
TIRANË- Kur na ndan rreth një vit nga zgjedhjet parlamentare ku do të zgjidhet Kuvendi i ri dhe po ashtu Qeveria, palët politike në vend janë ende larg zgjidhjes së Reformës Zgjedhore, e cila vijon të zvarritet, ndërsa ndërkombëtarët dhe kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi bëjnë thirrje për mbylljen e saj.
Vota e emigrantëve është ajo që të gjitha palët e kërkojnë, por konsensusi mbetet ende larg. Vetë Gjykata Kushtetuese, u vendosi “ultimatum” palëve politke që në zgjedhjet e ardhshme të garantohet vota e emigrantëve, pasi sipas GJK në zgjedhjet parlamentare në vitit 2021 u shkel kjo drejtë, për shkak të boshllëqeve ligjore.
Si Partia Demokratike ashtu dhe ajo socialiste, e kanë në propozimet e tyre votën e emigrantëve, por realizimi i saj është sërish në kërcënim të afateve, duke qenë se zgjedhjet nuk janë më aq larg. Por ku ndahen palët për këtë.
Partia Socialiste propozon që emigrantët të votojnë përmes postës, zarfi me vullnetitn e tyre mos të mbërrijë në KQZ pas ditës së votimit. Por demokratët mendojnë ndryshe. Xhelal Mziu, gjatë mbledhjes së grupit demokrat është shprehur se votimi i emigrantëve të mos bëhet përmes e-Albania (Ata që do të regjistrohen), por të kenë mundësi të votojnë të gjithë.
“Në Kodin Zgjedhor, propozohet ndryshimi duke përcaktuar afat kohor brenda të cilit KQZ duhet të miratojë aktet përkatëse nënligjore për votimin e shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit (psh jo më vonë se 6 muaj nga fillimi i periudhës zgjedhore të vitit 2025) si dhe kohën se kur KQZ fillon procedurën e regjistrimit të shtetasve me banim jashtë vendit dhe që kanë shprehur vullnetin për të votuar në zgjedhjet parlamentare”, thuhet në propozimin e sociualistëve.
Një tjetër pikë që ndan të majtët dhe të djathtë, është kërkesa e ekspertëve të PS, të cilët propozojnë depolitizimin e Komisoneve Zgjedhore. Demokratët shprehen se punonjësit e administratës publike nuk mund të garantojnë votën pasi janë nën presion politik.
Por listat e hapura duket se bashkojnë në qëndrime deputetët e Partisë Demokratike. Lulzim Basha, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Asllan Dogjani apo dhe Dashnor Sula janë në një mendje. Sula ka deklaruar se nëse listat e hapura nuk përfshihen në Reformën Zgjedhore, atëherë ai do votojë kundër. Por mazhoranca ka shprehur rezerva ndaj këtij propozimi duke dashur të qëndrojë tek sistemi i vjetër elektroral.
Po ashtu, Oerd Bylykbashi, i cili është propozuar për të qenë dhe nënkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zghjodhore, propozon dhe rikthiminin e koalicione parazgjedhore, të rrëzuar në vitin 2020 nga mazhoranca.
Propozimet e Bylykbashit:
Rikthimin e koalicioneve me listë të përbërë ku secila parti antare e një koalicioni ka të drejtë të garojë me emrin e saj në fletën e votimit duke i dhënë zgjedhësit të drejtën të votojë për partinë që preferon, brenda koalicionit. Kjo formë koalicioni ka funksionuar me sukses dhe pa asnjë problem nga 2003-2020 dhe ka siguruar dy rotacione politike (2005 dhe 2009).
Eleminimin e pabarazisë së votës dhe padrejtësisë së rezultatit që prodhuan ndryshimet e njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor (korrik dhe shtator 2020) në sistemin zgjedhor.
Partia Demokratike qëndron plotësisht për listat e hapura në përputhje me standartin e aplikuar nga shumica dërrmuese e mbi 90% të vendeve që përdorin listat e hapura.
Propozimet e Xhelal Mziut:
1.Rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.
2.Vota e 100% e diasporës, jo sipas e-Albania, por të gjithë.
3.Ashpërsimi deri 10 fish të masave penale ndaj çdo kujt që cënon ligjin dhe tjetërson votën e lirë.
4.Listat e hapura ngelen të rëndësishme.
5.Votë detyruese për qytetarët.
6.Votim elektronik dhe numërim elektronik si vendet e BE.
7.RIFORMATIM me 6 rajone.
Propozimet e Partisë Socialiste:
Depolitizimi i komisioneve zgjedhore
Vota e emigrantëve
Transparenca për fondet
Propozimet e Luylzim Bashës:
Lista të hapura
Barazia e votës
Vota e diasporës
President nga populli
Propozimet e Agron Dukës:
Zgjerimi i zonave, mos të jenë më 12 por të jenë 3-4
Listat e hapura
Votat e emigrantëve
Propozimet e plota të PD-së së Rithemelimit:
Duke konsideruar se:
1. Problemet e zgjedhjeve në Shqipëri, sikurse evidentuar nga raportet e opozitës por mbi të gjitha nënvizuar me forcë nga Raportet përfundimtare të zgjedhjeve të ODIHR për zgjedhjet për Kuvendin 2021 dhe zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore 2023, janë të një natyre tejet të rëndë dhe kërkojnë adresim të menjëhershëm nëpërmjet forcimit të mekanizmave ligjorë dhe rikthimit të garantimit të zgjedhjeve në krye të prioriteteve të agjencive ligjzbatuese.
Këto problematika të rënda, rikthejnë pas më shumë se 2 dekadash kryefjalën te fshehtësia dhe liria e votës, hartimi i listave korrekte të zgjedhjeve, keqpërdorimi i skajshëm i burimeve shtetërore dhe administratës publike nga partia në pushtet, etj.
2. Një reformë e vërtetë konsensuale zgjedhore mes mazhorancës dhe opozitës është thelbësore dhe parësore për stabilitetin demokratik. Është e favorshme për normalizimin e krizës politike që ka përfshirë parlamentin dhe politikën në Shqipëri.
Një reformë zgjedhore konsensuale në dekadën që përfshin 2002-2012, e kryer përmes komiteteve parlamentare dypartiake-opozitë, ka ofruar një kuadër ligjor të shëndoshë siç thuhet nga OSBE/ODIHR dhe ka përmirësuar vazhdimisht zgjedhjet. Një reformë e tillë konsensuale ishte në thelb të dy rotacioneve paqësore të pushtetit, në 2005 kur koalicioni i qendrës së djathtë i udhëhequr nga PD erdhi në pushtet dhe në 2013 kur një aleancë e udhëhequr nga socialistët mori detyrën.
Një komision dhe një proces reformash i besuar reciprokisht kanë ndihmuar shpesh në shterimin e konfliktit politik, në rritjen e legjitimitetit të zgjedhjeve dhe si rezultat, në vitin 2013, zgjedhjet u hoqën nga lista e problemeve në lidhje me integrimin në BE.
3. Në kushtet e mësipërme Partia Demokratike angazhohet të kontribuojë aktivisht për adresimin e menjëhershëm të problematikave të rënda që ka procesi zgjedhor në Shqipëri nëpërmjet dhënies së kontributit dhe konsensusit në tryezën e Reformës Zgjedhore sapo të garantohen parakushtet minimale të një funksionimi normal të mekanizmit për të adresuar këtë reformë.
a) Procedurialisht nëpërmjet,
- Garantimit të gjithëpërfshirjes dhe përfaqësimit të drejtë të opozitës parlamentare në të;
- Garancive që vetëm produkti i dakordësuar i komisionit bipartisan të reformës zgjedhore do të diskutohet dhe eventualisht votohet në Kuvendin e Shqipërisë.
b) Substancialisht
- PD kërkon rikthimin te dakordësia e fundit e arritur nëpërmjet pozitës dhe opozitës ( 5 qershor 2020), për të cilin ka dhe një marrëveshje të firmosur nëpërmjet palëve dhe të mbështetur nga partnerët strategjikë dhe organizatat ndërkombëtare, e për pasojë zhbërjen e pasojave dhe ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor ( korrik dhe shtator 2020), posaçërisht për:
o rikthimin e koalicioneve me listë të përbërë ku secila parti antare e një koalicioni ka të drejtë të garojë me emrin e saj në fletën e votimit duke i dhënë zgjedhësit të drejtën të votojë për partinë që preferon, brenda koalicionit. Kjo formë koalicioni ka funksionuar me sukses dhe pa asnjë problem nga 2003-2020 dhe ka siguruar dy rotacione politike (2005 dhe 2009).
o Eleminimin e pabarazisë së votës dhe padrejtësisë së rezultatit që prodhuan ndryshimet e njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor (korrik dhe shtator 2020) në sistemin zgjedhor.
o Partia Demokratike qëndron plotësisht për listat e hapura në përputhje me standartin e aplikuar nga shumica dërrmuese e mbi 90% të vendeve që përdorin listat e hapura.
- PD angazhohet të adresojë nëpërmjet përmirësimit të kuadrit ligjor ekzistues dhe vecanërisht të forcimit të kornizës ligjore penale rekomandimet përfundimtare të ODIHR të përmbajtura në raportet 2021 dhe 2023, me fokus tek:
o Përfshirja e shtetit në zgjedhje, përdorimi i burimeve shtetërore dhe pushtetit normative në favor të partisë në pushtet;
o Shitblerja e votës dhe posaçerisht blerja e të drejtës së votës së zgjedhësit për të votuar duke i penguar të dalin në votim. Votimi i detyrueshëm siguron ushtrimin e plotë të së drejtës së votës (sipas shembujve të Greqisë, Belgjikës, Australisë).
o Cënimi i sekretit dhe lirisë së votës, veçanërisht nëpërmjet sistemit të patronazhimit, përdorimi të të dhënave personale të mbledhura nëpërmjet institucioneve shtetërore, ushtrim i presionit para dhe gjatë ditës së votimit.
- PD angazhohet të kontribuojë që në një kohë sa më të shkurtër, të bëjë realitet votën e të gjithë shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë vendit, aty ku ata banojnë, sipas detyrimeve aktuale që burojnë nga Kodi Zgjedhor, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 9 dhjetor 2022, me të njëjtat standarte dhe garanci si shtetasit që votojnë brenda vendit. Sistemi i votimit të shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë vendit duhet të thjeshtohet nga procedurat e rënduara të regjistrimit me qëllim shmangien e kontrollit dhe filtrave qeveritare. Sistemi i votimit për këtë kategori zgjedhësish duhet të jetë efikas dhe i paanshëm dhe nuk duhet të shërbejë për të ndikuar njëanshmërisht në rezultat.
- PD angazhohet që të analizojë me seriozitet problematikat serioze të shfaqura në zgjedhjet e fundit përsa i përket procesit të votmit dhe numërimit elektronik, me qëllim arritjen e një vendimarrje përfundimtare e cila di t’i japë fund fazës hibride të pilotimit të tij në disa zona, nëpërmjet shtrirjes së tij në të gjithë vendin, ose heqjes dorë përfundimisht prej këtij sistemi. KQZ ka dështuar të zbatojë garancitë që ligji parashikon për zgjedhësin që të konfirmojë dhe hedhë votën në liri të plotë. Votimi nga persona të tretë dhe/ose operatorë teknikë të KQZ përbën vepër penale dhe ësht antikushtetues sipas jurisprudencës kushtetuese te 2002. Mungesa e një auditimi të pavarur të çertifikuar, pas tre pilotimesh nga viti 2021, cënon besimin në menaxhimin e votimit elektronik.
- PD angazhohet të rikthejë balancimin dhe besueshmërinë e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor. Zgjedhet e fundit kanë demonstruar kontroll politik të njëanshëm organeve kryesore të administrimit dhe drejtësisë zgjedhore, me pasojë refuzimin e ankesave të mbështetura në fakte dhe ligjërim të praktikav të paligjëshme në favor të partisë në pushtet, me pasoja të rënda mbi zgjedhjet.
- PD angazhohet qe të kontribuojë për të forcuar sanksionet penale për financimin e paligjshëm elektoral vecanërisht të atij me orgjinë të huaj me qëllim evitimin e infiltrimit të këtij lloj financimi në procesin zgjedhor dhe mbajtjes përgjegjës penalisht në mënyrë të drejtpërdrejtë, personave/ subjekteve që përfitojnë prej tij.
- PD angazhohet që, në përputhje me rekomandimin e parë prioritar të Raportit Final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 14 majit 2023, të kontribuojë për të bërë vërtet efektive ndalimet dhe sanksionet e përmbajtura në kornizën ligjore aktuale për keqpërdorimin e burimeve dhe resurseve shtetërore, shitblerjes së votës dhe keqpërdorimit të të dhënave personale, nëpërmjet adoptimit të një mekanizmi të përhershëm mbikqyrës, por të pajisur me fuqi ekzekutive, me përbërje përfaqësues të prokurorisë së posaçme, prokurorisë së përgjithshme, përfaqësues të KQZ dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese, të drejtuar nga prokuroria e posaçme./ZËRI