
FIER- Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka mbërritur në burgun e Fierit, aty ku do të kryejë dënimin e konfirmuar nga Apeli me 1 vit heqje lirie për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Pranë ambienteve të burgut të Fierit, ishte deputeti demokrat Luan Baçi në mbështetje të Salianjit. Baçi u shpreh se ka kërkuar informacion të plotë në mënyrën e akomodimit të deputeti Salianji.
Luan Baçi: Në burgun e Fierit është kolegu im, miku im dhe një deputet i cili është dënuar politikisht nga pushteti. Strukturat e PD të qarkut të Fierit do të jenë çdo moment në mbështetje të Ervin Salianjit. Është detyrimi ynë pasi vendi ky ai po vuan dënimin është Fieri, mund të isha un aty dhe kushdo prej nesh. Ai bëri një denoncim që ishte katërcipërisht i vërtetë dhe vëllai i ish ministrit Xhafaj shkoi të vuante dënimin. Unë do të jemë këtu dhe të gjithë kolegët në mbështetje të kolegut Salianji. Kam bërë një kërkesë dhe kam kërkuar informacion se si do të akomodohet në këtë burg. Do të vazhdoj të rri këtu derisa të marr informacion të plotë deri në akomodimin e tij. Rama vërtetoi se është një nga autorët kryesor që futi Salianjin në burg, pasi këtë e ka paralajmëruar disa seanca më para në parlament. Ai duhet të harrojë se mundet të vazhdojë me një situatë të tillë dhe se do ta ndalojë opozitën. Lideri i opozitës po mbahet 9 muaj në arrest. Opozita dhe PD do të kalojë në një stad tjetër të të bërit politikë. Kemi dhënë datën 6 tetor dhe detajet do të jenë në ditët në vijim.
Salianji u vetëdorëzua pasditen e sotme në ambientet e Policisë së Tiranës. Deputeti i PD qëndroi për rreth 90 minuta në ambientet e Drejtorisë së Policisë në shoqërinë e avokatëve të tij Marash Logu dhe Ledio Braho. Para se të futej në ambientet e godinës së policisë së Tiranës, Salianji është takuar me mbështetës e simpatizantë të PD-së, të cilët kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste, kundër burgosjes së deputetit.
Gjykata e Apelit la dje në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI