Qytetërim

Nesër Kurban Bajrami, kreu i KMSH uron besimtarët: Mirëkuptim, dialog, respekt dhe bashkim mes njerëzve

Ai bën thirrje për më shumë mirëkuptim duke uruar që kjo festë të sjellë begati, shëndet dhe gëzim në çdo familje shqiptare

F.I
Nesër Kurban Bajrami, kreu i KMSH uron besimtarët: Mirëkuptim,
Bujar Spahiu

TIRANË-Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazhe paqeje, mirësie, solidariteti dhe harmonie.

Kryetari i KMSH në urimin e tij thekson se kjo festë na kujton vlerat e sakrificës, përkushtimit ndaj Zotit dhe kujdesit për njëri-tjetrin, veçanërisht për familjet, të moshuarit dhe njerëzit në nevojë. Ai bën thirrje për më shumë mirëkuptim duke uruar që kjo festë të sjellë begati, shëndet dhe gëzim në çdo familje shqiptare.

“Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të besimit islam. Është festa e sakrificës, e bindjes ndaj Zotit, solidaritetit dhe dashurisë ndaj njeriut. Ajo na rikujton shembullin e Profetit Ibrahim, i cili tregoi besim, durim dhe përkushtim ndaj Krijuesit. Feja jonë ndërtohet mbi paqen, respektin dhe vlerat njerëzore universale. Kjo festë na fton të reflektojmë më shumë për njëri-tjetrin, të jemi më pranë familjeve, të moshuarve dhe njerëzve në nevojë, jetimëve dhe çdo zemër që ka nevojë për shpresë. Kemi nevojë më shumë se kurrë për mirëkuptim, dialog, respekt dhe bashkim mes njerëzve. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë dashuri dhe shpresë. Uroj që kjo festë të sjellë gëzim në çdo vatër shqiptare dhe mirësi për të gjithë shoqërinë tonë. Gëzuar Kurban Bajramin!,"-shprehet Spahiu.

Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijoj djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhërit të Zotit, para se Zoti të ndërhyj, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftoj Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjese; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Ndryshe është njohur edhe si Bajram i haxhive, sepse brenda ditëve të këtij bajrami kryhet edhe pelegrinazhi ritual në Mekë. Në kalendarin hixhri, Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit./ZËRI

Poll

MOS HUMB