
TIRANË- Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka reaguar në lidhje me zgjedhjet në Himarë. Në rrjetet e tij sociale, Celibashi ka ndarë pamje nga Qendrat e Votimit duke u shprehur se deri më tani nuk ka asnjë problematikë. Ndër të tjera, Celibashi shkruan se identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe se procesi vijon normalisht.
Ilirjan Celibashi: Prej orës 7 të mëngjesit ka nisur procesi zgjedhor për kryetarin e Bashkisë Himarë. Të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika. Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika. Të 36 qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00, në mënyrë që qytetarët e Himarës të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Në total janë 36 qendra votimi në Himarë, që do të jenë të hapura deri në orën 19:00. Më pas, do të nisë numërimi.
Gara zhvillohet mes Vangjel Tavos që kandidon nën siglën e PS dhe kandidatit opozitar Petro Gjikuria. Zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë vijnë pas burgosjes së ish-kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri dhe dënimit të tij nga gjykata me dy vjet heqje lirie për blerje votash./ZËRI