
TIRANË- Kryeministri Edi Rama shprehet se Shqipëria ka ambicie të punojë me të gjithë të tjerët për të ecur përpara drejt zonës së përbashkët të pagesave euro lehtësimit të tregtisë së transportit dhe tregut digital. Në konferencën e përbashkët me komisionerin Varhelyi, ai tha se për shkak të pengesës për një kohë të gjatë të Ballkanit të Hapur, të Procesit të Berlinit, CEFTA-s vazhdojmë të kemi një rajon ku koha e pritjes së kamionëve është 26 milionë orë ndërsa në BE nuk ka pritje. Kreu i qeverisë theksoi se me planin e ri të rritjes do të hapen korsitë e gjelbërta mes rajoneve dhe BE-së.
"Kur vjen fjala te paratë kur thashë se vetëm duke ulur koston e transaksioneve financiare, apo thënë thjesht, shqiptarët jashtë që dërgojnë para në shtëpi dhe paguajnë 6 herë më shumë sesa evropianët kur dërgojnë para nga një pikë në tjetrën brenda BE, shkoj në një vlerë kursimi prej gjysmë miliardi për rajonin. Vlera e transaksioneve aktualisht që kryhet nga qytetarët tanë përmes bankave për dërgesat është e ulët, shumica vjen me para në dorë. Një arsye është kostoja sepse dërgon para në shtëpi përmes bankës dhe paguan koston e transaksionit që është 6 herë më e lartë se fqinji yt austriak. Janë 24 milionë, shifër e ulët sa i takon numrit të transaksioneve por është vlerë e jashtëzakonshme. Janë shumë para. Kur flasim për paratë, sot edhe për shkak të pengesës për një kohë të gjatë të Ballkanit të Hapur, të Procesit të Berlinit, CEFTA-s vazhdojmë të kemi një rajon ku koha e pritjes së kamionëve është 26 milionë orë ndërsa në BE nuk ka pritje. Nëse do të shkoni në Qafë-Thanë do të shihni aty një kanal mbi të cilin thuhet se keni arritur në korsinë e gjelbër që e kemi bërë në kuadër të Ballkanit të Hapur. Por cfarë presupozohet të bëjmë sot në kuadër të planit të ri të rritjes? Korsitë e gjelbëra midis të gjithëve ne dhe BE. Pra korsi të gjelbëra midis nesh dhe Italisë, midis nesh dhe Greqisë, Malit të Zi, Serbisë e Hungarisë e kështu më radhë. Thjesht duke shkurtuar me tre orë për kamionë kohën e pritjes ne mund të rrisim PBB tonë me 3 përëqind. Janë para që vijnë vetëm duke shkurtuar procedura burokratike të kota", tha Rama.