
TIRANË- Akuzat e Ilir Metës ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani duket se nuk u kanë shpëtuar radarit të ndërkombëtarëve. Ndryshe nga dje, kur të vetmit që reaguan ishin Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sot pati reagime nga ambasadat e huaja. E gjitha nisi me postimin e bërë nga Ambasada Amerikane, e cila doli hapur në krahë të Dumanit, duke e mbështetur për të vijuar me punën e tij.
REAGIMI I AMBASADËS SË SHBA
Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t'i japin fund pandëshkueshmërisë.
Nëse reagimi i Ambasadës Amerikane ishte në mëngjes, më vonë ka reaguar edhe ambasadori britanik, Alastair King-Smith ka shprehur mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë, SPAK dhe përpjekjet e saj jetike për përmirësimin e llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Reagimi i Ambasadorit britanik në Tiranë:
"Ambasadori konfirmoi në takimin e përbashkët të donatorëve të SPAK, javën e kaluar, angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të ofruar asistencë shtesë dhe ngritjen e kapaciteteve për punën e SPAK, në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga kryeprokurori i posaçëm, Altin Dumani dhe Agjencia Kombëtare kundër Krimit (NCA), si dhe hetimet e përbashkëta me agjencitë e tjera ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar."
E fundit, por jo nga rëndësia ishte delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, që po ashtu dolën në krah të Dumanit. Por ndryshe nga ambasadori britanik dhe në ngjashmëri me Ambasadën Amerikane, nuk përmenden emra.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri: Sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Ne mbështesim dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të deklaratave të fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Edhe pse duket qartë që reagimet i kanë si pasojë e akuzave të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, këtë të fundit nuk e kanë përmendur me emër. Arsyeja nuk dihet. Por qëndrimi është i qartë, janë në krah të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Madje e inkurajojnë insitutucionin e drejtësisë që të vazhdojë hetimet dhe t'i japë fund korrupsionit në vendin tonë. Lidhur me reagimet e ambasadave, deri tani të paktën, nuk ka asnjë reagim nga kreu i PL-së. Ndërsa për Dumanin, mëngjesin e sotëm dedikoi një konferencë të tërë për ta sulmuar sërish. Por sot, ndryshe nga dje, nuk mori asnjë përgjigje./ZËRI