Politikë

Thellohet përçarja, Meta mbyll gojën për paktin PS-Rithemelimi, heshtje "varri" në Partinë e Lirisë

Mos vallë, si aleat, as Bardhi dhe as Berisha nuk janë konsultuar me të për këto negociata?

k.m.
Thellohet përçarja, Meta mbyll gojën për paktin
Bledi Çuçi, Ilir Meta dhe Gazment Bardhi

TIRANË- Negociatat mes opozitës dhe maxhorancës nisën që të përfliteshin në media një javë më parë, derisa u finalizuan dje në takimin e bërë jashtë lentes së kameravë në Konferencën e Kryetarëve. Takimi, i pari mes dy palëve që nga tetori është komentuar nga të gjithë, që nga vetë demokratët, deri tek kryeministri Edi Rama. Edhe pse me zëra kundër brenda selisë blu, siç ishte Tritan Shehu dhe Ervin Salianji, Gazment Bardhi me "bekimin" e Sali Berishës shkoi dhe u dakordësua për 3 pika. Ngritjen për 2 komisione hetimore, për TIMS, Sterilizimin dhe Check-up, e po ashtu edhe për ngritjen e një nënkomisioni për Reformat, me nga 2 përfaqësues nga selia parti. Pa mbaruar mirë takimi, nisën reagim, nga Dashamir Shehi, tek Enkelejd Alibeaj, për t'u zhvendosur më pas tek diplomatët e vendeve aleate të Shqipërisë. Pro, apo kundër, të gjithë e kishin diçka për të thënë lidhur me aktin e parë të marrëveshjes mes dy partive më të mëdha në vend.

Tërthorazi vendimin e komentoi edhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili nga dritarja e shtëpisë së tij u tha demokratëve sërish se zgjidhje për mbajtjen gjallë të pluralizimit në vend, e sjell vetëm një qeveri teknike. Përgjigjen ia dha sot vetë kryeministri Edi Rama duke e sfiduar sërish, teksa e paralajmëroi se është 3 hapa para edhe në këtë situatë. Ndonëse vetë heshti, Lulzim Basha autorizoi disa herë Enkelejd Alibeajn që të komentonte marrëveshjen, për ta cilësuar si "pazar okult" që bëhej mes dy palëve, njëjtë si në vitin 2008 për ndryshimet kushtetuese. Ndoshta, vetë Basha nuk ka pasur mundësi të komentojë këtë marrëveshje të demokratëve pasi edhe vetë më 18 maj 2017 shtrëngoi duart me Ramën, por për të zgjidhur një ngërç politik, por Ilir Meta, ç'hall ka?

Deri më tani, dje dhe sot, rreth 48 orë, jo vetëm që nuk e ka komentuar vetë, por asnjë prej deputetëve të tjerë nuk ka zgjedhur që të komentojë lidhur me atë që ndodhi. Qoftë për mirë, qoftë për keq, kampet "Basha", "Berisha", "Aleatët" dhe vetë Rama e kanë dhënë mendimin e tyre. Por heshtja ka pllakosur kampin e kuq të ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim. Zakonisht, në kësi rastesh, ish-presidenti e ka gjithmonë një fjalë për të thënë, por dje u mjaftua vetëm me një video të publikuar teksa palestrohej. 

Mos vallë, si aleat, as Bardhi dhe as Berisha nuk janë konsultuar me të për këto negociata? Mos është kundër marrëveshjes, por ka zgjedhur që ndryse nga Salianji&Co të mos flasë për të dëmtuar opozitën? Mos ndjehehet i tradhëtuar duke marrë parasysh faktin që në nënkomision do të ketë vetëm 2 opozitarë dhe ato do të jenë të Partisë Demokratike? Apo thjesht është dakord dhe s'ka asgjë për të shtuar? Nëse do ishte dakord, çfarë e pengon që të mos fliste për atë që të gjithë po e komentojnë? Dje, por edhe sonte, e gjithë vëmendja është pikërisht në këtë marrëveshje që ka ringjallur edhe njëherë politikën në vend, pas 6 muajve koma. Pikëpyetjeve të ngritura mund t'u japë përgjigje vetëm Meta, ose ndonjë i autorizuar prej tij. Por deri atëherë, na mbetet vetëm që të aludojmë. Ose ta pyesim vetë në konferencën e radhës me mediat./ZËRI

Poll

MOS HUMB