SHBA- Moderatori Jimmy Kimmel është rikthyer në ekranin e ABC, pas një pezullimi që zgjati për disa ditë, për shkak të përplasjeve të tij në distancë me presidentin Trump. Nisjen e emisionit ai ia dedikoi pikërisht pezullimit të tij të përkohshëm, ku me nota humori komentoi situatën, pore dhe lajmin më të fundit në SHBA, që Trump njoftoi një lidhje mes përdorimit të paracetamolit në shtatzëni dhe autizmit te fëmijët.
“Jam i lumtur që jam sonte me ju. Nuk e di kush kaloi 48 orët më të çuditshme, unë apo CEO i Tylenol.” Ai vijoi duke falënderuar kolegët e panumërt që e mbështetën, por edhe spektaktorët që reaguan në mbrojtje të tij.
Më pas, pati një moment kur ai foli për komentet që bëri për vrasësin e Charlie Kirk. “Nuk ishte kurrë qëllimi im për t’u tallur me vrasjen e një të riu”, tha ai i përlotur. Kimmel shtoi se nuk donte të fajësonte asnjë grup të veçantë dhe i mirëkupton njerëzit që mendojnë se komentet e tij ishin pavend.
Pa u lagur nuk doli as kreu i Komisionit Federal të Komunikimit, Brendan Carr, i cili ishte në qendër të debateve për pezullimin e moderatorit.
“Brendan Carr është makina më e turpshme që republikanët kanë pranuar që pas këtij”, tha ai duke shfaqur një foto të Tesla Cybertruck me emrin e Trump. Kimmel shtoi se Carr ishte një mbrojtës i fjalës së lirë, por skenari ndryshoi kur ai ndoqi emisionin javën e kaluar.
Edhe për Disney pati një falënderim, por jo para se të lëshonte një shaka për “riaktivizimin të abonimit Disney+”. Javën e shkuar shumë njerëz postuan foto të anulimit të abonimit me shkrimin “#boycottDisney”.
Sa për Trump, Kimmel pati një koment lidhur me thirrjen e presidentit që të pushoheshin nga puna edhe kolegët e tij, Jimmy Fallon dhe Seth Meyers.
“Udhëheqësi ynë gëzohet për njerëzit që humbasin bukën e gojës sepse ai nuk pranon dot shaka.” Sipas tij, kjo sjellje e Trump është “jo-amerikane” dhe “e rrezikshme”.
Duke iu rikthyer ngjarjes së Charlie Kirk, Kimmel vlerësoi faljen e Erika kundrejt vrasësit të dyshuar të të shoqit. “Ishte një akt vetëmohues mirësie…më preku thellë”, tha ai.
Pjesa tjetër e mbrëmjes vijoi si zakonisht me të ftuarit si Robert De Niro, Glen Poëell dhe këngëtaren Sarah McLachlan. Në fund, Kimmel pati edhe një fjalë të fundit për fiksimin e presidentit pas çmimit Nobel për Paqen. “Nëse nuk e fiton ai Nobelin, nuk e di kush mundet.”
