
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka bërë thirrje deputetëve që të mblidhen të gjithë bashkë dhe të shkojnë në seancën parlamentare. Edhe pse janë të përjashtuar për 11 ditë, sërish Gazment Bardhi ka kërkuar prej deputetëve që nesër të shkojnë të gjithë në Kuvend. Seanca e nesërme do të mbahet në orën 17.00, ndaj dhe Bardhi ka kërkuar që të mblidhen të gjithë në orën 16.30, në mënyrë që të përgatisin planin sesi do të futen në Kuvend.
Reagimi i Gazment Bardhit:
Të nderuar kolegë, Nesër e hënë, ora 17:00, është planifikuar seanca e radhës plenare. Pavarësisht vendimit të përjashtimit arbitrar, i cili parashikon përjashtimin tonë për 11 ditë, ne duhet të jemi të gjithë në seancë. Për këtë qëllim, mblidhemi të gjithë bashkë në orën 16:30 për të shkuar në grup në seancë. Ndërkohë, mbledhja e radhës e grupit do të zhvillohet si zakonisht, të martën, datë 31 Tetor, ora 13:00. Ju përshëndes!
Ndërkaq Garda e Republikës është njoftuar shkresërisht që të mos i lejojë 23 deputetët të futen në seancë. Mes tyre janë vetë Bardhi, por edhe kryedemokrati Sali Berisha. Megjithatë mbetet për t'u parë nëse ndonjë prej tyre do të lejohet në sallë. Pasi në precedentë të ngjashëm në të shkuarën, dera e Kuvendit për ta ka qenë e bllokuar.
Deputetët e përjashtuar janë: Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Saimir Korreshi, Lindita Metaliaj, Ramadan Likaj, Luan Baçi, Lefter Gështenja, Ina Zhupa, Helidon Bushati, Isuf Çela, Asllan Dogjani, Bujar Leskaj, Lodovik Hasani, Tritan Shehu, Greta Bardeli, Sorina Kote, Kastriot Piroli, Kasëm Mahmutaj. Sipas Komisionit të Etikës, ata nuk do të lejohen të marrin pjesë në seancat plenare dhe punimet në komisionet e ndryshme parlamentare nga data 20 tetor deri më 30 tetor të këtij viti./Zëri.ai