
KOSOVË- Klubi i Malishevës në Kosovë sapo ka kryer një punë të paqme, të pastër, duke u dhënë një tjetër leksion klubeve në Shqipëri se si futbolli si biznes mund ta rrisë edhe arkën e klubit, edhe kënaqësinë dhe angazhimin e futbollistit: Drilon Hazrollaj ka firmosur me Rapidin e Bukureshtit. Rapidi i Bukureshtit ka paguar 900 mijë euro për kartonin e lojtarit, duke e bërë shitjen më të shtrenjtë të historisë së kampionatit të Kosovës.
Hazrollaj, i grumbulluar por pa minuta me kombëtaren e Kosovës, përflitej se në janar e kishte refuzuar ftesën e Fodës dhe mbante sytë nga Shqipëria. Hazrollaj është 21-vjeçar, por në 85 ndeshje në Superligën e Kosovës, me fanellën e Malishevës, ka regjistruar 45 gola dhe 20 asiste si profesionist. I riu është produkt i grupmoshave të FK Ramiz Sadikut.
Drilon Hazrollaj është 10-shi natyral ndër ata të munguarit: i bën të gjitha rolet e sulmit, të gjitha rolet e mesfushës, i merr përsipër këndoret dhe penalltitë e i përdor të dy këmbët. Të majtën e ka të parapëlqyerën dhe më të fortën.
Hazrollaj do ta mbyllë të plotë sezonin me të tijtë dhe në Rumani do të zhvendoset në qershor.
Shifra e Hazrollajt ka kaluar edhe atë që deri më tani ishte një rekord: Lindon Emërllahu, 22-vjeçari që më 10 shkurt kaloi nga Ballkani te Kluzhi për 700 mijë euro. Emërllahu është përshtatur mirë në Rumani sepse menjëherë ka marrë 151 minuta aktivizim.
Te Kluzhi, Hazrollajn e pret një i ngjashëm në karakteristika loje, Meriton Korenica, që me 38 ndeshje, 9 gola dhe 4 asiste është një ndër liderët e skuadrës.
Kundërshtarët kryesorë të Rapidit janë Dinamoja e Bukureshtit, që për golashënues kanë një tjetër ish-lojtar të Kosovës, Astrit Selmanin, i cili ka shënuar 12 gola këtë sezon.
Malisheva bën një operacion të kënaqshëm. Në diskutim janë edhe disa operacione të tjera që mund ta shëndrronin në një model suksesi: Lautent Xhylani, Etnik Bruti dhe mbrojtësi i majtë Arlind Veliu janë tre diamante të tjerë për klubin.