Politikë

“Djegia e kartave akt paturpësie”/ Rama përplaset me kryebashkiakun e Poliçanit- Zbardhen debatet edhe me drejtuesit e tjerë

Një prej kundërshtimeve kryesore të kryebashkiakëve lidhet me atë që ata e konsiderojnë si standard të dyfishtë në përzgjedhjen e bashkive që do të shkrihen.

M.K.
“Djegia e kartave akt paturpësie”/ Rama përplaset me
Edi Rama

VLORË- Reforma Territoriale ka shkaktuar përplasje të forta gjatë takimit të kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët socialistë, ku diskutimi për hartën e re administrative ka kaluar në debate të ashpra.

Një prej momenteve më të tensionuara ishte përplasja mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Sipas burimeve nga mbledhja, Rama i është drejtuar Zotkajt lidhur me protestën e banorëve dhe djegien e testerave të Partisë Socialiste, duke i thënë se një veprim i tillë ishte një akt paturpësie.

''Ti nuk duhet të ishe fare këtu. Ajo që bëri Poliçiani me djegien e kartave ishte një akt paturpësie,'' i është drejtuar kryeministri.

Debati mes tyre është përshkallëzuar dhe kryebashkiaku i Poliçanit është larguar nga mbledhja, duke u shprehur se në ka një mosmirënjohje është ajo e Partia Socialiste: "Komuniteti i’u përgjigj veprimit mosmirënjohës të PS-së dhe Kryeministrit. Në ka një mosmirënjohje është ajo e PS."

Tensionet kanë vijuar edhe me kryetaren e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj. Gjatë diskutimit për kompetencat e pushtetit vendor, Rama i është drejtuar me ironi drejtueses vendore, ndërsa kjo e fundit e ka kundërshtuar kryeministrin, duke argumentuar se bashkitë kanë mbetur me shumë pak kompetenca dhe janë kthyer, sipas saj, në struktura pa autonomi reale. Përplasja ka agravuar deri në momentin kur kryeministri i ka kërkuar Memajt të largohet nga mbledhja.

Debate janë zhvilluar edhe me kryetarin e Selenicës, Nertil Bello, dhe kryetarin e Divjakës, Josif Gorrea, të cilët kanë kundërshtuar përfshirjen e bashkive të tyre në hartën e re territoriale. Ata kanë paraqitur argumentet e tyre kundër shkrirjes së bashkive, ndërsa Rama dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, kanë mbrojtur nevojën për riorganizimin territorial.

Një prej kundërshtimeve kryesore të kryebashkiakëve lidhet me atë që ata e konsiderojnë si standard të dyfishtë në përzgjedhjen e bashkive që do të shkrihen. Sipas tyre, bashki si Peqini, Vau i Dejës apo Roskoveci kanë tregues më të dobët performance, por nuk janë përfshirë në listën e bashkive që rrezikojnë të humbasin statusin.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka akuzuar drejtuesit e disa bashkive se po nxisin komunitetet lokale kundër reformës dhe po e përdorin kundërshtimin politik për të mbrojtur pozicionet e tyre. Në takim nuk kanë munguar as bashki që nuk kanë shprehur kundërshti për ndryshimet e propozuara, ndërsa diskutimet janë fokusuar kryesisht te kriteret dhe mënyra se si do të përcaktohet harta e re territoriale. Mbledhja në Kuç të Vlorës ka përfunduar pas rreth 4 orësh e 30 minutash.

Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet./ZËRI

Poll

MOS HUMB