
SHBA- Këngëtarja Taylor Swift duket se është distancuar nga miqësia e saj me Blake Lively, pasi emri i saj u përfshi në betejën ligjore midis aktores dhe regjisorit të saj It Ends With Us, Justin Baldoni. Sipas informacioneve të Page Six, këngëtarja me famë botërore ka zgjedhur të distancohet nga shoqja e saj. “Taylor është lënduar vërtet nga e gjithë kjo situatë dhe ndihet sikur po përdoret si peng”, tha një burim pranë saj, i cili foli në kushte anonime.
I njëjti burim shtoi se këngëtarja fituese e Grammy-it po mban distancë si nga Blake Lively ashtu edhe nga bashkëshorti i saj, Ryan Reynolds. “Taylor nuk dëshiron të përfshihet me këtë çështje. Ajo ka qenë gjithmonë një mike besnike e Blake dhe nuk i pëlqen që emri i saj të përfshihet fare”.
Miqësia e tyre filloi në vitin 2015, kur Blake Lively postoi një foto nga një fushatë e L'Oréal që i referohej videoklipit muzikor të Taylor Swift, Bad Blood. Kjo tërhoqi vëmendjen e këngëtares duke i bërë ata të afrohen më shumë. Këngëtarja 35-vjeçare u përfshi në betejen ligjore mes Lively-t dhe kolegut të saj, Baldoni, kur ai pretendoi në gjykatë se Lively përdori miqësinë e saj me Swift-in për ta frikësuar atë gjatë një takimi me bashkëshortin e saj, Ryan Reynolds, për ndryshimet në skenarin e një skene në film.
Në padinë prej 400 milionë dollarësh që Baldoni ngriti muajin e kaluar, ai tha se prania e Swift në takim e bëri atë të ndjente se duhej të pajtohej me udhëzimet e skenarit të Lively. Aktorja 37-vjeçare në mesazhet e shkëmbyera me Baldonin e krahasoi veten me Khaleesi nga “Game of Thrones”, duke i quajtur Reynolds dhe Swift “dragonjtë e saj”.
Sipas burimeve të cituara nga TMZ, Swift është e mërzitur që Lively "përdori emrin e saj" në polemika dhe nuk ishte në dijeni që ajo do të takohej me Baldonin atë natë në apartamentin e aktores.
“Edhe pse Taylor dhe Blake janë miq, ky rast tani ka të bëjë me drejtësinë. Përfshirja e Taylor është e panevojshme dhe shtrembëron realitetin”, tha një person në dijeni me çështjen.
Rasti vjen në një kohë kur e kaluara e Lively është vënë nën vëzhgim, me zbulimet që nxjerrin në pah një personazh më "ndryshe" të aktores. Burimet thonë se Swift ishte përpjekur ta "qetësonte" në të kaluarën, por e dinte që ajo nuk do të ndryshonte. Taylor Swift është distancuar nga Blake Lively pasi aktorja e përfshiu atë në aferën Justin Baldoni.
“Taylor e admiron Blake për drejtësinë e saj, por ajo e di se ndryshimi midis tyre është se ajo vepron me kujdes, ndërsa Blake merr hapa të shpejtë, pa u ndalur”, ka komentuar një burim për Daily Mail. Pavarësisht thashethemeve për një zënkë mes tyre, ato vazhdojnë të ruajnë një marrëdhënie miqësore. Megjithatë, përfshirja e Swift-it në mosmarrëveshjen ligjore ka vendosur pak distanca mes tyre.
Këngëtarja kishte treguar publikisht mbështetjen e saj për Lively-n kur u shfaqën zërat për akuzat ndaj Baldonint. Në atë kohë, Lively u akuzua për "keqmarketim" të filmit, pasi ajo shmangu pyetjet për temën e dhunës në familje, një element kyç i historisë, thjesht duke i kërkuar publikut të vishte "fustane me lule" dhe të shkonte në kinema. Për më tepër, Baldoni pretendoi se Lively përdori marrëdhënien e saj me Swift-in si mjet, duke kërcënuar se do të bllokonte trailerin e filmit nëse nuk do t'i jepej më shumë kohë për ta redaktuar me redaktorin e saj personal. Sipas dokumenteve të gjykatës, aktorja la të kuptohet se mund të tërheqë miratimin për përdorimin e këngës së Swift My Tears Ricochet në trailer.
Në fund të fundit, prodhuesit ranë dakord me kërkesat e Lively për të shmangur çdo vonesë. Shkëmbimi i mesazheve të depozituara në gjykatë dyshohet se ka ndodhur në maj 2024. Lively dhe Swift janë parë për herë të fundit së bashku në tetor, në një takim të dyfishtë me Reynolds dhe partnerin e artistes, Travis Kelce. Dy muaj më vonë, aktorja ngriti një padi në Departamentin e të Drejtave Civile të Kalifornisë, duke akuzuar Baldonin për ngacmim seksual dhe krijimin e një mjedisi toksik në xhirime./ZËRI