
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha e quajti 21 janarin një çështje e ndërtuar me mashtrime dhe falsifikime nga kryeministri Edi Rama, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet. Berisha tha se 21 janari është një mashtrim, por 7 tetori është dita për të fituar lirinë.
Ai iu bëri thirrje qyetarëve t’i bashkohen në protestë. Sipas tij 21 janari shkon në të kaluarën dhe 7 tetori në të ardhmen.
“21 janari u ndërtua mbi një mashtrim, 7 tetori është dita për të hapur dyert e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme
Ardit, 21 janari u ndërtua mbi një mashtrim, falsifikim dhe etje gjakësore për pushtet të Edi Ramës dhe bandës së tij.
7 tetori është dita për të hapur dyert për shqiptarët për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Pra, siç e sheh, 7 tetori është thirrur pasi është bërë e qartë për çdo shqiptar se Edi Rama grabit mandatet dhe nuk respekton vullnetin e qytetarëve por e kontrollon atë.
Pasi është bërë e qartë për çdo qytetar se ky armik i votës së lirë ka vendosur në arrest dhe ndjekje penale tre drejtuesit e partive kryesore opozitare, i bindur se nuk fiton zgjedhjet.
Pasi është bërë e qartë se ai ka rikthyer, si bastard i xhelatit Kristaq Rama, burgosjet politike në Shqipëri.
Pra, paralelizma, e para shkon drejt të shkuarës, kjo e dyta shkon drejt të ardhmes së Shqipërisë”, tha Berisha.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha. Ky i fundit në një reagim pas regjistrimit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme, dha një koment për mediat, duke thënë se nuk ka urdhëruar pushkatimin e asnjë protestuesi. /ZËRI