TETOVË- Këngëtari i ndjerë, Shpat Kasapi u përcoll sot për në banesën e fundit në qytetin e tij të lindjes, Tetovë, mes emocioneve të forta dhe duartrokitjeve të gjata.
Ceremonia mortore u zhvillua paraditen e sotme në Pallatin e Kulturës, ku familjarë, të afërm, dhjetëra figura publike, kolegë nga skena muzikore dhe qytetarë u mblodhën për t'i dhënë lamtumirën e fundit artistit. Homazhet u zhvilluan në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ndërsa procesioni mortor u zhvendos në varrezat e qytetit.
Këngëtari i njohur nga Tetova Shpat Kasapi u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare më 26 nëntor, duke lënë pas një dhimbje të thellë te familja, miqtë dhe mijëra fansa në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Shpati kishte shkuar në Itali për një koncert, por pasi kishte mbërritur në hotel, mësohet se ai është ndjerë papritur keq dhe ka pësuar arrest kardiak, duke humbur jetën. Shpat Kasapi do të mbahet mend si një artist që la gjurmë me zërin, energjinë dhe stilin e tij.
