ITALI- Selvije Jao, bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë, Shpat Kasapi, ka ndarë me ndjekësit një lajm të rëndësishëm që shënon një kthesë pozitive në një nga periudhat më të vështira të jetës së saj.
Ajo ka konfirmuar se ka siguruar lejen e qëndrimit në Itali për tre vitet e ardhshme, një hap vendimtar që i hap rrugën vazhdimit të trajtimeve dhe terapive të nevojshme për djalin e saj, Roelin.
Italia ishte vendi ku Selvija dhe bashkëshorti i ndjerë, Shpati, u zhvendosën me shpresën për t’i ofruar të birit kujdes mjekësor më të specializuar, veçanërisht në fushën e terapisë logopedike.
Pikërisht aty, familja u përball edhe me humbjen tragjike të Shpatit, një ngjarje që preku thellë jo vetëm të afërmit, por edhe opinionin publik, pas një arresti kardiak.
Pavarësisht dhimbjes për humbjën e madhe, Selvija ka vendosur të mos ndalet. Ajo po vazhdon rrugëtimin e nisur së bashku me bashkëshortin e saj, duke e vendosur shëndetin dhe të ardhmen e Roelit mbi gjithçka tjetër.
Leja e qëndrimit nuk përfaqëson vetëm një dokument ligjor, por edhe një siguri jetike që terapitë dhe shërbimet e nevojshme për djalin e saj do të vazhdojnë pa pengesa.
Në mesazhin e ndarë në InstaStory, Selvija thekson se çdo hap që po bën është në emër të amanetit të Shpatit dhe dashurisë së pakushtëzuar për djalin e tyre.

“Për shëndetin dhe të ardhmen e Roelit. Faleminderit përzemërsisht që në kohë rekord na ndihmuat të sigurojmë leje qëndrimi 3-vjeçare në Itali dhe jo vetëm! Shpati do ishte shumë i lumtur sot por ne do ja dërgojmë amanetin deri ne fund”, shkruan Selvija në postimin e saj./ZËRI

