Politikë

'Kemi mungesë kualifikimi', Rama: Me hir apo pahir, bizneset do financojnë për arsimin profesional!

Rama u shpreh se nevoja për krah të kualifikuar pune është sfida me të cilën po përballet Europa sot.

f.t
'Kemi mungesë kualifikimi', Rama: Me hir apo pahir, bizneset do
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ditën e sotme zhvilloi një konferencë për arsimin dhe formimin profesional. Rama gjatë fjalës së tij ai u bëri thirrje sipërmarrjeve, të cilave u kërkoi që të investojnë më shumë për kapitalin njerëzor dhe të ofrojnë paga dinjitoze për punonjësit. Ai u shpreh se nevoja për krah të kualifikuar pune është sfida me të cilën po përballet Europa sot. Po ashtu gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, kryeministri Rama tha se kthimi i arsimit profsional në një trend të ri dhe tërheqës është objektivi i qeverisë.

“Arsimi profesional dhe nevoja për krah të kualifikuar pune e ka bërë 2024 dhe patjetër ka shënjuar këtë dekadë si dekadën e një lufte e cila ka nisur edhe intensiteti i të cilës po rritet progresivisht në gjithë Europën. Është një luftë për të përballuar pasojat e rënies demografike të Europës e cila na vë ne dhe vendet si ne këtu në Europë përballë një sfide të dyfishtë. Nga njëra anë rritjes së aftësive profesionale të të rinjve tanë për t’ju përgjigjur nevojave të një tregu gjithmonë e më kërkues për krah dhe nga ana tjetër përballimi i presionit gjithmonë e më të fortë të vendeve të Europës për ta thithur këtë krah të kualifikuar. Rritja e pagave është patjetër A-ja për të cilën i gjithë alfabeti është i mangët dhe në formësimin e një vetëdije që kapitali nejrëzor i një ndërmarrje, biznesi, nuk është i fundit siç është trajtuar nga sipërmarrja për vite të tëra por është i pari”,-tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare foli edhe për rolin që duhet të luajnë ndërmarrjet apo bizneset private në Shqipëri. Rama mori si shembull sektorin e turizmit, që së fundmi ka njohur rritje të ndjeshme në Shqipëri dhe konsiderohet si industri e re. Në këtë aspekt, Kryeministri u shpreh se vendi ynë nuk përballet ende me mungesë të kapitalit njerëzor, por përballet me mungesë të profesionistëve dhe krahut të kualifikuar të punës.

“Dhe një ndarje më e drejtë e fitimit me vetë punonjësit nuk është çështje zemërgjerësie por çështje domosdoshmërie. Është mundësia për të ndërtuar një dialog të strukturuar me ndërmarrjen për nevojën e kontributit të drejtpërdrejt të kompanive në rritjen e kapaciteteve të shtetit për të formuar të rinjtë me zanatet dhe aftësitë e nevojshme për tregun në mënyrë që tregu të mos krijojë vende të lira pune që mbeten bosh jo më për shkak të kapaciteteve paguese, por për shkak të mungesës së aftësive për punë të caktuar. Dhe sot ne jemi përpara një fakti shumë kokëfortë posaçërisht në industrinë e turizmit që është një industri e re në Shqipëri në kuptimin e krijimit të një ekosistemi që po rrit me shpejtësi ambicien, dëshirën e investimeve për t’ju përgjigjur një kërkese marramendëse që vjen nga krijimi iSshqipërisë në sytë e botës si një destinacion turistik për t’u vizituar. Të gjitha komplekset apo strukturat hoteliere kanë jo vetëm paga të pakrahasueshme me 3-4 vite më parë por kanë edhe gatishmërinë për të paguar më shumë për të plotësuar nevojat e tyre. Dhe problemin e kanë tek kapitali njerëzor.

Kjo shkon ende në kundërshti me faktin që ne nuk kemi për momentin mungesë njerëzish, por kemi mungesë kualifikimi të njerëzve, nuk kemi mungesë të rinjsh, por kemi mungesë të rinjsh që mund ta zënë një vend duke i zotëruar aftësite për të cilat ai vend ka nevojë. Këtu nis nevoja për një strukturë të re të marrëdhënies mes industrisë dhe aktorëve në sektrorin publik, që nga qeveria, nga niveli qëndror, te bashkitë, shkollat profesionale, shtetërore ose private. Është koha për ne që ta ftojmë sipërmarrjen në një arsyetim të pashmangshëm, mbi nevojën e bashkërendimit të forcave, mbi nevojën e investimit të përbashkët me kushte të qarta, me përfitim reciprok që të punësojmë me paga dinjizote forca pune dhe për sipërmarrjet që të ketë forca pune që i paguan me paga dinjitoze”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Rama ka shtuar se sipërmarrja duhet të marrë pjesë në financime dhe të plotësojë detyrime që do t’i vendosin sipas xhiros për trajnime profesionale për ato apo për të tjerët për të krijuar një zinxhir të shëndetshëm për punonjës të kualifikuar. 

"Me një tjetër financim në qershor do mbulojmë nevojën për rindërtimin dhe rikualifikimin e shkollave dhe konvikteve të arsimit profesional. Një territor me kushte optimale. Në mënyrë që kur prindërit t’ia besojnë fëmijët shkollës së arsimit profesional, fëmija të rrijë me shokët në një strukturë që të plotësojë nevojat jo vetëm për mësim, ushqim, fjetje dhe aktivitete të tjera. Kthimi i arsimit profesional në trend të ri është patjetër domosdoshmëri dhe obketivi ynë, që do bëhet i mundur nëse sipërmarrjet do e kuptojë dhe do reagojë për nevojën që të financojë. Dhe të plotësojë detyrime që do i vendosim sipas nivelit të të ardhurave për trajnime profesionale për veten dhe të tjerët. Se në sistem të hapur ekonomik, krijimi i zinxhir të shëndetshëm sjell përfitime për të gjithë. Do rrisim investimet publike në arsimin profesional, mbështetjen nga buxheti i shtetit dhe do u kërkojmë kompanive me hir, shpresoj që s’do jetë nevoja që pahiri i ligjit ta bëjë këtë punë, që të përfshihen në financimit e arsimit profesional,"-shtoi Rama.

Kryeministri u shpreh se duhet të nisë një proces dialogu mes institucioneve shtetërore dhe sipërmarrjeve dhe të bashkërendojnë forcat. /ZËRI

Poll

MOS HUMB