
GREQI- Detaje të reja janë bërë me dije një ditë pas konfirmimit të kandidaturës së Fredi Belerit si për eurodeputet në Parlamentin Europian, në listën e partisë Demokracia e Re, e cila drejtohet nga Kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Media greke Kathimerini bën me dije se kandidimi i Belerit u bë për tre arsye.
Së pari, duke qenë se çështja e kandidimit të Fredi Belerit ishte bërë publike më herët, Mitsotakis konsideroi se mospërfshirja e tij do të dërgonte mesazhin e gabuar pasi mund të interpretohej si një tërheqje ndaj Shqipërisë. Së dyti, preferenca ndaj Fredi Belerit ishte rritur dhe së treti presioni politik i marrë nga partia “Demokracia e re” nuk mund të përjashtohej.
Më herët mediat greke raportuan se emri i Belerit ka qenë një “mollë sherri” në partinë e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, pasi ky i fundit ka qenë dakort për kandidimin e Belerit ndërsa ministri i Jashtëm Georgios Gerapetritis ka qenë kundër.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian zhvillohen çdo pesë vjet me votim universal për të rriturit me më shumë se 400 milionë njerëz me të drejtë vote, ato janë zgjedhjet e dyta më të mëdha demokratike në botë pas zgjedhjeve të Indisë. Deri në vitin 2019, 751 eurodeputetë u zgjodhën në Parlamentin Evropian. Partitë politike evropiane kanë të drejtë të bëjnë fushatë në mbarë BE-në për zgjedhjet evropiane. Ditët e zgjedhjeve janë 4 ditë radhazi. Zgjedhjet e fundit u zhvilluan në 2019 dhe zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen këtë vit.
Gjykata e Posaçme vendosi më 5 mars dënimin me dy vite burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Ai është shpallur fajtor për 'korrupsion aktiv' në zgjedhjet lokale të 2023-it. Çështja e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri u kthye në arenë përplasjesh mes Tiranës dhe Athinës. Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli./ZËRI