
TIRANË- Në një kohë që Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet, dhe ka marrë të pandehur Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin, për dosjen Partizani, vajza e ish-kryeministrit ka dalë sot në një deklaratë për mediat.
Argita Malltezi tha se aktakuza e SPAK është një dekoratë për Berishën, pasi edhe pse u kalua në sitë e gjithë pasuria e tij në këto 30 vite, nuk u gjet nga Prokuroria asnjë shkelje. Sipas Argita Malltezit, babai i saj nuk e ka shkelur kurrë ligjin, dhe dosja e SPAK është e montuar me akuza politike dhe jo ligjore.
“Aktakuza është dekoratë për Sali Berishën pasi ka bërë vettingun 30 vjeçar të pasurisë së tij dhe familjarëve të tij dhe nga ky vetting rezulton se Berisha nuk ka shkelur ligjin dhe nuk ka pasur kurrë përfitim të paligjshëm. Nëse do të kishte pasur do të ishte në gjyq për këto shkelje apo përfitime dhe jo për tokën e gjyshes së Jamarbër Malltezit.
Kjo aktakuzë tregon falsifikimet që janë bërë nga ato që kanë qenë shtyllat kryesore të hetimit. Në radhë të parë në lidhje me pronën nuk kanë mundur të shtyhen në mashtrimin që coi në arrestin e Berishës dhe Malltezit se gjoja ka qenë e shpronësuar nga Italia. Ne kemi vënë në dispozicion dokumentet që provonin kthimin e pronës dhe më pas kemi bërë publike dokumentet që lidhen me fletoren zyrtare”, tha ndër të tjera Argita Malltezi.
Teksa vazhdoi deklaratën e saj, Malltezi tha se nga ndryshimi i ligjit për kthimin dhe kompesimin e pronave, kanë përfituar 500 mijë qytetarë, dhe jo vetëm familja e bashkëshortit të saj, siç pretendon SPAK-u. Po ashtu Malltezi tha se ish-kompleksi Partizani, në kohën e privatizimit të tij, e kishte humbur funksionin, dhe nuk shërbente për aktivitete sportive. Ajo tha se Prokuroria ka fshehur përfshirjen e ministrave socialistë në privatizimin e kompleksit, duke shtuar se bashkëshorti i saj ka pasur trashëgimi një sipërfaqe më të mëdha toke, dhe jo aq sa pretendon Prokuroria e Posaçme. /ZËRI