Politikë

Rama: Uroj që kryebashkiakut t’i bëhet një gjyq i drejtë

Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se nuk mund ta caktonte ai nëse Veliaj ishte i pafajshëm apo jo, por shton se e vetmja gjë që kërkon është gjyq dinjitoz.

k.m.
Rama: Uroj që kryebashkiakut t’i bëhet një gjyq i
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit më punonjësit e bashkisë së Tiranës, tha se kryebashkiakut Erion Veliaj duhet që t'i bëhget një gjyq i drejtë. Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se nuk mund ta caktonte ai nëse Veliaj ishte i pafajshëm apo jo, por shton se e vetmja gjë që kërkon është gjyq dinjitoz.

“Që Shqipëria e nesërme të jetë e drejtë dhe e barabartë me të gjithë. Siç është Tirana europiane për të gjithë, duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të luftojmë. Këto dhimbje janë të padrejta, por nuk duhet të lëkundemi, përndryshe asgjë nuk ndryshon, ose ndryshon për keq, degradon, kalbet, siç u kalb Tirana. Kur në vitin 2000, unë hyra në Bashki dhe kishte vetëm 78 llamba neoni që ndizeshin nëpër Tiranë. Përfytyrojeni ju më të rinjtë dhe ata që jetojnë sot ku e ku me atë që jetonin dje. 78 llamba neoni fiks, asnjë më shumë. Nga ndërprerjet e pafundme të energjisë elektrike, Tirana dukej natën si një varrezë-qytet. Që ta mbyll këtë parantezë, nuk më takon mua që Lali Eri është i pafajshëm ose fajtor. Pavarësisht se çfarë mendojmë ne këtu, barra ime është që të qëndroj në opinionin tim dhe t’ia lë drejtësisë ta zgjidhë këtë. Barra juaj është që makineria e Bashkisë së Tiranës mos të fiket në asnjë minutë. Vëmendja ime për Tiranën, për bashkinë do të jetë e pandërprerë. Uroj dhe dua të besoj akoma te pafajësia e tij, organet e drejtësisë do t’i japin kryebashkiakut të Tiranës një gjyq dinjitoz, duke i dhënë fund praktikës brutale pa gjyq për kryebashkikë ose punonjës shteti në detyrë, kur nuk janë arrestuar në flagrancë ose kur nuk kanë çfarë provash të prishin,”- u shpreh ndër të tjera Rama.

Po ashtu pasi disa komente edhe për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilit nuk i referohet me emër, por me epitetin "bufi i kënetës". Sipas kryeministrit, as opozita dhe askush tjetër nuk e tjetërson dot punën që sipas tij maxhoranca ka bërë për të ndryshuar vendin. Por shton se ata që punojnë edhge gabojnë.

Edi Rama: Asnjë buf kënete dhe as ndonjë specie tjetër kënetë nuk e mbulon dot diellin e transformimit kolosal të Tiranës sonë, ku pa mua që e nxora nga koma dhe e ngrita në këmbë, dhe pa Lali Erin që e bëri të vrapojë dhe të kthehet në një destinacion turistik, ky qytet nuk do ishte dot kurrë vendi ku sot shëtisin si europianë të gjithë… Edhe drejtësia e re do të marrë vitet e saj deri sa të ndërtohet dhe njësoj si në të gjithë që në detyrën tonë bën gabime, bën me shumë gabime ai që punon më shumë se ai që s’di ç’është puna, dhe organet e drejtësisë nuk kanë si të jenë të pagabueshëm. E di se gabimet tona nuk shkatërrojnë punën, familje, interesat publike, siç ndodh kur gabon drejtësia, dhe të kërkosh nga një drejtësi e re me kaq pak kulturë europiane dhe në një klimë të hajvanizuar totalisht nga gjykatës dixhital dhe nga opozitarët kallajdaj, që të mos gabojë është njësoj si të hedhësh një fëmijë në ujë dhe t’i thuash mos u lag./ZËRI

Poll

MOS HUMB