TIRANË- Volejbolli shqiptar është tronditur ditët e fundit nga një rast dyshimi për gjininë e një sportisteje. Bëhet fjalë për volejbollisten braziliane të Dinamos, Nayara Ferreira, e cila është pezulluar prej disa ditësh nga federata shqiptare e volejbollit. Shkak u bë ankesa nga rivalet që dyshojnë se ajo është mashkull.
Ky veprim i FSHV është komentuar edhe nga Dinamo e volejbollit që e quan cënim të dinjitetit njerëzor, për brazilianen 32-vjeçare që ka 15 vite karrierë dhe ka luajtur në disa nga vendet e Bashkimit Evropian.
Volejbollistja braziliane 32-vjeçare jeton e vetme në Tiranë në një ambient të ofruar nga klubi, ndërsa aktualisht po përgatit dosjen për të hedhur në gjyq ata që dyshuan dhe ngritën këtë çështje.
Ajo ka reaguar edhe vetë për mediat në shqipëri, ku ka shprehur të gjithë zhgënjimin e saj, duke deklaruar se i është bërë një padrejtësi. Duke e përshkruar të gjithë situatën si të tmerrshme, brazilianja e konsideron një përbaltje pa arsye që i është bërë.
“Ka qenë e tmerrshme dhe e vështirë, por njerëzit do të pendohen që kanë bërë këtë padrejtësi, sepse unë jam thjesht një vajzë që është e lirë dhe që ka të drejtën të ekzistojë, për t’u veshur dhe për të vepruar ashtu si ndjehem mirë dhe e vërtetë. Unë nuk jam një grua e rreme, jam një grua e fortë, me shumë luftë pas vetes. Gjithmonë kam luftuar për të arritur qëllimet e mia dhe nuk do ta pranoj që këta njerëz të më rrëzojnë dhe të më përbaltin pa asnjë arsye. Unë jam unë, Nayara, dhe jam e lirë të jem ajo që dua të jem, ashtu si të gjitha gratë në këtë botë”, është shprehur volejbollistja me anë të një mesazhi në programin “Shqipëria Live”.
Ajo ka deklaruar gjatë një interviste për mediat se është 100% fermër, teksa e cilëson diskriminim, ç'njerëzore dhe e papranueshme gjithaçka që po i bëhet asaj.
"Jam 100% femër, dhe kjo është diçka që nuk kam pse ta shpjegoj. Nuk është e nevojshme t’ju them se jam femër, që kam lindur femër. Ju vetëm keni vënë re si vishem, sa të gjatë i kam flokët, fizikun tim, nëse kam muskuj apo tatuazhe. Vetëm kaq. Ajo që keni bërë është diskriminim. Dhe mendoj se kush diskriminon dikë, e ka të vështirë të flejë i qetë. Kjo është çnjerëzore dhe e papranueshme. Nuk e di si mund të flejë presidenti juaj i federatës në një situatë të tillë. Si mund të flejë ai me këtë në ndërgjegje? Kjo është pyetja ime.", është shprehur 32-vjeçarja.
Lajmi ka marrë gjithashtu vëmendjen edhe në mediat braziliane, të cilat e cilësojnë pezullimin e volejbollistet "të mbushur me paragjykime dhe transfobi".
Shqipëria: Federata pezullon brazilianen dhe kërkon "verifikim gjinor"
"Pas gati dy dekadash volejboll profesional, brazilianja Nayara Ferreira është pezulluar përkohësisht nga fusha e volejbollit. Arsyeja e këtij pezullimi është e mbushur me paragjykime dhe transfobi, edhe pse ajo është një grua cisgjinore. Lojtarja e jashtme e Dinamos (Shqipëri) u ndëshkua nga federata e vendit, e cila kërkoi "verifikim të gjinisë". Nayara u pezullua përkohësisht nga Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) pasi ekipet kundërshtare u ankuan se asaj i ishte verifikuar gjinia. Vendimi, i njoftuar gjatë fundjavës, shkaktoi zemërim dhe pyetje.
"Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë në karrierën time 15-vjeçare. Është e dhimbshme të më vënë në dyshim në këtë mënyrë", tha brazilianja, e cila ka garuar ekskluzivisht në kategorinë e grave që nga fillimi i karrierës së saj.", shkruan media braziliane./ZËRI