
TIRANË- Vazhdojnë debatet në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, ku po shqyrtohet mocioni i deputetëve të opozitës, për deputetin socialist Vullnet Sinaj. Ky i fundit gjatë mbrojtjes së tij, u shpreh se punonjësit e marketeve, nuk e kanë ditur që faturat u janë prerë institucioneve shtetërore.
Sinaj: Do ju them një gjë për të qeshur, një punonjëse kishte prerë 11 fatura me Bibliotekën, dhe kur e pyeta se pse e ka bërë këtë, më tha që nuk e dinte që ishte institucion shtetëror. Unë nuk i kam administratorët e kompanisë dhe punonjësit me universitet, me 7-8 klasë shkollë i kam. Jo të gjithë punonjësit mund të jenë juristë si zoti Bardhi.
Ndërkohë që gjatë replikave të tij me Gazment Bardhin, Sinaj u shpreh se demokratin nuk e besojnë as deputetët e tij, dhe për këtë nuk janë mbledhur as firmat e të gjithë grupit për mocionin.
Sinaj: Ty nuk të besojnë as deputetët e tu, sepse e nxore lajmin në media, dhe nuk të besonin as njerëzit e tu.
Bardhi: Unë nuk e di kush të gënjen ty, nuk ka asnjë të vërtetë në këtë që po thua, ti nuk ke pse i fshihesh drejtësisë.
Sinaj: Sa për ligjin, në Maj të 2017 unë mora vendim si ortak i vetëm që biznesi im nuk do të bëhek pjesë e asnjë transaksioni me shtetin. Në QKB kemi dorëzuar dokumentin që të tërhiqemi nga çdo tender publik. Vendimi që kam marrë në Maj të 2017 është në fuqi edhe sot, vetë ju e thoni që deputeti i ka marrë të gjitha masat për të zbatuar ligjin për konfliktin e interesit.
Bardhi: Thjesht për ta sqaruar, deputeti ka dy ndalime, nga ligji dhe Kushtetuta. Deputetit nuk i lejohet që të jetë aksioner, edhe kur nuk bën transaksione me shtetin, por nuk keni zbatuar Kushtetutën.
Korreshi: "Big Market" janë shtuar apo pakësuar?
Sinaj: Ti do të kuptosh nga unë çfarë ka ndodhur me biznesin tim. E di ti sa supermarkete kam pasur unë para se të bëhesha deputet? Po të pyes unë ty tani. Si mund të jap përgjigje për punën e palodhur të punonjësve? Normale që janë shtuar se biznesi im ka qenë gjithmonë në rritje./ZËRI