
TIRANË- Ka nisur Samiti për Ukrainën i cili do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve. Kryeministri Edi Rama dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy po presin në hyrje të sallës liderët pjesëmarrës. Mes tyre edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ka thënë për mediat se në këtë samit do të shprehet në hapa konkretë mbështetja për Ukrainën.
"Ka shumë rëndësi sepse do kemi mundësi që si aleatë në vlera të japim gjithë mbështetjen tonë për Ukrainën siç kemi bërë nga dita e parë e agresionit të paprovokuar rus. Këtë do ta bëjmë edhe më tej. Sot në samit do të flasim për hapa konkretë", tha ajo.
E pyetur nëse do të kërkojë nga Ukraina njohjen e Kosovës, ajo shprehu bindjen se ky moment do të vijë pas fitores së Kievit në luftën me Rusinë.
"Këto janë çështje bilaterale, do ta bëjmë një kërkesë të tillë me mirëkuptimin e plotë se Ukrainë është në situatë lufte dhe jam e bindur se ai moment do të vijë", tha ajo.