
TIRANË-
TIRANË- Është zhvilluar sërish me debate të forta mbledhja e Komisionit Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS. Opozita dhe mazhoranca janë përplasur për listën e pesonave që do të thirren për të dëshmuar në Komision. Deputeti socialist Xhemal Qefalia u shpreh se për personat që janë në listë për të dëshmuar, ti dërgohet një kërkesë Prokurorisë për tu informuar nëse janë në kushte ligjore për ti thirrur. Por kjo u kundërshtua nga kreu i Komisionit, Ervin Salianji. Ky i fundit tha se ky propozim është një mënyrë e PS për të zvarritur punën e Komisionit Hetimor.
Xhemal Qefalia: T’i nisim shkresën Prokurorisë. Të gjithë këto individë që janë thirrur nga Prokuroria, të dërgohet shkresa e firmosur nga kryetari dhe nënkryetari, ta pyesim Prokurorinë a jemi në kushtet ligjore për t’i thirrur? Kalendarin e thirrjes së dëshmitarëve ta miratojmë pa data. Nisim shkresat dhe të vazhdojmë sa më shpejt.
Ervin Salianji: Ju lutem! Tallava nuk e kthejmë dot, nuk e bëjmë dot, as për të tallur ndonjë gjë nuk e tallim dot. Kemi rënë një dakordësi për këtë kalendar. Ça thoni do miratojmë dëshmitarët pa datë? Është plani i hetimit pa datë, ça do miratojmë ne? Jemi këtu për të zbatuar planin e hetimit të dakordësuar vetëm me një votë kundër. Ju thoni planin e hetimit që kemi miratuar, ta miratojmë prap. Doni ta mbani zvarr prap? Për pyetjen si dëshmitarë të personave që do të thirren nga Prokuroria, Gjykata për procesin penal të lidhur eventualisht me çështjen objekt hetimi, komisioni merr leje paraprakisht. Ne nuk kemi këtë objekt, nuk kemi punë me Prokurorinë, kërkojmë të pyesim dëshmitarët se ccfarë ka kërkuar keq. Duam të thërrasim dëshmitarët për atë që supozojmë, për grup të strukturuar kriminal. Ju doni të bllokoni planin. Sa herë vini në mbledhjen pasardhëse, e keni problem se çfarë keni miratuar në mbledhjen e kaluar. A doni të biem dakord? T’i thërrasim të mërkurën dhe të rrimë deri të premten…I thërrasim të gjithë. Do bëjmë një miratim të logjikshëm? Ju thoni të vinë këta të dy, pastaj të shohim a do ftojmë ca të tjerë.
Në fund mes debatesh u miratua dhe kalendari i personave që do të thirren për të dëshmuar. Të parët në listë janë dy drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit dhe sigurisë, ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i PSH-së Muhamet Rrumbullaku. Në listën e personave që do të vijnë në komision për të dëshmuar është dhe Ervin Muça, i cili aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë "arrest shtëpie". Muça ka mbajtur postin e drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit. Sipas kalendarit, procesi i marrjes së dëshmitarëve do të përfundojë më 31 maj.
KALENDARI I THIRRJES SË DËSHMITARËVE:
Datë 15.05.2024, ora 17:00
1. Ministri i Brendshëm, Z. Taulant Balla
2. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Z. Besnik Dervishi
Datë 17.05.2024, ora 11:00
1. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Muhamet Rrumbullaku
2. Ish Drejtor i Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, Z. Ervin Muça
3. Drejtor i Sistemeve të Policisë në Policinë e Shtetit, Z. Enri Ndoni
Datë 27.05.2024, ora 17:00
1. Ish Përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit, Z. Ardit Muço
2. Ish-Drejtor i Agjencisë Mbikqyrjes Policore, Z. Ardi Veliu
Datë 29.05.2024, ora 17:00
1. Drejtor i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Z. Florian Sulejmani
2. Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Z. Saimir Boshnjaku
3. Drejtor i Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Z. Zef Laska
Datë 31.05.2024, ora 11:00
1. Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Z. Neritan Nallbati
2. Ish Drejtor i Autoritetit Kombëtar të Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Z. Dorian Tola
3. Drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, znj. Vlora Hyseni
4. Drejtore e Krimit Kibernetik, në Policinë e Shtetit, znj. Ervina Gjana
5. Ish Drejtor i Sistemeve, në Policinë e Shtetit, Z. Besjan Tanuzi./ZËRI