
TIRANË-'Saga' e mandatit brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” mes dy drejtuesve, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabanit, duket se do të vazhdojë edhe pas vendimit të KQZ. Kjo e fundit vendosi që Kleana Xhuveli të jetë deputetja përfaqësuese e koalicionit në Kuvend.
Por ky fakt nuk është pranuar nga palët. Adriatik Lapaj, ishte i pari që nuk u dakortësua që mandatin ta mbajë kushërira e tij. Sot ai i dorëzoi një kërkesë Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve, ku liston edhe njëherë argumentat e tij duke shpjeguar se përse mandati i vetëm si deputet që ka marrë koalicioni ku ai bënte pjesë i takon atij. Ai kujton kujton se kandidatët e listës së mbyllur kanë dhënë dorëheqjen para zgjedhjeve.
Të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit, i cili nuk heq dorë nga mandati. Kordhoni, i ka kërkuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) shpalljen e pavlefshme të deklaratave të dorëheqjeve së dhëna nga kandidatët përpara marrjes së mandatit parlamentar. Daja pretendon se ka patur parregullsi në dorëheqjet e dhëna nga mandati, duke vënë në dyshim vërtetësinë e tyre.
Ankesa e plotë në KAS e Zeqir Kordhonit:
Në cilësinë e palës së interesuar dhe në mbështetje të nenit 164, pika 1 dhe 2, të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, paraqes këtë kërkesë për shqyrtim dhe vendimmarrje mbi pavlefshmërinë e deklaratave të dorëheqjes së depozituara nga disa kandidate përpara marrjes së mandatit.
Sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor (“Dorëheqja nga mandati”), një dorëheqje nga mandati është e vlefshme vetëm pasi kandidati e ka fituar dhe marrë zyrtarisht mandatin. Dorëheqjet e dhëna paraprakisht (pra përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar dhe marrjes së mandatit) nuk gëzojnë asnjë bazë ligjore dhe bien ndesh me parimet themelore të së drejtës zgjedhore. Çdo akt dorëheqjeje i dhënë përpara momentit të fitimit të mandatit nuk mund të prodhojë efekt juridik dhe mund të shpallet i pavlefshëm nga ana e KQZ-së dhe KAS-it.
Kam gjithashtu arsye serioze për të vënë në dyshim vërtetësinë dhe rrethanat në të cilat janë nënshkruar këto deklarata. A kanë qenë të gjithë nënshkruesit fizikisht të pranishëm në datën që pretendohet se janë nënshkruar deklaratat? A janë nënshkruar këto deklarata në mënyrë të lirë dhe pa ushtruar dhunë apo presion psikologjik? A janë përgatitur dhe nënshkruar këto deklarata sipas formës dhe procedurave ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor?
Në dijeninë time, të paktën një prej kandidateve, Entela Sula, që pretendohet se ka firmosur një deklaratë dorëheqjeje në datën 11 Maj, nuk ka qenë fizikisht në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu dyshime ka edhe për kandidate të tjerë, të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët mund të mos kenë qenë në Shqipëri në datën që pretendohet se kanë firmosur dorëheqjen. Kjo gjë ngre dyshime serioze mbi vërtetësinë e këtyre akteve.
Në bazë të sa më sipër kërkoj:
Shpalljen e pavlefshme të të gjitha deklaratave të dorëheqjes së dhëna përpara marrjes së mandatit parlamentar, si të kundërligjshme dhe në shkelje të nenit 164 të Kodit Zgjedhor.
Hetimin dhe verifikimin e rrethanave të nënshkrimit të këtyre deklaratave, përfshirë datën reale të nënshkrimit, vendndodhjen e secilit person nënshkrues dhe mënyrën në të cilën janë marrë këto deklarata.
Theksoj se integriteti i procesit zgjedhor dhe respektimi i vullnetit të zgjedhësve kërkon që dorëheqjet e dhëna në mënyrë të parakohshme ose të falsifikuara të shpallen të pavlefshme.
Kujtomë se "Kriza" në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” nisi pasi daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni nuk pranoi të dorëhiqet dhe i shkroi KQZ që kërkon të marrë mandatin e deputetit në rast se atij i vjen radha, edhe pse pozicionohet i nënti në listën e mbyllur të koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet". Kjo solli edhe një përplasje në distancë mes Lapajt dhe Shabanit. Nga lista, Lapaj kërkon mandatin me pretendimin se mori në Tiranë 6500 vota, ndërsa Shabani 2 900 të tilla. Por duket se palët nuk kanë rënë dakord duke nisur një debat publik, i cili u mbyll në KQZ me Kleana Xhuvelin./ZËRI
