
BASEL- Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka qenë protagoniste e një debati të fortë në aeroportin e Baselit në Zvicër, për shkak se kishte tejkaluar kapacitetin e e lejuar të bagazheve që kishte marrë me vete. Dëshmitarë të sherrit në aeroport, thanë për Zëri.ai se deputetja e PD-së është konfliktuar verbalisht me një prej punonjësve, i cili i ka shpjeguar deputetes që nuk mund të kalonte dy çanta të të tilla përmasave në aeroport (ndoshta edhe ndonjë produkt i palejuar në sasi të mëdha, si ato për kujdesin estetik).
Vokshi ka pretenduar se njërën prej çantave e ka blerë në 'Duty free', por një gjë e tillë është mohuar nga punonjësi i aerportit në Basel. Mësohet se deputetja ka qenë në shoqërinë e disa personave të tjerë, të cilët janë munduar që ta qetësojnë.
“Kontrolloje, kontrolloje”, është dëgjuar të thojë deputetja, që sigurisht ka tërhequr vëmendjen e shqiptarëve të pranishëm.
Ndërkohë që është dashur ndërhyrja dhe e një personi tjetër nga personeli në aeroport, për të sqaruar situatën me deputeten, që ndoshta në Basel nuk e njohin që është ligjvënëse në Kuvend. Por gjithsesi, rregullat janë bërë për t’u zbatuar!
Mësohet se deputetja është dorëzuar, dhe e ka lënë në aeroport produktin që fillimisht e kishte kërkuar me ngulm.
Zëri.ai ka kërkuar dhe një reagim nga deputetja Vokshi, nga e cila gjithashtu ka marrë një koment të shkurtër lidhur me çfarë ka ndodhur (sipas versionit të saj) në Basel.
"Aman, ça lajmesh koti. S'kishte asnjë incident. Me WizzAir, çdo njeri ka pasur jo njëherë probleme. Thjesht matën çantën a ishte në përmasat e duhura. E a duhej pagesë shtesë. Atje ku s'ka lajm, nuk e bëjmë dot lajm,"-ka thënë deputetja në një komunikim via "WhatsApp" me Redaksinë./Zëri.ai