rregullores së brendshme duhet të kishte qenë prezente dhe të drejtonte punimet e mbledhjes.
Vendimi për propozimin e shkarkimit duhet të marrë të paktën 31 vota pro nga 61 këshilltarët. Pas kësaj, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës, ndërsa qeveria merr vendimin final për shkarkim./ZËRI
Shkarkimi i Veliajt 'ndez' debat në Këshill, qëndrimi i PD: E prisnim këtë ditë, mori çfarë ka gatuar vetë
TIRANË-Ka nisur mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që pritet të vendosë mbi shkarkimin e Erion Veliajt. Ndryshe nga herët e tjera, çështja e shkarkimit të kryebashkiakut ka bërë bashkë opozitën me mazhorancën, pasi anëtarët e secilës palë në Këshill pritet të bashkojnë votat për shkarkimin e tij. Por gjatë fjalës së tyre anëtarët e opozitës nuk i kanë kursyer ironitë për kryebashkiakun, i cili ndodhet në qeli prej 10 shkurtit.
Këshilltarja e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, ka folur me ironi ndaj figurës së Erion Veliaj si kryebashkiak i Tiranës.
“Erion Veliaj është gjallë. Ai duhet të ishte këtu, sic ja lejon ligji. Unë jam e lumtur që ai mori shijen e gjellës që ka gatuar vetë për këto vite, këtë gjellë që sot ja gatuat ju”, tha Zhulali.
Këshilltari i Këshillit Bashkiak i PD-së, Dorian Teliti, në fjalën e tij për procedurë, u shpreh se këto muaj që Tirana nuk ka pasur në krye një kryebashkiak, i ka kushtuar kryeqytetit.
"I ka kushtuar Tiranës. Sa i përket aktit të sotem, është një akt historik. Ne sot, i bashkuam votat tona, jo ne me ju, po ju me ne, pasi kemi katër muaj që kjo ditë të ndodhte. Po ju përsëri nuk u ngritët, më mirë vonë se kurrë”, tha Teliti.
Ndërkohë edhe këshilltari Genc Gjokutaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, u shpreh se është interesi publik ajo që detyron të bëhet shkarkimi i Veliajt.
“Ai mungon se është i arrestuar, gjë e cila nuk e afekton mandatin e tij,. Por interesi publik na e kërkon ta bëjmëe se është pjesë e kauzës tonë. T’ja lëmë kryeministrit, arkitektit të gjithë kësaj parade sot, që ta zgjidhë siç e di ai. Dua të vë në dukej se respekti që ju kemi për kryetarin është aq sa ju nuk pranuat të vijë të flasë në sallë. Votimi ynë kundra s’është e njëjtë me ju. Ju doni të shkarkoni Erion Veliajn se doni të bëni lojën politike e të zbatoni urdhra politike,"-u shpreh Gjokutaj.
Këshilltari demokrat në Bashkinë e Tiranës, Jonathan Pano, tha se kryeqyteti po vuan prej 12 vitesh, dhe jo prej muajit shkurt kur dhe u arrestua Erion Veliaj.
“Jam shumë dakord që Tirana po vuan. Nuk kishte nevojë për një drejtues që nga Shkurti? Nuk po vuan vetëm këto 7 muaj, ka 12 vjet që po vuan. Kam kërkuar të shtohet në rend dite edhe miratimi i bonusit të qirasë. Po bëni çdo gjë sa mos preket qëllimi parësor, aksioma e pushtetit”, tha ndër të tjera Jonathan Pano.
Vetë Erion Veliaj nuk është i pranishëm në këtë mbledhje për të dhënë argumentet dhe për t’u dëgjuar nga këshilli, siç ai kërkoi. Komisioni i Çështjeve Ligjore i Këshillit Bashkiak të Tiranës, më herët gjatë ditës së sotme (23 shtator 2025), e refuzoi kërkesën e Erion Veliajt që të dëgjohej. Vendimi për propozimin e shkarkimit duhet të marrë të paktën 31 vota pro nga 61 këshilltarët. Pas kësaj, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës, ndërsa qeveria merr vendimin final për shkarkim.
Veliaj qëndron në paraburgim me masë sigurie “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të GJKKO pasi akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni./ZËRI
Në pritje të mbledhjes së Këshillit Bashkiak për Veliajn, Berisha mbledh "të vetët" në seli!
TIRANË- Grupi i Partisë Demokratike do të mblidhet sot, në orën 12:00, në selinë blu. Mbledhja e demokratëve vjen vetëm pak orë para se Këshilli Bashkiak të mblidhet në një seancë, në orën 16:00. Fokusi i mbledhjes është shkarkimi apo jo i kryebashkiakut aktual, Erion Veliaj.
Ndërkohë, edhe ne mbledhjen e demokratëve pritet që të diskutohet për qëndrimin e tyre në Këshill, megjthëse kryedemokrati Sali Berisha deklaroi dje se do të jenë pro shkarkimit të Veliajt. Megjithatë, lidhur me kërkesën e Veliajt për të qenë prezent në Këshill, opozita është shprehur pro pranisë së tij.
Gjatë një konference për shtyp ditën e djeshme, lideri demokrat Sali Berisha u shpreh se në emër të PD kërkon që Veliaj të marrë pjesë në Këshillin Bashkiak, në mbledhjen për shkarkimin e tij./ZËRI
PS-PD pro shkarkimit të Veliajt! Socialistët ‘kopsisin’ shkresën, Teliti: Duhej të dëgjohej në mbledhje
TIRANË- Ka përfunduar mbledhja e Komisionit për Çështjet Ligjore në Bashkinë e Tiranës, ku nuk kanë munguar debatet mes të pranishmëve, me opozitën që ka deklaruar se shkarkimi i Veliajt do të duhet të kishte ndodhur disa muaj më parë, dhe jo tashmë me vendim politik.
Ilir Alimehmeti, këshilltar bashkiak i Partisë Demokratike, ka kërkuar në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale pse nuk është futur në rend dite kërkesa e opozitës për shkarkimin e Veliajt. Gjithashtu, këshilltari tjetër demokrat, Dorian Teliti, ka kërkuar që Erion Veliaj të dëgjohet në mbledhjen e këshillit, siç edhe ka kërkuar vetë kryetari i Bashkisë.
Endrit Braimllari, duke folur në emër të mazhorancës, ka deklaruar se është refuzuar që kërkesa e Partisë Demokratike të futet në rend dite. Sipas tij, opozita mund ta ngrejë këtë pretendim në mbledhjen e kryesisë së këshillit në orën 15:00. Ndërkohë që socialistët kanë bërë gati dhe projektvendimin për shkarkimin e Veliajt, që do të kalojë në mbledhjen e orës 16:00.
Pas mbledhjes, këshilltari i Nismës Thurje, Endri Shabani u shpreh se Veliaj është i shkarkuar që prej ditës që u arrestua në zyrën e bashkisë.
“Veliaj është në burg dhe ligji është i qartë. Automatikisht pas tre muajsh këshilli bashkiak propozon shkarkimin e tij. Debati ishte që nuk u morën parasysh kërkesat e opozitës. Më mirë vonë sesa kurrë. Ata thonë le të vinte në çdo kohë, por e pengon prokuroria.
Është fakt publik, Erion Veliaj këtu u arrestua që më 10 shkurt. Nuk ka çfarë të dëgjohet Veliaj. Është në kushtet që duhet të jepte dorëheqjen. Mos ta lëmë bashkinë pa kryetar se u bënë 7 muaj”-u shpreh Shabani.
Ndërkohë që për demokratin Teliti, Veliaj do të duhej që të dëgjohej në Këshill.
“Sapo u mbyll mbledhja e vonuar nga socialistët. Shkarkimi i Veliajt ka qenë kërkesë e hershme e opozitës. Ne e kemi kërkuar këtë shumë më parë dhe insistojmë që vendimi të jetë i pakontestueshëm ligjërisht. Veliaj ka të drejtën të dëgjohet, ashtu si çdo i paraburgosur. Socialistët sot i mohuan këtë të drejtë dhe kjo do t’i japë atij nesër një mjet për të fituar gjyqin dhe për ta rrëzuar shkarkimin në gjykatë për shkelje proceduriale. Nuk është se duam të dëgjojmë retorikën e tij, por duam që vendimi të jetë i pastër, i ligjshëm dhe i pandryshueshëm. Ne do ta votojmë largimin e tij sot dhe Veliaj do të largohet si kryetar bashkie. Duhet t’i mbyllim derën Erion Veliajt për të ardhur sërish në këtë godinë, por edhe që të shmangim që në të ardhmen, me vendim të Strasburut, të mos përballemi pas 2-3 vitesh, që me vendim të Strasburgut të paguajmë 400-500 mijë euro, dëmshpërblim financiar sepse nuk e dëgjuam çerek ore, siç e ka të drejtën”, u shpreh Teliti pas mbledhjes. Pas mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak ku do të propozohet shkarkimi i Veliajt, vendimi final i mbetet kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë që avokatët e Veliajt kanë paralajmëruar se vendimi do të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese. /ZËRI
A do të jetë prezent kryebashkiaku? Këshilli Bashkiak vendos sot për 'fatin' e Erion Veliajt
TIRANË- Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet sot për të vendosur mbi shkarkimin e kryebashkiakut aktual, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit. Mbledhja e sotme shënon një nga momentet më të tensionuara në historikun e Bashkisë së Tiranës, ndërsa qytetarët presin vendimin për të ardhmen e kryebashkiakut.
Në takimin e sotëm anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak pritet të bëjnë kërkesën për shkarkimin e Veliajt me arsyetimin se ka munguar për më shumë se 3 muaj në krye të detyrës, duke ju referuar pikës c, neni 62 të ligjit “për vetëqeverisjen vendore”.
Veliaj i është drejtuar të hënën Këshillit Bashkiak me një letër zyrtare, duke kërkuar të marrë pjesë në mbledhje. Kryebashkiaku ka kërkuar që para se të merret vendimi për shkarkimin e tij, të dëgjohet në mbledhje, por ende nuk dihet nëse do të lejohet. Nga ana tjetër, Këshilli Bashkiak i është përgjigjur kërkesës së Veliajt, ku thuhet se në rast të pamundësisë për të qenë prezent fizikisht, qëndrimet e tij mund ti dorëzojë me shkrim.
Ndërkohë, SPAK dhe Drejtoria e Burgjeve konfirmojnë se deri tani nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Veliaj për leje të veçantë për të marrë pjesë në mbledhje. Sipas procedurave ligjore, për personat në paraburgim, prokurori i çështjes jep miratimin fillestar për lëvizje jashtë institucioni.
Por replikat mes kryebashkiakut Veliaj dhe Këshillit Bashkiak nuk mbarojnë me kaq. Menjëherë pas përgjigjes së Këshillit, ka ardhur edhe reagimi i Veliajt, i cili tha se ende s’është njoftuar zyrtarisht mbi rendin e mbledhjes së sotme, duke theksuar se Sekretari i Këshillit nuk mund të vendosë se si ai do ta bëjë komunikimin në mbledhje. Kryebashkiaku kërkon të votohet për praninë ose jo të tij në Këshill.
Që Veliaj të marrë pjesë, më parë duhet një autorizim nga Prokuroria e Posaçme SPAK. Kreu i Bashkisë në kërkesën drejtuar Këshillit Bashkiak, sqaron se mungesa për mbi 6 muaj nuk është pasojë e vullnetit të tij, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale, për të cilën shprehet se do ta kundërshtojë në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Si do të bëhet shkarkimi i Veliajt?
Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
Pika e fundit pritet që të jetë ajo që do të përdoret nga Këshilli Bashkiak për shkarkimin e Veliajt, që sërish do të duhet të çohet në kryeministri. Rama më pas duhet t’i propozojë presidentit mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ky proces mund të zgjasë deri në 45 ditë.
Sa i përket vendimmarrjes për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut, do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej. Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin. Nëse Këshilli e Shkarkon dhe kryeministri Rama e firmos, ai ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Sipas ligjit, në rast se Veliaj e kundërshton Ramën pranë kësaj gjykate, procesi duhet të pezullohet dhe zgjedhjet për zëvendësimin e tij, të mos zhvillohen.
Kujtojmë se në Asamblenë e PS-së, rreth një javë më parë, kryeministri Rama kërkoi nga Këshilli Bashkiak nisjen e procedurës për largimin e Veliajt, duke bërë të ditur se Ogerta Manastirliu do të jetë kandidatja e socialistëve në zgjedhjet e parakohshme për bashkinë e metropolit shqiptar.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti. Kryebashkiaku së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI